Kosova
Çfarë po ndikon në ashpërsimin e retorikës së Kosovës ndaj BE-së?
Muajt e fundit, Qeveria e Kosovës, mediat, por edhe opinioni përmes rrjeteve sociale, ka ashpërsuar fjalorin ndaj Bashkimit Europian dhe skepticizmi ndaj tij, ka shënuar ngritje, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike në vend.
Sipas tyre, ky diskurs është frymëzuar nga zhvillimet në realitetin politik dhe shoqëror.
Politologu Ramush Tahiri, thotë për Radion Evropa e Lirë, se institucionet qeveritare, por edhe opinioni në Kosovë janë të zhgënjyer me mospërmbushjen e pritjeve që kanë pasur në raport me BE-në, e të cilat janë bazuar në premtimet që BE-ja i ka dhënë për Kosovën, shkruan REL, përcjell Albinfo.ch.
“Diskursi anti-europian që po krijohet në Kosovë, e ka një bazë reale, sepse Kosova ka ngecur në integrimet europiane, si vendi i fundit në Ballkan. Ndërsa, gjithashtu, zhgënjimi i madh është me mosliberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, sepse Kosova ka mbetur 10 vjet prapa Serbisë, përkundër që Kosova pasur misione ndërkombëtare dhe evropiane në territorin e saj. Ato është dashur që ta ngritin cilësinë e qeverisjes dhe të vendimmarrjes, si dhe sundimin e ligjit”, thekson Tahiri.
Ai shton se Qeveria e Kosovës me kryeministrin Ramush Haradinaj, kanë marrë një kurs të partneritetit të plotë dhe të pakusht me Bashkimin Europian dhe tashme po sillet si palë që kërkon përgjegjësi nga Bashkimi Europian dhe i gjykon veprimet e tij, praktika të cilat deri më tash nuk kanë ndodhur.
Milazim Krasniqi, shef i Departamentit të Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson që rritja e pakënaqësisë është produkt i zhgënjimit të qytetarëve të Kosovës me qëndrimin, siç e quan ai, injorues të Bashkimit Europian, veçmas në rastin e mosliberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, shkruan REL, përcjell Albinfo.ch.
Pakënaqësia është shtuar, sipas tij, për më tepër, për shkak që zyrtarët e BE-së e kanë pranuar që Kosova i ka përmbushur kriteret për liberalizim të vizave, ndërkohë që pritshmëria e qytetarëve të Kosovës ka qenë shumë e madhe se procesi do të përfundojë pozitivisht.
“Shumë njerëz i kanë bërë edhe planet familjare dhe planet e karrierës, si dhe të bizneseve, me këtë lloj kohe. Kjo, më pas ka shkaktuar këtë lloj rritje të pakënaqësisë dhe këtë rritje të diskursit negativ ndaj Bashkimit Europian. Sigurisht që një ndikim jo të vogël ka këtu edhe bindja se Brukseli nuk ka politikë të balancuar në procesin e negociatave ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, sepse e ka favorizuar më shumë Serbinë. Këto nuk janë vetëm qëndrime politike, por janë analiza kritike”, thotë Krasniqi.
Siç thekson ai, përderisa Kosova nuk ka marrë liberalizimin e vizave, Serbisë i është lejuar hapja e dy kapitujve në procesin e negociatave me Bashkimin Europian, kapitulli për politikat monetare dhe kapitulli për statistikat, shkruan REL, përcjell Albinfo.ch.
Njohësit e zhvillimeve politike theksojnë që Kosova, që nga themelimi i shtetësisë së saj ka shprehur përkushtimin për integrimet europiane dhe euroatlantike.
Në këtë drejtim, sipas politologut Tahiri, ashpërsimi i fjalorit ndaj Bashkimit Europian dhe krijimi i një euro-skepticizmi mund të jenë të dëmshëm, sepse Kosova nuk ka alternativë tjetër përveç integrimit në BE. Por, siç thotë ai, do të ishte mirë që BE-ja t’i shqyrtojë politikat e zgjerimit dhe integrimit të Ballkanit Perëndimor.
“Do të duhej që të mos hyjnë vendet veç e veç, por këto vende që kanë mbetur, të hyjnë në grup, sepse çdo lënie pas dore në këtë rast të Kosovës, do të shkaktonte edhe tensione të brendshme. Do të humbte perspektivën evropiane, por edhe do të shkaktonte një garë të pandershme ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor,në këtë rast të Kosovës dhe Serbisë, të cilat, në vend se ta ndihmojnë, do ta pengonin njëra-tjetrën”, shprehet Tahiri.
Megjithëkëtë, profesor Krasniqi vlerëson se atmosferë euro-skeptike ka më tepër se sa në Kosovë, në vetë vendet e Bashkimit Europian, por edhe në Serbi. Siç thotë ai, është krijuar bindja që nëse bëhet presion në Bruksel, merren më shumë favore. Sipas tij, kështu është kuptuar, së paku në rastin e Serbisë, ndërkaq që zhgënjimi i qytetarëve të Kosovës me rastin e mosliberalizimit të vizave, i ka bërë ata që nga euro-entuziastët të kalojnë në euro-skeptikë.
“Se si do të ndikojë në marrëdhënie, kjo mbetet për t’u parë. Por, unë jam i bindur që në rast se Bashkimi Europian nuk e ndryshon kursin ndaj Kosovës – veçmas në çështjen e liberalizimit të vizave dhe në një politikë më të ekuilibruar në çështjen e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë – do të ndodhë rritja e euro-skepticizmit në Kosovë, por edhe rritja e nacionalizimit shqiptar. Këto, pastaj do të shkonin bashkë dhe atëherë do të jemi në një situatë që do të jetë më e vështirë që të menaxhohen këto raporte”, vlerësoi Krasniqi.
Sidoqoftë, politologu Tahiri thekson që institucionet e Kosovës nuk mund t’i ikin përgjegjësisë për krijimin e skepticizmit të krijuar ndaj BE-së, për shkak se edhe ato u kanë premtuar qytetarëve të Kosovës liberalizimin e vizave, i cili, bazuar në deklaratat e zyrtarëve të BE-së, nuk do të realizohet, të paktën, deri në vitin 2020.
E-Diaspora
-
Granit Xhaka është pjesë e formacionit më të mirë të vitit në Bundesliga Ylli shqiptar i Bayer Leverkusenit, Granit Xhaka, ka përfunduar si pjesë e formacionit më të mirë...
-
Përfundojnë pritjet në kufirin Kroaci-Serbi
-
Nga llamba e vajgurit tek energjia që ndriçon Zvicrën, rruga frymëzuese e Xhevdet Gashit dhe ALBASOLAR
-
“K’cimi i Tropojës”, piktori Gazmend Freitag dhe magjia e trashëgimisë kulturore shqiptare
-
Gjykata Federale ndalon dëbimin e kosovarit: Djali i tij është invalid i rëndë
Jeta në Zvicër
-
Mediat: Shërbimet mjekësore zvicerane të bëra jashtë vendit faturohen me tarifa zvicerane Në Zvicër, shërbimet mjekësore të kryera jashtë vendit faturohen me tarifa zvicerane, pavarësisht se kushtojnë më...
-
Anëtari i ekuipazhit zviceran ende në kujdes intensiv pas uljes urgjente në Austri
-
Ulja emergjente e avionit zviceran në Graz është shkaktuar nga një problem teknik
-
Berna ka përditësuar, në internet, hartën e saj të rreziqeve sipas qyteteve të kantonit
-
Sa e rëndësishme është marrëveshja e BE-së për ekonominë tonë të eksportit?