Integrimi

Cakaj: Po punojmë që patentë shoferët të njihen në Gjermani e Zvicër

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Gent Caka, ka shprehur shqetësimin e tij për vështirësitë që kanë shqiptarë për njehsimin e lejeve të drejtimit të automjeteve nëpër botë.

 

Lejet për drejtim automjeti të lëshuara nga autoritetet shqiptare aktualisht njihen nga Belgjika, Kroacia, Maqedonia e Veriut, Serbia e Mali i Zi.

 

Cakaj ka shkruar se janë dy procese paralele në zhvillim e sipër për pranimin e lejeve të drejtimit të automjeteve nga Italia dhe Greqia.

Ndërsa për mosnjohjen e patentë shoferëve nga shteti gjerman, ministri Cakaj ka thënë se pala shqiptare ka dorëzuar gjithë dokumentacionin e nevojshëm teknik pranë autoriteteve gjermane, transmeton albinfo.ch.

 

“Sidoqoftë, marrëveshja për njohjen e lejeve të drejtimit mund të bëhet vetëm pas vlerësimit dhe miratimit paraprak të të gjithë landeve gjermane. Në këtë kuptim, kalimi i marrëveshjes për njohjen e lejeve të drejtimit është një proces që varet nga vlerësimet dhe procedurat e brendshme të institucioneve përkatëse në Gjermani. Pavarësisht kësaj, duke pasur parasysh se njohja e lejeve të drejtimit në Gjermani kërkon kohën e saj objektive, pala shqiptare ka paraqitur kërkesën për njohjen e gjuhës shqipe për provimin e marrjes së lejes së drejtimit gjermane. Po ashtu, kjo është një çështje që tashmë varet prej veprimeve të autoriteteve gjermane”, ka shkruar Cakaj.

 

Cakaj ka njoftuar se ekzekutivi shqiptar ka përcjellë propozimet për marrëveshje të ngjashme me Bullgarinë, Francën, Bosnjë dhe Hercegovinën, Turqinë, Spanjën, Austrinë, Australinë, Mbretërinë e Bashkuar, Holandën, Rumaninë, Slloveninë, Poloninë, Portugalinë, Zvicrën dhe Kanadanë.