Futboll

Challandes: Kosova ka kualitete të larta

Ish trajneri i Kombëtares së Kosovës, Bernard Challandes ka folur për ndeshjen ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës e cila do të luhet sonte prej ores 18:00.

Challandes thotë se më së shumti do të përjetojnë emocione bashkatdhetarët tanë që jetojnë në shtetin helvetik.

“Për kosovarët që jetojnë në Zvicër do të jetë një festival i vërtet i futbollit. Larg nga politika dhe nga problemet politike”, ka thënë Challandes për mediumin zviceran “20min”, përcjell albinfo.ch

Ai shton se të gjithë në Kosovë janë krenarë me Xherdan Shaqirin dhe Granit Xhakën.

“Kur Kombëtarja jonë arrin suksese, mund të shohësh flamuj zviceran duke valuar në Prishtinë. Gjithashtu, të gjithë në Kosovë janë krenarë me Shaqirin e Xhakën, për arritjen e tyre”, shton Challandes, i cili ishte selektor i Kosovës në periudhën 2018 – 2021.

Challandes është shprehur i bindur se edhe në Kosovë ka talente, që mund të dalin në shesh pas një kohe.

“Ka shumë djalmosha të talentuar në klube dhe në rrugët e Kosovës. Është vetëm çështje e vazhdimit të punës dhe duhet të jenë të qetë”, është shprehur tutje ai, përcjell tutje albinfo.ch