Kosova

Chollet mirëpret vendimin e Kosovës për pranimin e propozimit evropian

Këshilltari i Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, deklaroi dje se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mirëpresin vendimin e Kosovës për ta pranuar propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Gjatë ditës ai ka biseduar për këtë çështje me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

“Ne mirëpresim vendimin e Kosovës për të pranuar propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë përmes Dialogut të Lehtësuar nga BE-ja. Tani na duhet zbatimi i tij për të siguruar përfitime të rëndësishme për të dy vendet”, shkruan Chollet.

Duke e shpërndarë postimin e zotit Chollet, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, shkroi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të mbështesin plotësisht hapat e ardhshëm për propozimin evropian, përcjell albinfo.ch.

“Ky progres është i rëndësishëm për Kosovën pasi ne mbështesim integrimin e plotë të saj në strukturat euroatlantike dhe ndërkombëtare”, shkruan ambasadori Hovenier.