Lajme
Campestrini: Shëndeti, një e drejtë për të gjithë fëmijët
“Unë shpresoj me gjithë zemër që për pacientët e vegjël kosovarë të fillojë një kapitull i ri në mjekësi. E drejta e shërbimit mjekësor vlen për çdo individ në këtë botë njësoj”
Elisabeth Campestrini-t i shkruaja herën e parë në shqip, duke mos e ditur që është austriake. Mbështetja dhe prezenca e saj në komunitetin shqiptar më bëri të besoj pa vetëdije se është, në fakt, shqiptare. Elisabeth ka një personalitet magjepsës, ajo ka luftuar që në moshë të re për të drejtat e njeriut dhe për njerëzit vetë. Mbas mbarimit të Fakultetit Juridik, Elisabeth është përqendruar menjëherë tek puna me refugjatë që kanë migruar në Austri.
“Përvojat e para kanë ndikuar shumë tek unë. Kam pasur gjithnjë respekt të madh kundrejt energjisë dhe dinjitetit me të cilin këta njerëz kanë arritur të përpunojnë fatet e tyre ndonjëherë aq të tmerrshme”, tregon ajo për albinfo.at.
„Stacionet“ e mëtejshme të punës së saj kanë qenë qëndrime jashtë Austrisë, si p.sh.: në Nju Jork për OKB-në, në Gjenevë si përfaqësuese e të drejtave të njeriut për Ministrinë e Jashtme të Austrisë, angazhim dhe punë për OJQ të ndryshme dhe më vonë si këshilltare e pavarur në sektorin e zhvillimit të shëndetësisë për institucione dhe firma të shumta. Ajo ka gjithashtu dhe një master në “Menaxhimin Shëndetësor Ndërkombëtar”. Elisabeth është anëtare e kryesisë së “Shoqatës e Miqësisë Austri – Kosovë” që nga viti 2016.
Anëtarët e “Shoqatës së Miqësisë Austri – Kosovë” bëjnë një punë të pashembullt: “Ne punojmë të gjithë si anëtarë vullnetarë dhe pa rrogë për këtë shoqatë. Dëshira më e madhe është të përmirësohet sistemi shëndetësor në Kosovë sa më shpejt. Së bashku – me iniciativë të kryetarit të shoqatës, z. Lukas Mandl, kemi mundur t´ia parashtromë temën e shëndetësisë në Kosovë dhe Presidentit Van der Bellen, i cili na ka shprehur dhe premtuar mbështetjen e tij në këtë kauzë”.
Puna e saj në Kosovë
Për herë të parë Elisabeth e ka njohur Kosovën menjëherë pas luftës, në vitet 2002 deri 2004, si e deleguar e të drejtave të njeriut për OSBE-në në Gjilan.
“Ajo kohë ka qenë për mua shumë interesante dhe njëkohësisht shumë e vyer. Së pari, për mua si juriste ka pasur rëndësi të madhe arsyeja pse njerëzit kanë migruar. Që nga arritja ime në Kosovë dhe gjatë gjithë kohës atje, më janë hapur dyert kudo, e kam ndjerë veten menjëherë si në shtëpi dhe kjo ma ka lehtësuar në masë të konsiderueshme punën. Një gjë që unë e vlerësoj tek shumë të huaj dhe që njëkohësisht më bën të reflektoj, është fakti se disa austriakë janë shumë pak të hapur dhe refuzues kundrejt të huajve”, shprehet ajo.
Puna e asaj kohe ka qenë me vëmendje në ndërtimin e një “Shtëpie të gruas” për gra të rëna pre të dhunës. Campestrini thekson se për të, bashkëpunimi me ekspertë nga vendi ku punohet si doktorë, punonjës socialë, politikanë, përfaqësues të OJQ-ve dhe ekonomistë ka prioritet të lartë për të rritur cilësinë e punës.
Kjo është një bazë tejet e rëndësishme, shpjegon ajo: “Në kuadër të punës ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm që nga fillimi mungesa e kujdesit mjekësor për gra dhe fëmijë. Bashkëpunimi me ekspertët kosovarë ka ndikuar që të punohet më shpejt dhe me efikasitet duke shfrytëzuar njohjen nga më afër të njëri-tjetrit, sidomos për të përforcuar besimin. Bisedat pas pune në një mbrëmje të përbashkët ku kemi gatuar gjëra tradicionale apo udhëtimet së bashku në Austri kanë ndikuar në efikasitet, por edhe në një lidhje të ngushtë duke krijuar dhe miqësi që vlejnë deri më sot”. Sa më mirë të njihet një popull, aq më shumë mund të vihesh në vendin e tij, duke realizuar një ndihmë në shumë nivele.
Dashuria e veçantë për Kosovën
Siç ndodh shpeshherë në jetë, ne prekemi nga ngjarje të veçanta. Gjatë punës në “Shtëpinë e gruas” 2003-2004 Elisabeth ka njohur drejtorin e Departamentit Shëndetësor të Gjilanit, i cili është mjek pediatër. Ai ka parashtruar kërkesën për ndihmë të një fëmije të sëmurë me kancer, pasi ajo kishte lidhje dhe mundësi nëpërmjet kontakteve të saj për të shpëtuar jetën e tij.
“Sigurisht, unë pranova menjëherë dhe ne mblodhëm një grup të madh nga Kosova, Austria, Gjermania dhe Shqipëria. Ky grup bëri me të vërtetë të pamundurën! Por Shëndriti i vogël e humbi luftën kundër sëmundjes pas një viti përpjekjesh. Ai la pas jo vetëm trishtimin, por dhe ndjesinë e pafuqisë dhe të them të drejtën pak mllef. Pse nuk janë përdorur paratë ndërkombëtare të dhëna ne vitin 1999 për të siguruar një kujdes shëndetësor me dinjitet? A nuk vlen kujdesi për shëndetin si e drejtë njeriu themelore për të gjithë?”,- pyet Campestrini me të drejtë.
Shtyllat kryesore të projekteve shëndetësore
Elisabeth është njohur me problematikat, sfidat dhe kompleksitetin e sistemit shëndetësor ne Kosovë në kuadër të një disertacioni me titull „Zhvillimi i sistemit shëndetësor në Kosovë: Sfida dhe potenciale“.
Sfidat janë të shumta sidomos për shkak të gjendjes së mjerë në sektorin e mjekësisë, realisht nevojitet një ristrukturim rrënjësor në shumë drejtime. Për të realizuar këtë qëllim kanë startuar disa projekte të cilat mund të ndihmojnë më shpejt dhe me efikasitet.
Telemjekësia: „Nëpërmjet telemjekësisë, për më tepër në kohën e koronës, mund të realizohen ndryshime të mëdha. Komunikimi dixhital bën të mundur që ekspertët të punojnë nga distanca të mëdha, duke u këshilluar shpesh duke arritur në një diagnostikim të dyfishtë për pacientin. Lidhja midis mjekëve në vend, atyre në Austri dhe në diasporë dhe institucioneve përkatëse mundëson transferim optimal njohurish duke i krijuar pacientëve një shërbim më të mirë. Këtu përdoret përvoja e gjatë austriake e cila adaptohet me nevojat në vend për ta rritur nivelin e shërbimit drejt atij austriak. Kemi dëshirë ta realizojmë këtë në sektorin e pediatrisë dhe më pas në sektorë të tjera“ ,- shpjegon më tej Campestrini.
Projekti i librezës “Nënë – fëmijë”
Ideja e projektit të librezës “Nënë – fëmijë” ka lindur në bazë të shembullit austriak dhe përfshin vizita të rregullta për nënat gjatë shtatzënisë si dhe për fëmijët deri në moshën 5 vjeç e 2 muaj. Duke qenë se kjo strukturë do të mbështetet dhe nga institucionet, ajo do të mbulojë vizitat mjekësore si dhe analizat për të gjithë nënat dhe fëmijët, pavarësisht nga gjendja e tyre financiare. Kjo librezë duhet të vlejë për të gjithë, pa dallime. Fokusi do të jetë gjithashtu dhe te minoritetet në Kosovë si romët, ashkalitë dhe egjiptianët, për të përmirësuar shëndetin e fëmijëve, pasi tek këto grupe kjo është e evidentuar. Të gjithë prindërit duan të kenë fëmijë të shëndetshëm. Për sa u përket shërbimeve mjekësore, këtu do të jetë e mundur një mbështetje nga mjekë austriakë pediatër, duke përdorur telemjekësinë.
„Konkretisht qëllimi i pasaportës është një rritje e standardit mjekësor drejt nivelit austriak. Fatkeqësisht në Kosovë ekzistojnë shumë sëmundje, shkaqet e të cilave burojnë nga situata e ambientit të ndotur dhe pak optimal. Për këtë arsye është konstatuar në vitet 2013 dhe 2014 nga OBSH/ja dhe Banka Botërore një korrelacion i fuqishëm midis gjendjes ambientaliste dhe sëmundjeve pediatrike. Në këtë drejtim është punuar shumë pak, gjë që e vështirëson situatën edhe pse Kosova ka ekspertë dhe mjekë shumë të mirë. Tek fëmijët ka raste të shpeshta astme, karnizomë të mushkërive dhe leukemi. Këtu ka ende shumë punë për tu bërë“, shprehet Campestrini.
box
Hapat e ardhshëm
Projekti i librezës “Nënë – fëmijë” duhet të realizohet në bashkëpunim dhe mbështetje të përfaqësuesve qeveritarë në Kosovë sa më shpejt që të jetë e mundur. Më pas konsiderohet që projekti të zgjerohet dhe për vendet fqinje, si: Shqipëria apo Maqedonia e Veriut. Gjëja më e rëndësishme do të jetë që ky projekt të arrijë dhe përfshijë sa më shumë nëna dhe fëmijë. E gjitha kjo do të përforcohet nëpërmjet proceseve kurative pediatrike, sidomos dhe në përdorim të telemjekësisë.
„Situatën shëndetësore në Kosovë e kemi biseduar së bashku me përfaqësues të Fakultetit të Mjekësisë të Vjenës, të Odës së mjekëve Austri, të GOEG (Gesundheit Österreich GmbH), të Ludwig-Boltzmann-Institut në kuadër të Patient Safety dhe Digital Health. Shumë nga këta përfaqësues e kanë vizituar personalisht Kosovën. Për momentin ka prioritet starti i shpejtë i punës. Unë shpresoj me gjithë zemër që për pacientët e vegjël kosovarë të fillojë një kapitull i ri në mjekësi. E drejta e shërbimit mjekësor vlen për çdo individ në këtë botë njësoj“.
E-Diaspora
-
Simpozium me ligjerata mjekësore në Gjenevë dhe Cyrih! Kryesia e Lidhjes së Mjekëve Shqiptarë në Zvicër me datën 19 janar në Cyrih dhe me...
-
Panikë në aeroplanin që udhëtonte nga Prishtina në Halmstad, turbulencat e mëdha shkaktuan probleme në frymëmarrje
-
24 orë në ditë në shërbim të pacientit: Spitex Mednest24
-
Gjermania me numrin më të lartë të votuesve jashtë Kosovës
-
Ja si mund të votoni nga jashtë!
Jeta në Zvicër
-
Zvicër: Parashikimi i motit në fundjavë: ‘Brrrrr’ Për këtë fundjavë, parashikimet bëjnë thirrje për temperatura të ngrira pothuajse kudo në Zvicër, përveç Ticino-s,...
-
Zvicër: Ilaçet me bazë aspirina janë në mungesë
-
Renditja: Qytetet më të mira dhe më të këqija zvicerane për bllokimin e trafikut
-
Kombësia ka ndikim në pagat në Zvicër
-
Simpozium me ligjerata mjekësore në Gjenevë dhe Cyrih!