Bota

CDU dhe SPD kryesojnë në zgjedhjet gjermane

Partitë CDU dhe SPD, sipas prognozave të para, mbeten partitë kryesuese në renditje, por kanë pësuar humbje të ndjeshme në zgjedhjet e landeve në Brandenburg dhe Saksoni.

Në Saksoni, partia qeverisëse, CDU, del fituese në zgjedhjet e landit, duke marrë sipas llogaritjeve të para 33,1% të votave, por ka pësuar humbje të ndjeshme.

E dyta renditet partia populiste e djathtë, AfD me 27,5% të votave. E Majta fiton 10,5% të votave, Të Gjelbrit 8,3%, kurse socialdemokratët bien në vlerën më të ulët historikisht, duke marrë vetëm 8% të votave.

Kurse në Brandenburg, SPD del me 27,2% të votave partia kryesore, por me humbje të ndjeshme, kurse partia AfD dyfishon rezultatin duke marrë 22,7%.

Partia liberale FDP qëndron nën 5%, e nuk do të përfaqësohet sërish në parlamentet e dy landeve.

Me gjasë të dy kryeministrat, si ai i Saksonisë, Michael Kretschmer, CDU dhe ai socialdemokrat në Brandenburg, Dietmar Woidke, do të vazhdojnë të qeverisin, por si koalicioni i Kretschmerit, ashtu edhe qeveria e Woidkes me të Majtët nuk krijojnë dot më shumicën.

Që të dy politikanët kanë nevojë për koalicione trepartiake për të qeverisur. Një koalicion me AfD e kanë përjashtuar kategorikish të dy kryeministrat e landeve, shkruan dw, përcjell Albinfo.ch.