Kosova

Çerdhe falas për tri kategori, Kurti: Edukimi i hershëm i fëmijëve është projekt strategjik

Qeveria e Kosovës prezantoi pilotimin e Programit të Kuponëve, në kuadër të Projektit “Edukimi dhe kujdesi në fëmijërinë e hershme për kapitalin njerëzor të Kosovës”.

Përmes këtij programi synohet rritja e përfshirjes në edukim për tri kategori të fëmijëve; ata nga familje me asistencë sociale, me nevoja të veçanta si dhe të komuniteteve romë, ashkalinj dhe egjiptian.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka vlerësuar si shumë të rëndësishëm këtë program, i cili do ta mbulojë pagesën për çerdhe dhe transporte, e qe financohet nga partneriteti me Bankën Botërore.

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbëri Nagavci tha se përmes këtij programi po hidhet hapi i parë konkret në mënyrë që fëmijët e familjeve me asistencë sociale të kenë qasje në edukim të hershëm.

Sipas Ministrisë së Arsimit Projekti do të nisë fillimisht të zbatohet në Kryeqytetin Prishtinë, Lipjan, Prizren dhe Gjilan.