Kosova

Caritasi Zviceran në Kosovë ndihmon bletarët e Shtërpcës

Paketat e granteve mbulohen 50% nga Caritasi Zviceran, 35% nga komuna e Shtërpces dhe 15% nga bletarët.

Caritasi Zviceran në bashkëpunim me Komunën e Shtërpcës është duke mbështetur 15 bletarë, 9 nga komuniteti serb dhe 6 nga komuniteti shqiptar nga Shtërpca me paketa granti për prodhimin e mjaltit dhe pajisjeve për bletari.

Në këto grante janë shpërndarë materialet thelbësore si koshere bletësh LR, centrifugë elektrike, kulluese mjalti, depozitë për grumbullimin e mjaltit, vaska për heqjen e kapakëve të mjaltit, fletë dylli dhe materiale të tjera, duke u mundësuar bletarëve prodhimin e mjaltit në përputhje me standardet e kërkuara.

Janë dorëzuar paketa granti të kompletuara dhe të përbëra nga të gjitha materialet e nevojshme për prodhim dhe ekstraktimin e mjaltit, duke lehtësuar punën e bletarëve që të fokusohen kryesisht në prodhimin cilësor, ka bërë të ditur  Caritasi Zviceran në Kosovë, përmes faqes zyrtare në Facebook, përcjell albinfo.ch.

Në ceremoninë e shpërndarjes morën pjesë Vera Haag Arbenz, drejtoresha e Caritasit Zviceran në Kosovë dhe  Rodoljub Mladenoviq, drejtor për Zhvillim Ekonomik, Bujqësi, Turizëm dhe Pylltari nga Komuna e Shtërpcës.