Futboll

Challandes shpreson të luajnë në Prishtinë

“E dua Kosovën, tani fillojnë kualifikueset. Kam dëshirë të luajmë në Prishtinë. Dua shumë të pranishëm që të na ndihmojnë për të fituar”, nënvizoi ai

Trajneri i Kosovës, Bernard Challandes, në një intervistë për Supersport para përfundimit të grumbullimit në Zvicër, u shpreh i kënaqur me atë që shfaqi skuadra që ai drejton si në stërvitje ashtu edhe në vëllazëroren me Shqipërinë, edhe pse do të kishte dashur që të luhej edhe një miqësore e dytë.

“Ka qenë një vend shumë i mirë për t’u stërvitur. Në fillim e menduam të vështirë, sepse mungonin disa lojtarë. Më pas pash një ekip të fortë dhe pata mundësi të punoja në planin taktik dhe teknik. Për mua është me rëndësi aspekti taktik, puna që kemi bërë si në mbrojtje ashtu edhe në sulm”, ka thënë trajneri zviceran, përcjell albinfo.ch.

Ai flet edhe për grupin që ka. “Kur e mora Kosovën, e dija që kishte dy lojtarë shumë të mirë. Duhet të ndryshohet mentaliteti i lojtarëve dhe duhet të pranojnë urdhrat e trajnerit. Lojtarët e kanë kuptuar që duhet të luhet për ekipin dhe jo për veten. Ia kemi arritur qëllimit. Kemi punuar me mbrojtjen dhe sulmin. Puna do të vazhdojë në të gjithë aspektet”, shtoi tutje Challandes.

Zvicerani shpreson se do të luajnë në Prishtinë. “E dua Kosovën, tani fillojnë kualifikueset. Kam dëshirë të luajmë në Prishtinë. Dua shumë të pranishëm që të na ndihmojnë për të fituar”, nënvizoi ai.