Shqipëria

Cila është simbolika e skulpturës “Rrënjët”, të vendosur në Durrës

“Rrënjët” titullohet skulptura më e re e derdhur në bronz, që i është shtuar shëtitores “Taulantia” në qytetin e Durrësit.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga kjo skulpturë e realizuar nga skulptori i mirënjohur, Adrian Dule.

Sipas autorit të veprës, kuptimi parësor i kësaj skulpture janë rrënjët që zgjaten nga toka në det, ashtu siç është vetë qyteti, i cili është i lidhur përjetësisht me detin, transmeton atsh, përcjell albinfo.ch.

Simbolika e kësaj skulpture flet për lidhjen e bashkatdhetarëve tanë me vendin e tyre. Për këtë arsye kjo vepër arti është vendosur në afërsi të monumentit përkujtimor të eksodit të vitit 1991, ku mijëra shqiptarë emigruan jashtë atdheut, por duke qëndruar të lidhur fort me rrënjët e tyre në Shqipëri.

Bashkia e Durrësit ka për synim vendosjen e veprave të artit në çdo pjesë të qytetit, jo vetëm të artistëve vendas, por edhe të huaj, me qëllim që të emocionojë turistët e shumtë që vizitojnë këtë qytet.