Lajme
CDC: Varianti Delta mund të përhapet aq lehtë sa lija e dhenve
Sipas gazetave The Washington Post dhe The New York Times, Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve pritet të bëjnë publik të premten një dokument të brendshëm të agjencisë lidhur me variantin Delta të koronavirusit, ku thuhet se ai mund të përhapet po “aq lehtë sa lija e dhenve”, nga persona të vaksinuar dhe të pavaksinuar.
Gazetat njoftuan se dokumenti është një prezantim që u është shpërndarë zyrtarëve të CDC-së. Prezantimi detajon vështirësitë që agjencia ka hasur për të bindur disa komunitete që të vaksinohen dhe të mbajnë maska.
Zyrtarët e CDC-së këshillohen që të përcjellin mesazhe publike që “theksojnë se vaksinimi është mbrojtja më e mirë kundër një varianti aq ngjitës, që vepron pothuajse si një lloj i veçantë koronavirusi, duke kaluar nga një individ tek tjetri më shpejt se Ebola ose ftohja e zakonshme”.
Ndërsa varianti Delta i virusit që shkakton COVID-19 përhapet me shpejtësi në të gjithë vendin, Presidenti amerikan Joe Biden ka njoftuar se punonjësit federalë duhet të vaksinohen ose t’u nënshtrohen testimeve të rregullta dhe të mbajnë maska.
“Çdo punonjësi të qeverisë federale do t’i kërkohet të dëshmojë statusin e vaksinimit,” tha Presidenti Biden të enjten në një fjalim në Shtëpinë e Bardhë. “Atyre që nuk e dëshmojnë këtë ose nuk janë të vaksinuar do t’u kërkohet të venë maskën, pavarësisht se ku punojnë, të testohen një ose dy herë në javë për të parë nëse kanë marrë COVID-in, të ruajnë distancën fizike dhe në përgjithësi nuk do të lejohen të udhëtojnë për punë”.
Qeveria federale punëson më shumë se 4 milionë amerikanë, duke përfshirë mbi 2 milionë si fuqi punëtore federale civile, thuhet në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë.
Të njëjtat standarde do të zbatohen për kontraktorët federalë, shtoi presidenti Biden.
Në Filipine, Presidenti Rodrigo Duterte njoftoi masat e bllokimit të premten për rajonin e kryeqytetit Manila, me 13 milionë njerëz. Lëvizja bëhet për të frenuar përhapjen e variantit Delta të koronavirusit. Bllokimi do të hyjë në fuqi duke filluar nga 6 gushti dhe do të zgjasë deri më 20 gusht.
Sipas gazetës të përditshme japoneze Asahi Shimbun qytetet fqinje me Tokion po vendosen në gjendje të jashtëzakonshme nga 2-31 gushti. Tokio, ku aktualisht po mbahen Lojërat Olimpike, dhe Okinawa tashmë janë vendosur në gjendje të jashtëzakonshme për shkak të përhapjes së koronavirusit.
Saitama, Chiba, Kanagawa dhe Osaka janë prefekturat e reja që u imponohet gjendja e jashtëzakonshme.
Japonia ka raportuar një numër rekord të rasteve të përditshme me COVID pasi vendi mirëpriti Lojërat Olimpike në Tokio.
Gazeta Asahi Shimbun njoftoi të enjten vonë se Japonia kishte më shumë se 10,000 raste ditore të koronavirusit, hera e parë që numërimi ditor i vendit ka tejkaluar 10,000. Tokio kishte 3,865 infeksione, nga 3,177 që raportoi një dite më parë. Gazeta njoftoi gjithashtu se 24 persona të lidhur me Lojërat Olimpike testuan pozitivë për COVID-19, përfshirë tre atletë, duke e çuar totalin në 193 persona të lidhur me Lojërat që kanë rezultuar pozitivë me COVID-19.
Zyrtarët e OBSH-së janë të shqetësuar se 47 nga 54 vendet e Afrikës do të humbasin objektivin e shtatorit për të vaksinuar 10% të popullsisë së tyre, një synim i vendosur në fillim të këtij viti nga Asambleja Botërore e Shëndetësisë, organi më i lartë në botë që përcakton politikat shëndetësore. Afrika ka administruar më pak se 1% të më shumë se 4 miliardë dozave të vaksinave të administruara në nivel global.
Shumë vende të Amerikës Latine gjithashtu kanë mbetur prapa. Ky rajon, së bashku me Karaibet, ka pasur 1.25 milionë vdekje të lidhura me COVID-19 dhe po përpiqet të sigurojë vaksinat e nevojshme nga ato vende. Ndërsa Argjentina, Brazili dhe Uruguai kanë vaksinuar rreth 50% të popullsisë së tyre, shumica e vendeve të tjera kanë arritur të vaksinojnë vetëm rreth 30% – me Hondurasin, Guatemalën dhe Venezuelën që kanë vaksinuar më pak se 10% të popullësisë.
Shtetet e Bashkuara dërguan miliona doza vaksinash në Amerikën Latine në fillim të këtij muaji si pjesë e angazhimit të Presidentit Biden për t’i dhënë fund pandemisë në gjithë globin. Sipas Shtëpisë së Bardhë, janë dërguar një milion doza të vaksinës Johnson & Johnson në Bolivi, një milion doza të Pfizer-it në Paraguaj dhe 1.5 milion doza të Modernës në Guatemalë.
Në mbarë globin, vetëm 1.1% e njerëzve në vendet me të ardhura të ulëta kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës.
Qendra Johns Hopkins raportoi 196,634,210 infeksione globale me COVID të premten herët.
E-Diaspora
-
Osmani në Kanada takoi shqiptarë që janë rrëfime suksesi Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani gjatë qëndrimit në Halifax, Kanada, ka takuar shumë shqiptarë...
-
Arianit Besiri fiton zgjedhjet, nga marsi – kryetar bashkie në Gjermani
-
Konsullata e Republikës së Kosovës në Cyrih hap dyert për bashkatdhetarët
-
Urim Dakaj, edhe një mandat në Asamblenë e Neuhausenit
-
Klodina Guraziu e para shqiptare e zgjedhur në asamblenë e komunës Rebstein
Jeta në Zvicër
-
Çfarë do të thotë ndalimi i mbulimit të fytyrës për turizmin? Sipas shoqatave të turizmit, ligji i ri nuk ka gjasa të ketë ndonjë ndikim në numrin...
-
Google feston 20-vjetorin në Zvicër
-
Pezullohet projekti i trenave të natës ndërmjet Cyrihut dhe Barcelonës
-
Çfarë do të ndryshojë vota zvicerane për financimin e trajtimeve shëndetësore?
-
Urim Dakaj, edhe një mandat në Asamblenë e Neuhausenit