Shqipëria

A cenon Vota anti Trump marrëdhëniet SHBA – Shqipëri?

Kreu i shtetit, Ilir Meta i ka dërguar të premten, (22.12.2017) një letër presidentit amerikan Trump, ku shpreh keqardhjen për votën e Shqipërisë në favor të rezolutës.

Vota e Shqipërisë në OKB kundër rezolutës amerikane ka trazuar politikën shqiptare. Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta theksoi se vota e qeverisë nuk pasqyron qëndrim shtetëror.

Shqipëria iu bashkua 128 vendeve anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, (OKB) që të enjten (20.12.2017) votuan në Asamblenë e Përgjithshme të OKB pro një Rezolute jo detyruese, që i bën thirrje presidentit Trump të tërheqë vendimin e tij për të njohur Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit dhe transferojë atje ambasadën e SHBA. Por vota pro e Shqipërisë është kundërshtuar nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta dhe opozita, shkruan deutsche welle.

Kreu i shtetit i ka dërguar të premten, (22.12.2017) një letër presidentit amerikan Trump, ku shpreh keqardhjen për votën e Shqipërisë në favor të rezolutës.

”Kjo votë nuk pasqyron qëndrimin dhe vullnetin e popullit dhe kombit shqiptar dhe është dhënë pa asnjë konsultim paraprak me institucionin e Presidentit dhe Parlamentit. Ky qëndrim i qeverisë bie ndesh me marrëdhëniet e partneritetit tonë strategjik dhe interesat tona kombëtare”, vë në dukje Presidenti Meta në letrën drejtuar Presidentit Trump.

Zëdhënësi i Presidentit Meta, Tedi Blushi, e komentoi si “votë tërësisht të panevojshme, që nuk pasqyron një qëndrim shtetëror dhe aq më tepër një qëndrim dhe konsensus ndërkombëtar.”

Edhe opozita kundërshton votën pro rezolutës të qeverisë Rama. Kryetari i saj, Lulzim Basha e cilëson një vote ”kundër interesit kombëtar të shqiptarëve dhe të ndryshme nga qëndrimi që Shqipëria ka konsoliduar në 27 vite për ҫështjet e Lindjes së Mesme. Për herë të parë Shqipëria rreshtohet me qëndrimin e shumicës së vendeve të BE, që është një qëndrim i gabuar,” bëjnë me dije burime zyrtare nga PD opinionin e Bashës. Domosdoshmërinë e një qëndrimi jo anti Trump Basha e argumenton citoj ”SHBA janë aleat strategjik për Shqipërinë. Pa SHBA, Kosova nuk do të ishte sot as e lirë, as e pavarur. Pa SHBA, Shqipëria nuk do të ishte anëtare e NATOs”.

Ministria e Jashtme: Vota pro Rezolutës – qëndrim  në linjë me BE

Por Ministria për Europën dhe Politikën e Jashtme e quan votën pro Rezolutës një qëndrim të drejtë. “Vota e Shqipërisë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB reflekton pozicionin e saj të pandryshuar për këtë ҫështje. Qëndrimi i Shqipërisë për çështjen Izrael-Palestinë mbetet i pandryshuar prej vitit 1990. Shqipëria i është përmbajtutr konsensusit mbi Jeruzalemin, bazuar në një numër të konsiderueshëm dokumentash të OKB, përfshirë edhe një numër të Rezolutave të Këshillit të Sigurimit. Ajo i është bashkuar pozicionit të përbashkët të shumicës dërrmuese të vendeve anëtare të BE, duke i qëndruar koherente qëndrimit të saj në të njëjtën linjë me atë të BE”, theksohet në një njoftim për shtyp të kësaj ministrie.

Ekspertët thonë se nuk pritet prishje e raporteve

Edhe pse rezoluta anti Trump mori votën pro të 128 vendeve, që përbëjnë një shumicë dërrmuese në OKB, SHBA e bllokuan rezoluten me anë të së drejtës së vetos. Kjo në Shqipëri ka përforcuar shqetësimin ndaj paralajmërimit të SHBA, “se do t’iu ndërpresë mbështetjen financiare vendeve që i dolën kundër””. Ekspertë vendas dhe të huaj të politikës së jashtme dhe të marrdhënieve mes dy vendeve mendojnë që këto marrëdhënie nuk do të cënohen. Për Ferit Hoxhën, ish-ambasador i Shqipërisë pranë Kombeve të Bashkuara marrëdhëniet Shqipëri-SHBA mbeten solide dhe vota pro rikonfirmon votën e mëparshme lidhur me një “konsensus ndërkombëtar që përcakton konturet e konsensusit të paqes”.