Bota

Cila është kafeja më e shtrenjtë në botë

Kafeja theu të gjitha rekordet duke u shitur për 1029 dollarë për gjysmë kilogrami në një ankand

Kafeja Geisha, rritet në rajonin verior të Panamasë, Boquete dhe konsiderohet më e shtrenjta në botë.

Në vitin 2019, kafeja theu të gjitha rekordet duke u shitur për 1029 dollarë për gjysmë kilogrami në një ankand. Ndërkohë që çdo vit, ajo tërheq gjithnjë e më shumë blerës të pasionuar pas kafesë, nga çdo cep i botës, madje deri nga Koreja e Jugut.

Në një copë toke që ndodhet 1800 metra mbi nivelin e detit, rriten kokrrat e kafesë që iu shitën një shtëpie japoneze për shumën rekord vitin e kaluar, në një ankand virtual që prodhuesit e kafesë organizojnë çdo vit, transmeton TCH.

Sipas organizatorëve, një sasi e tillë parash nuk ishte ofruar asnjëherë më pare, përcjell albinfo.ch.

Sipas prodhuesve të kafesë Geisha është një varietet shumë ekzotik që dallon shumë nga varietetet e tjera që rriten në botë.

Madje, organet e specializuara në vlerësimin e kafesë, e shpalli geishën kafenë më të mirë në botë në 2019 duke e renditur atë para varieteteve të ardhura nga Kenia, Kolumbia dhe Kosta Rika.

Në vitet e fundit, eksporti i kafesë nga Panamaja ka zënë një volum prej 212 milionë dollarësh ose 0.4 për qind të produktit të brendshëm bruto.

Edhe pse vendi është një eksportues i vogël i kafesë, krahasuar me Brazilin apo Kolumbinë, ai ka mundur të depërtojë në tregjet luksoze të Japonisë, Kinës, Tajvanit, Koresë së Jugut dhe Shteteve të Bashkuara.

Bota e kafesë po evoluon, thonë ekspertët. 50 vite më parë, kafeja konsiderohej diçka e rëndomtë dhe njerëzit nuk i kushtonin shumë vëmendje karakteristikave dhe shijes.

Por 20-25 vitet e fundit, ka një mënyrë të re se si shihet kafeja dhe tani ajo ka filluar madje të konsiderohet edhe si një produkt luksoz.