Shkurt.ch

Calmy-Rey pret ministrin e jashtëm kinez

Kina është partneri më i rëndësishëm ekonomik i Zvicrës në Azi. Eksportet e saj në Kinë arrijnë në 5.5 miliardë franga

Presidentja e Zvicrës, Micheline Calmy-Rey ka pritur sot në Bernë ministrin kinez të punëve të jashtme Yang, i cili gjendet në një vizitë zyrtare në Zvicër.

Sipas një komunikate për medie, të dërguar nga Departamenti për Punë të Jashtme i Qeverisë, gjatë këtij takimi është biseduar lidhur me tema të ndryshme bilaterale dhe ndërkombëtare.

Ndër temat bilaterale kanë qenë negociatat në vazhdim lidhur me një marrëveshje për tregtinë e lirë, në mes të Zvicrës dhe Kinës. Komunikata thekson po ashtu se Calmy-Rey dhe Yang kanë biseduar edhe lidhur me çështjen e të drejtave të njeriut në Kinë.

Kina është partneri më i rëndësishëm ekonomik i Zvicrës në Azi. Gjatë vitit 2009 Zvicra, sipas departamentit të jashtëm, ka eksportuar në Kinë mallra dhe shërbime në vlerë prej 5.5 miliardë frangash, ndërsa importet nga Kina kanë qenë 5.2 miliardë franga.