Lajme

Çfarë përfitimesh sociale mund të merrni nëse keni fëmijë në Zvicër?

E quajtur në gjermanisht 'Familienzulagen', në frëngjisht 'allocations familiales' dhe në italisht 'assegni familiari', kjo ndihmë financiare u jepet banorëve të Zvicrës që kanë fëmijë. Kështu funksionon ky sistem

Qëllimi i përfitimeve për mbështetjen e fëmijëve – i quajtur në Zvicër shtesa familjare – “duhet të kompensojë pjesërisht kostot që lindin për prindërit”. Këtu përfshihen fëmijët biologjikë dhe të birësuar.

Kush ka të drejtë të marrë këto përfitime?

Kushdo që është i punësuar ose i vetëpunësuar dhe fiton të paktën 592 franga në muaj mund të kërkojë ndihmë familjare, shkruan The Local, përcjell albinfo.ch.

Ata që nuk punojnë kanë gjithashtu të drejtën e përfitimeve, përveç nëse të ardhurat e tyre vjetore të tatueshme i kalojnë 42,660 franga.

Sa është kompensimi familjar?

Të paktën 200 franga në muaj paguhen për çdo fëmijë deri në moshën 16 vjeç, kur përfundon arsimi i detyrueshëm në Zvicër.

Megjithatë, fëmijët me sëmundje kronike ose me aftësi të kufizuara kanë të drejtë të marrin kompensime deri sa të mbushin 20 vjeç.

Kjo është shuma minimale e përcaktuar me ligj, por disa kantone paguajnë më shumë. Për shembull, shtesa e Gjenevës është 300 franga për fëmijë, përcjell tutje albinfo.ch.

Por pagesat nuk ndalen në 16. Nëse fëmija vazhdon të studiojë ose është në formim profesional, ka të drejtë të marrë 250 franga në muaj derisa të mbushë 25 vjeç.

Po banorët e huaj?

Nëse jetoni dhe punoni në Zvicër — dhe për këtë arsye paguani taksa këtu — atëherë keni të drejtë të merrni përfitime për fëmijë në të njëjtën mënyrë si qytetarët zviceranë.

Kjo vlen edhe nëse jeni punëtor ndërkufitar: ju mund të kërkoni ndihmë familjare zvicerane, edhe nëse fëmijët tuaj jetojnë në një vend të BE-së ose të EFTA-s.

Por nëse partneri juaj punon në vendin tuaj të origjinës (Francë, Itali, Gjermani ose Austri), atëherë do të merrni kompensimin familjar atje. Sidoqoftë, do t’ju paguhet çdo ndryshim midis asaj shume dhe ndihmës familjare që paguhet në Zvicër, përcjell tutje albinfo.ch.

Pagesat nuk do të vijnë automatikisht kur fëmija juaj të lindë ose të birësohet. Prindi me të ardhurat më të larta duhet të aplikojë për këto përfitime. Nëse nuk e bëni këtë menjëherë, ose nëse për ndonjë arsye vonohen pagesat, mund të kërkoni deri në pesë vjet detyrime të prapambetura.

Nëse jeni i punësuar, do t’ju duhet të aplikoni te punëdhënësi juaj për ndihmë familjare. Ata do ta përcjellin kërkesën tuaj në departamentin kantonal përgjegjës për shtesat familjare dhe ju do të merrni pagesat në baza mujore.

Nëse jeni i vetëpunësuar ose nuk punoni fare, kontaktoni fondin e kompensimit familjar për udhëzime se si të aplikoni.

Ju gjithashtu duhet t’i raportoni këtyre autoriteteve çdo ndryshim në situatën tuaj personale, financiare dhe profesionale, pasi ato mund të ndikojnë në përshtatshmërinë tuaj për shtesat.