Lajme

Çfarë do të ndryshojë në botë pas 20 janarit kur Trump e merr detyrën?

Më 20 janar 2025, Donald Trump do të marrë përsëri drejtimin e Shteteve të Bashkuara pas një periudhe katërvjeçare të administratës Biden, një ndërrim që pritet të sjellë ndryshime të mëdha në politikën amerikane dhe atë globale. Në vend të parashikimeve të sakta për zhvillimet e ardhshme, është më e dobishme të shqyrtojmë disa çështje kryesore që pritet të jenë në fokus.

Prioritetet e presidentit të ri

Trump do të nisë mandatin e tij me një avantazh të rëndësishëm: Partia Republikane kontrollon Kongresin dhe Senatin, një situatë që i ofron mundësinë të çojë përpara një agjendë ambicioze legjislative. Megjithatë, ai mund të ndeshet me disa pengesa, si mosmarrëveshjet brenda partisë dhe kufizimet buxhetore.

Një nga prioritetet kryesore pritet të jetë zgjatja e uljes së taksave të miratuara gjatë mandatit të tij të parë, të cilat skadojnë në fund të vitit 2025. Trump ka premtuar lehtësime tatimore që mund të arrijnë deri në 4 trilionë dollarë gjatë një periudhe 10-vjeçare. Ai gjithashtu synon eliminimin e kufizimeve mbi borxhin publik për të mundësuar financimin e projekteve të tij.

Për të mbuluar këto kosto, mund të kërkojë shkurtimin e shpenzimeve për energjinë e pastër dhe politikat sociale si Medicaid dhe arsimi publik, masa që mund të kenë ndikim negativ në zonat rurale, të cilat e mbështetën fuqishëm Trumpin në zgjedhje. Një tjetër burim financimi që ai mund të përdorë janë tarifat doganore ndaj Kinës dhe vendeve të tjera, por ekspertët argumentojnë se këto do të sjellin rritje të çmimeve për konsumatorët amerikanë.

Realizimi i premtimeve për emigracionin

Trump ka premtuar një plan të madh për dëbimin e emigrantëve të paligjshëm, një iniciativë që kërkon burime të mëdha financiare dhe politike, dhe do të ndeshet me kundërshtime nga publiku, bizneset dhe gjykatat. Për këtë arsye, është e mundur që ai të ndjekë një qasje më të thjeshtë për të zbatuar disa masa.

Trumpi mund të kufizojë vlefshmërinë e vizave, të rrisë tarifat dhe të zgjasë kohën e pritjes për emigrantët. Ai gjithashtu mund të ulë numrin e refugjatëve të pranuar dhe të rikthejë politikën që i detyron azilkërkuesit të presin në Meksikë gjatë shqyrtimit të kërkesave të tyre. Po ashtu, mund të ndërmarrë hapa për të eliminuar disa programe që mundësojnë migracionin e kontrolluar, duke ndryshuar rrënjësisht sistemin aktual.

Megjithatë, disa faktorë jashtë kontrollit të tij mund të ndikojnë në fluksin e emigrantëve. Nëse ekonomia amerikane ngadalësohet, mund të ketë më pak emigrantë që kërkojnë punë, ndërsa kriza si ajo në Venezuela mund të shkaktojë rritje të flukseve migratore drejt SHBA-së, duke sjellë sfida të reja.

Qëndrimi i SHBA-së ndaj klimës

Trump ka premtuar tërheqjen e SHBA-së nga marrëveshjet ndërkombëtare për klimën dhe rritjen e mbështetjes për energjitë tradicionale, si nafta dhe gazi. Nëse realizohen këto premtime, pritet një rritje e emetimeve të karbonit dhe një rënie e investimeve në energji të rinovueshme.

Megjithatë, politika energjetike është e lidhur ngushtë me tregjet globale dhe faktorë të jashtëm si çmimet e naftës dhe kërkesat e OPEC. Po ashtu, politikat si “Inflation Reduction Act” kanë sjellë përfitime të konsiderueshme në shumë zona republikane, duke e bërë të vështirë për Trumpin të shfuqizojë këto politika pa pasoja politike.

Pavarësisht përpjekjeve të administratës Biden për të ndihmuar në kalimin drejt energjisë së pastër, SHBA mbetet prodhuesi kryesor i naftës dhe gazit në botë, dhe kjo situatë pritet të vazhdojë gjatë administratës Trump.

Miliarderët dhe ndikimi në qeverisje

Roli i miliarderëve si Elon Musk dhe të tjerë në administratën Trump do të jetë i fortë. Musk ka përdorur platformën e tij sociale për të ndikuar në politikat publike dhe ka kundërshtuar disa vendime të administratës. Gjithashtu, Trump ka emëruar disa miliarderë në poste të larta, duke rritur ndikimin e tyre në procesin vendimmarrës.

Kjo mund të krijojë tensione brenda Partisë Republikane dhe të shkaktojë konflikte ndërmjet Shtëpisë së Bardhë dhe Kongresit. Për më tepër, ndërhyrja e miliarderëve mund të ketë pasoja destabilizuese për institucionet amerikane dhe mund të ndikojë në politikën e brendshme dhe atë të jashtme.

Siguria globale nën administratën Trump

Trump ka premtuar të zgjidhë kriza ndërkombëtare si ajo në Ukrainë, por politika e tij e jashtme është kritikuar për qasje kontradiktore. Ai preferon marrëveshje bilaterale dhe ka një simpati të dukshme për autokratët, gjë që mund të krijojë tensione në skenën ndërkombëtare.

Kriza në Ukrainë, tensionet me Kinën për Tajvanin dhe ambiciet bërthamore të Iranit do të jenë teste të rëndësishme për aftësinë e Trump për të menaxhuar politikën e jashtme. Po ashtu, ai pritet të përballet me sfida të paparashikuara që mund të ndikojnë në dinamikën globale.

Një nga çështjet kyçe do të mbetet çështja e armëve bërthamore. Politikat e Trump gjatë mandatit të tij të parë, si dështimi për të frenuar programin bërthamor të Koresë së Veriut dhe tërheqja nga marrëveshjet me Iranin, kanë krijuar paqartësi për qëndrimin e tij ndaj kërcënimeve bërthamore. Siç ka shkruar James M. Lindsay, mbajtja e një qëndrimi të paangazhuar ndërsa premton ndërhyrje të ashpra kundër kundërshtarëve mund të funksionojë gjatë fushatës, por do të jetë më e vështirë në qeverisje/euronews