Lajme
Çfarë ndodh tani pasi zviceranët refuzuan ndryshimet e sigurimeve shëndetësore?
Të dielën, votuesit zviceranë kundërshtuan dy nisma për të ulur çmimin e primeve të detyrueshme të sigurimit shëndetësor. Por kjo nuk do të thotë se asgjë nuk do të ndryshojë.
Ndonëse sondazhet e hershme treguan se nisma e drejtuar nga Partia Social Demokratike, që kërkon të kufizojë normat e sigurimit në 10 për qind të të ardhurave, do të pranohej në masë të madhe, të dielën 55.5 për qind e votuesve e refuzuan atë.
Ndër arsyet kryesore të refuzimit ishte se zbatimi i kësaj mase (që tashmë ekziston në Zvicër në formën e subvencioneve për familjet me të ardhura të ulëta) do të kushtonte disa miliardë franga në vit, duke rritur më tej kostot tashmë shumë të larta të kujdesit shëndetësor, transmeton albinfo.ch.
Ndërsa socialdemokratët thanë se rezultatet e referendumit “janë zhgënjyese”, sipas shoqatës së biznesit Economiesuisse, “zviceranët e kuptuan se “iniciativa 10 për qind” ishte mashtruese”. Me votën “jo”, “miliarda franga në kosto shtesë do të shmangen”, shtoi grupi.
Një komentues tjetër vuri në dukje se “e majta po nis iniciativa pa thënë kurrë se si do t’i financojmë të gjitha”.
Nisma e dytë e sigurimeve shëndetësore e votuar të dielën, e cila synonte të jepte një ‘frenim’ në kostot shëndetësore, u refuzua nga 62.7 për qind e votuesve, shkruan thelocal.
Çfarë do të ndodhë me primet e sigurimit shëndetësor tani?
Këshilli Federal dhe parlamenti kanë kërkuar votën ‘jo’ për të dyja, duke krijuar kundërpropozime për secilën prej dy nismave – domethënë, projektligjet e tyre në përgjigje të shqetësimeve të ngritura në iniciativa.
Kundërpropozimet, të cilat zakonisht janë më të moderuara dhe më të ‘zbatueshme’ sesa nismat origjinale – hyjnë në fuqi automatikisht nëse iniciativa refuzohet.
Sipas kundërpropozimit të nismës ’10 për qind’, kantonet do të duhet të caktojnë midis 3,5 dhe 7,5 për qind të buxheteve të tyre për uljen e primeve të kostove të sigurimit të detyrueshëm shëndetësor në territoret e tyre, ndërsa qeveria federale do të vazhdojë të kontribuojë me 7,5 për qind.
Ndërsa kjo nënkupton që qindra milionë franga para publike do të shpenzohen për të lehtësuar ‘barrën e primit’ të familjeve me të ardhura të ulëta, do të jetë ende më pak se rreth 6 miliardë sa kërkoi nisma fillestare.
Po nisma e ‘frenimit të kostos’?
Në këtë rast, kundërpropozimi parashikon që qeveria të vendosë një kufi çdo katër vjet për rritjen e kostove të sigurimit të detyrueshëm shëndetësor.
Këshilli Federal si dhe kantonet do të marrin në konsideratë jo vetëm rritjen e pagave (siç synonte të bënte iniciativa fillestare), por edhe plakjen e popullsisë dhe tendencat e tjera demografike, përparimin mjekësor, si dhe faktorë të tjerë që luajnë një rol në primet e sigurimit shëndetësor.
Gjithashtu, Këshilli Federal dëshiron të ngrejë një komision për monitorimin e kostove dhe cilësisë së sigurimit shëndetësor.
Nga ana tjetër, partitë e krahut të majtë kanë thënë tashmë se do të vazhdojnë të detyrojnë referendumet që synojnë të ulin koston e sigurimeve shëndetësore.
Të Gjelbrit tani po përqendrohen në bazimin e primeve të sigurimit mbi të ardhurat.
Sa i përket socialdemokratëve, partia tha se tani do të “punojë për nisjen e një nisme për sigurimin shëndetësor publik”.
Asnjëra nga këto ide nuk është e re. Zbatimi i primeve të bazuara në të ardhura, ndërsa mbështetet nga palë të ndryshme, nuk duket i mundshëm.
Sistemi aktual mendohet gjerësisht të jetë “i drejtë dhe i balancuar”, sipas Lukas Engelberger, president i Shoqatës Kantonale të Drejtorëve të Shëndetësisë.
Kjo për shkak se sistemi në fuqi bazohet në solidaritet – ideja që të gjithë njerëzit e siguruar formojnë një grup.
Mund të mendohet si diçka e madhe në të cilën çdo banor i Zvicrës jep një kontribut (d.m.th. pagesat e primit), në mënyrë që në rast urgjence të ketë burime të mjaftueshme për t’i dhënë dikujt ndihmën që i nevojitet kur ka nevojë.
Nëse qasja aktuale do të ndryshonte, megjithatë, dhe do të bëhej e bazuar në të ardhura, do të ishte e vështirë të ruhej komponenti i solidaritetit, i cili, sipas zyrtarëve, ka dëshmuar vlerën e tij.
Për sa i përket një skeme shtetërore të sigurimit shëndetësor, siç është rasti gjetkë në Evropë, socialdemokratët kanë bërë thirrje për heqjen e shumë kompanive private në favor të qeverisë që ta drejtojë skemën për një kohë.
“Arsyeja për këtë ndryshim rrënjësor është se me një lojtar të vetëm, do të jetë më e lehtë të ruash çmimet e duhura”, sipas deputetit Baptiste Hurni, i cili qëndron pas këtij propozimi.
Në një referendum të vitit 2014 mbi këtë temë, 62 për qind e votuesve i thanë ‘jo’ planit, teksa ata që kundërshtuan, argumentuan se një sistem privat sigurimi ofron më shumë zgjedhje dhe ofron një cilësi më të lartë shërbimesh—duke përfshirë akses më të mirë tek specialistët dhe kohë më të shkurtra pritjeje për procedurat mjekësore – sesa një opsion publik.
Ata gjithashtu theksuan se primet më të larta janë të pashmangshme duke pasur parasysh një popullsi në plakje dhe jetëgjatësi më të lartë, dhe kalimi në një sistem publik do të gjeneronte pak kursime.
Megjithatë, qëndrimet mund të kenë ndryshuar në 10 vitet e fundit.
Një studim i kryer nga Qendra e Bazelit për Ekonominë e Shëndetit (BCHE) në janar 2024, tregoi se 68 për qind e popullsisë së Zvicrës do të donte që sistemi aktual të zëvendësohej nga një sigurues i vetëm shëndetësor.
E-Diaspora
-
Një deputete në Kuvendin e Shqipërisë, me doktoratë austriake Edona Bilali është deputete e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, ku përfaqëson Qarkun e Shkodrës, që...
-
Aksident i rëndë në punë, humb jetën 41-vjeçari shqiptar në Itali
-
Pajtim Statovci fiton çmimin prestigjioz “Finlandia” në Stokholm
-
Piloti Blin Hoxha kërkon leje për ulje në aeroportin e Prishtinës në gjuhën shqipe
-
Topalli: Vota e diasporës, shpëtim për Shqipërinë
Jeta në Zvicër
-
Cilat janë kooperativat zvicerane të strehimit dhe a mund t’i aksesoni ato? Disa pjesë të Zvicrës kanë kooperativa banimi që ofrojnë qira më të përballueshme...
-
Zvicër: Dardanët presin përkrahjen e bashkatdhetarëve
-
Nga 1 janari do të mund të ndryshohen në çdo moment disa modele të sigurimit shëndetësor
-
Çmimet e pronave zvicerane nuk tregojnë shenja rënie
-
Shtatë gjëra që thjesht nuk mund t’i mbani sekret në Zvicër