Lajme

Calmy-Rey: Do t’i shtojmë ndihmat për Kosovën

Presidentja e Konfederatës së Zvicrës, Micheline Calmy-Rey ka deklaruar për të përjavshmen zvicerane Zentralschweiz am Sonntag se Berni zyrtar ka ndërmend të shtojë ndihmat për Kosovën.

Në numrin e së dielës të kësaj të përjavshme Calmy-Rey ka deklaruar që nuk do të ketë as kthesë dhe as ndalim nga rruga e deritashme e Zvicrës kur politika ndaj Kosovës është në pyetje.

Zentralschweiz am Sonntag bën të ditur që edhe përkundër aprovimit të rezolutës për raportin e parlamentarit zviceran Dick Marty në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Evropës, por edhe publikimit të “raporteve sekrete të NATO-s” për figura kyçe të politikës në Kosovë, presidentja Calmy-Rey, që njëherësh është edhe shefe e diplomacisë zvicerane, është duke u “shikuar”  nëse ka mundësi, dhe nëse po, cilat do të ishin ato që t’i shtohet ndihma misionit evropian në Kosovë “EULEX”-it me resurse dhe ekspertiza.

“Pastaj do të shihet nëse mund të shtohen ndihmat për Misionin e BE-së në Kosovë”, ka thënë ajo.

E pyetur nëse vendimi për njohjen e Kosovës nga ana e Zvicrës ishte i ngutshëm Calmy- Rey ka thënë se “vendimi për ta njohur Kosovën do të thotë të njihet një shtet dhe kjo nuk ndërlidhet me persona të caktuar”.