Lajme

Ceremoni modeste shtetërore për trevjetorin e pavarësisë

Me rastin e trevjetorit të shpalljes së Pavarësisë, ushtruesi i detyrës së presidentit, Jakup Krasniqi organizon ceremoninë shtetërore, ku janë ftuar të marrin pjesë përfaqësuese të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, kori diplomatik i akredituar në Kosovë, përfaqësues të partive politike, personalitete të shquara të vendit si dhe përfaqësues të shoqërisë civile dhe të medieve.

Qeveria në largim nuk ka planifikuar ndonjë aktivitet të organizuar institucional për të shënuar përvjetorin e tretë të shpalljes së pavarësisë.

Zëdhënësi i Qeverisë në largim, Memli Krasniqi ka thënë ditë më parë për mediat se mungesa e institucioneve të reja ka bërë që ekzekutivi të mos ketë hartuar ndonjë agjendë për hir të trevjetorit të pavarësisë.

Drejtoresha për Kulturë, Sport dhe Rini në Komunën e Prishtinës, Vlora Dumoshi, ka thënë se udhëheqja e kryeqytetit për shënimin e përvjetorit të tretë të pavarësisë ka ndarë një shumë në vlerë prej shtatë mijë eurosh. Ajo ka bërë me dije se për ta festuar sa më mirë trevjetorin e pavarësisë, Komuna e Prishtinës të ketë filluar përgatitjet që afro një muaj.