Lajme

Çfarë e shënoi vitin 2021 për shqiptarët e Austrisë

Albinfo.at sjell për ju disa ngjarje të suksesit në fusha të ndryshme që shënuan shqiptarët gjatë vitit 2021 në Austri

Viti 2021 ishte i gjatë dhe i vështirë për njerëzit në gjithë botën. Edhe pse për shkak të pandemisë me Covid -19, shumë aktivitete dhe projekte u detyruan të pezullohen, prapë kishte të tillë që shënuan suksese edhe në vitin që lëmë pas. Në  këtë kontekst, edhe shqiptarët në Austri shënuan disa suksese, qoftë individuale apo grupore gjatë këtij viti.

Januz Saliuka dekorohet me titullin “Ambasador i Kombit”

Në muajin dhjetor, Ambasada e Shqipërisë në Austri me ambasadorin Roland Bimo në krye, dekoroi aktivistin shumëvjeçar shqiptar në Austri, Januz Saliuken, me titullin “Ambasador i kombit”. Në ceremoninë shumë të kufizuar, në respektim të masave kufizuese të Covid 19, morën pjesë përfaqësues të Ambasadës së Kosovës, konsulli Isa Kosumi, si dhe përfaqësues të Shoqatave Shqiptare në Austri, intelektualë të dalluar, familjarë e miq të z. Saliuka.

Ky çmim iu nda Januz Saliukës për kontributin e veçantë në mbështetje të pjesëtarëve të komunitetit shqiptar në Austri, rolin e tij si ideator dhe organizues i dhjetëra aktiviteteve kulturore, patriotike, sportive, duke qenë një forcë e vërtetë lëvizëse për të gjithë shqiptarët. Përmes forcës së shembullit të vet, por edhe me punë e ndihmë konkrete, ai u ka shërbyer të gjithëve që i janë drejtuar për ndihmë, për të gjetur rrugën e tyre të integrimit me sukses në shoqërinë e re që kanë zgjedhur të jetojnë, në Austri. Po ashtu u evidentuan edhe virtytet e shqiptarëve, mes të cilave edhe aftësia për integrim të plotë e të suksesshëm, duke ruajtur njëkohësisht vlerat më të mira të traditës, zakoneve dhe kulturës shqiptare.

Javët e Kulturës Shqiptare në Austri

Javët e Kulturës Shqiptare në Austri vazhdojnë të mbeten ngjarjet me të rëndësishme kulturore, artistike dhe sportive të komunitetit shqiptar në Austri.

Nën organizimin e Këshillit Koordinues të Shoqatave Shqiptare në Austri, me moton e përhershme “Bukë, kripë dhe zemër”, “Javët e Kulturës”, edhe këtë vit sollën disa aktivitete para publikut shqiptar në Austri, miqve austriak dhe ndërkombëtarë, për të treguar traditën, bujarinë, mikpritjen dhe zemërgjerësinë e shqiptarëve.

“Javët e Kulturës” u hapën më 26 tetor me një ekspozitë të përbashkët të artistëve shqiptarë dhe austriakë, me titullin “Künstler bauen Brücken”. Punimet e tyre artistike zgjuan interesim të konsiderueshëm tek komuniteti shqiptar por edhe tek miqtë ndërkombëtarë.

Një tjetër aktivitet që, arriti të mbahet, ishte edhe shfaqja teatrale “Kthimi i Karl Majit” i mbajtur me 20 nëntor në skenën e teatrit “Akzent” në Vjenë.

Me regji të Blerta Nezirajt, e shkruar nga Jeton Neziraj dhe nën koordinimin e Alban Beqirajt, përkundër masave të rrepta të pandemisë me koronavirus, komedia “Kthimi i Karl Majit” arriti të shfaqet suksesshëm në Vjenë.

Gjatë “Javëve të Kulturës” u shfaq edhe një mbrëmje muzikore me këngë të zgjedhura burimore shqiptare. Kjo mbrëmje u mbajt më 7 nëntor, në  restorantin „Kastaniengarten“ në Schwechat, pak kilometra larg Vjenës. Të pranishmit i argëtoi kantautori i njohur nga Ulqini, Suad Mehmeti me bendin “Djemtë e Ulqinit“.

Në Javët e Kulturës Shqiptare ishin planifikuar 15 aktivitete, por për shkak të pandemisë dhe masave të rrepta në Austri, u pezulluan gjitha aktivitetet e tjera deri në lirimin e masave.

Për Flaka Gorancin, 2021 – vit i suksesshëm

Përkundër situatës me pandeminë e cila ka goditur sidomos artistët, për mezzosopranon e njohur shqiptare në Vjenë, viti 2021 ishte një vit i punës, me shumë koncerte, video regjistrime dhe sidomos realizimin e CD-së së dytë, një projekt për të cilin ka punuar rreth 3 vite rresht. “CD-ja me veprat e femrave kompozitore nga vendet e Lindjes së Mesme, Ballkanit dhe Perëndimit, me 11 muzikante, dy këngëtare dhe një dirigjent do të lansohet në vitin 2022 nga kompania e njohur “Naxos” në Gjermani”, thotë Flaka për albinfo.at.

Gjatë këtij viti Flaka ka realizuar edhe videoklipin e këngës “O vendi im”, i cili ishte dedikim për festën e 28 Nëntorit.

“Një këngë ikonë, të cilën e kam kënduar dhe luajtur në piano qysh si fëmijë. E lumtur, nga Vjena t’i këndoj vendit tim, atdheut tim…”, shprehet Goranci.

Flaka po ashtu ishte pjesë e koncertit inaugurues të “Operës së Kosovës”, mbajtur në muajin nëntor në Prishtinë.

Në kohë pandemie, hapet dyqani online Ekena.at

Viti 2021 nuk ishte edhe aq i lehtë për sektorin e bizneseve, sidomos ato të gastronomisë. Në Austri shumica e këtyre bizneseve më shumë ishin të mbyllura sesa të hapura. Por thënia e famshme që: “Bota ua takon të guximshmëve” duket që më së miri u përket afaristëve shqiptarë nga Vjena të cilët lansuan dyqanin online “Ekena.at” në Austri. Dyqani është i pari i tillë, shqiptar në tregun austriak i cili shet produktet shqiptare online. Ekena.at tashmë ka krijuar një emër të suksesit dhe përveç shitjes online, pronarët kanë bashkëpunime dhe bëjnë furnizimin e disa dyqaneve shqiptare nëpër Austri, si: “Limani Market” në Wels dhe së shpejti në Vjenë dhe “Sharri Market” në Wienër Neustadt.

Me hapjen e kësaj platforme të shitjes online, synohet të ndihmohet edhe Kosova duke mundësuar hapjen e rrugës për eksport. Përveç prodhimeve të Kosovës, në Ekena.at, mund të gjeni edhe prodhime të Maqedonisë së Veriut dhe të Shqipërisë.

Giacomo Vrioni, “Swarovski” i Tirolit

Një qytet, i cili është më i famshëm për Swarovskin sesa për futbollin. Tiroli është një skuadër që në këtë sezon po lufton për mbijetesë në Bundesligën e Austrisë, por te kjo skuadër është një lojtar i cili ka ringjallur entuziazmin e të gjithëve: Giacomo Vrioni.

Djaloshi me prejardhje shqiptare ishte pjesë e të rinjve të Juves sezonin e kaluar, ndërsa përvoja në Austri konsiderohet një barometër për cilësinë e tij. Vrioni ka pushtuar Austrinë, madje duke zbehur edhe atë me të cilën qyteti Wattens krenohet, Swarovskin. Vrioni deri tani ka shënuar 9 gola në 13 ndeshjet e kampionatit austriak dhe 2 gola në 2 ndeshjet e Kupës së Austrisë. Ai është duke u konsideruar një nga talentet më të mirë shqiptarë, dhe mendohet që sa më shpejt të jetë pjesë e ekipit të parë të Kombëtares së Shqipërisë.