Futboll

Challandes, i kënaqur me debutimin te Kosova

“Jam shumë i kënaqur me fitoren, kjo është e qartë. Qëllimi i parë që kemi patur gjatë javës ka qenë në aspektin mbrojtës", u shpreh trajneri zviceran

Trajneri i Kosovës, zvicerani Bernard Challandes ishte shumë i kënaqur me fitoren ndaj Madagaskarit dhe faktin që Kosova nuk pësoi gol në këtë ndeshje.

“Jam shumë i kënaqur me fitoren, kjo është e qartë. Qëllimi i parë që kemi patur gjatë javës ka qenë në aspektin mbrojtës. Nuk kemi pësuar gol dhe kjo është shumë e rëndësishme për mua, ndërkohë që gjatë eliminatoreve Kosova është ndëshkuar 24 herë”, ka thënë Challandes për “Supersport”.

“Patëm raste të mira edhe në pjesën e dytë, por nuk i konkretizuam. Jam i kënaqur edhe me mentalitetin e skuadrës, djemtë qëndruan kompaktë, kjo ishte ajo që doja në këtë takim. Kam rezervat e mia në disa momente të lojës. I kemi humbur disa topa, por mund t’i korrigjojmë gabimet”, theksoi zvicerani, përcjell albinfo.ch.

Duke larguar entuziazmin e tepërt, Challandes sheh nga takimi i radhës. “Tani është e qartë, kemi mundur Madagaskarin, që nuk është Brazili, edhe pse mbetet një kundërshtar për t’u respektuar, por duhet të jemi të përqendruar dhe të shohim për të ardhmen”, u shpreh Bernard Challandes.