Lajme

Çfarë nënkupton për Suedinë hyrja në NATO?

Aplikimi i Suedisë për anëtarësim në NATO, që u dorëzua pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës më 2022, e tejkaloi pengesën e fundit, pasi që Hungaria votoi për ratifikimin e pranimit Stokholmit të hënën, më 26 shkurt, përcjell albinfo.ch.

Pranimi në aleancën ushtarake perëndimore përbën ndryshim të madh, si për mbrojtjen e Suedisë, por edhe për balancën gjeopolitike në rajon.

 

Pse Suedia vendosi t’i bashkohej NATO-s?

Në fund të luftërave napoleonike në fillim të shekullit 19, Suedia miratoi neutralitetin si politikë zyrtare.

Pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, politika e neutralitetit u zëvendësua me atë të mosangazhimit ushtarak.

Përderisa Suedia ka dërguar forca në misionet paqeruajtëse ndërkombëtare, shteti nuk ka zhvilluar luftë për më shumë se 200 vjet.

Konflikti i fundit që ishte zhvilluar ishte lufta suedeze-norvegjeze më 1814.

Pavarësisht neutralitetit, Suedia ka ndjekur një politikë të jashtme aktive, ka qenë shtet me nivel të lartë të respektimit të të drejtave të njeriut dhe donatorja më e madhe për kokë banore, dhe për këtë shpesh shteti është quajtur “superfuqi humanitare”.

Por, përderisa ka qëndruar jashtë NATO-s, Suedia ka krijuar raporte të ngushta me aleancën dhe më 1994 iu bashkua Programit të Partneritetit për Paqe dhe më pas më 1997 edhe Këshillit të Partneritetit Euroatlantik.

Megjithatë, shumica e suedezëve për një kohë të gjatë kishin kundërshtuar anëtarësimin e plotë dhe kjo temë është parë si tabu nga Socialdemokratët, që është partia më e madhe politike në Suedi.

Ish-ministri i Mbrojtjes nga Socialdemokratët, Peter Hultqvist, madje kishte deklaruar vjeshtën e vitit 2021 se ai mund të “garantonte” se kurrë nuk do të merre pjesë në procesin e anëtarësimit në NATO.

Vetëm disa muaj më vonë, pushtimi rus i Ukrainës, që nisi më 2022, çoi në një ndryshim dramatik të mendimit të opinionit publik, por edhe të partive politike.

Një shumicë e gjerë e Parlamentit suedez votoi për të aplikuar për anëtarësim dhe shteti dorëzoi aplikimin – së bashku me Finlandën – në maj të vitit 2022.

 

Çfarë sjellë Suedia në NATO?

Për një kohë të gjatë, politika suedeze thoshte se shteti kishte nevojë për një ushtri të fuqishme për të mbrojtur neutralitetin e Suedisë.

Por, pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, shteti uli shpenzimet e mbrojtjes, duke kthyer përqendrimin e ushtrisë drejt operacioneve paqeruajtëse në mbarë botën.

Më 1990, shpenzimet e mbrojtjes përbënin 2.6 për qind të Bruto Prodhimit të Brendshëm, ndërkaq kjo përqindje ra në 1.2 më 2020, sipas Qeverisë.

Shpenzimet për mbrojtje nisën të rriten sërish pas aneksimit të paligjshëm të Gadishullit ukrainas të Krimesë nga Rusia më 2014.

Në mars të vitit 2022, pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës, Suedia njoftoi se sërish do të rriste shpenzimet, duke thënë se kishte për qëllim të shpenzonte 2 për qind të Bruto Prodhimit të Brendshëm “sa më shpejt që të jetë e mundur”.

Në fund të vitit 2023, Qeveria e Suedisë tha se shpenzimet e ushtrisë do të tejkalonin synimin prej 2 për qind gjatë vitit 2024.

Ushtria suedeze ka afër 50.000 ushtarë dhe gjysma e tyre janë rezervistë.

Forcat Ajrore suedeze kanë më shumë se 90 avionë luftarakë të llojit JAS 19 Gripen – që prodhohen brenda vendit – dhe po ashtu Marina suedeze e Baltikut përfshin disa luftanije dhe nëndetëse.

Kryeministri suedez, Ulf Kristersson, tha në janar se shteti i tij veçse është i gatshëm të kontribuojë me trupa në forcat e NATO-s në Letoni.

Anëtarësimi i Suedisë dhe Finlandës në NATO po ashtu nënkupton se Deti Baltik rrethohet nga shtetet aleate, dhe disa analistë po e quajnë liqe të NATO-s.

“Është pjesa e fundit e mozaikut në hartën e NATO-s në Evropën Veriore që tani po vendoset në vend”, tha për AFP-në, Robert Dalsjo, analist në Agjencinë suedeze të Hulumtimeve të Mbrojtjes (FOI).

 

Cilat janë implikimet për mbrojtjen e Suedisë?

Si shtet anëtar, llogaritjet ushtarake të një shteti ndryshojnë në disa aspekte kyçe.

“Suedia për një kohë të gjatë ka punuar duke u nisur nga supozimi: ‘Ne i bëjmë vetë detyrat’”, tha Jan Henningson, hulumtues në FOI.

“Tani, kjo ndryshon”, shtoi ai, duke shpjeguar se mbrojtja e tyre tani duhet të bëhet brenda aleancës.

“Tani, ne duhet të mësohemi të veprojmë brenda ekipit. Ne duhet të përshtatemi me faktin që ne nuk po përgatitemi që të mbrojmë vetëm territorin suedez, por territorin”, theksoi Dalsjo.

Për Suedinë, anëtarësimi në aleancë po ashtu përmbys mendimin tradicional të raporteve të fuqisë në një konflikt potencial.

“Tradicionalisht, ne kemi menduar se jemi shtet i vogël dhe kushdo që na sulmon ne është shumë më i madh”, tha Henningson.

Por, kur bëhet fjalë për ekonominë dhe demografinë, “NATO-ja është shumë më e madhe se Rusia”, sipas Hennningsonit.

“Do të jetë një forcë mjaft mbresëlënëse me shpresën që fuqia e kombinuar e 32 shteteve, nga Turqia në jug, e deri në Svallbard”, tha shefi i ushtrisë suedeze, Jonny Lindfors, për gazetën Dagens Nyheter në dhjetor.

Ai shtoi se mendon se forca e shtuar zvogëlon rrezikun e shpërthimit të një konflikti.