Shqipëria

Cakaj flet si ministër i Jashtëm, u përgjigjet kritikëve

Gent Cakaj ka marrë detyrat nga Edi Rama si ministër i Jashtëm. Ai është vetëm 28-vjeçar

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë ceremonisë së marrjes së detyrës si ministër i Jashtëm, ka treguar se nuk do të jetë ai që do ta drejtojë këtë institucion, por Gent Cakaj.

“Është fjala më e shkurtër në jetën time. Unë në funksionin tim si ministër i Jashtëm i delegoj zotit Gent Cakaj drejtimin e kësaj ministrie dhe përfaqësimin në institucionet ndërkombëtare”, u shpreh Rama, raportojnë mediat shqiptare.

Kandidatura e Cakajt në postin e ministrit të Jashtëm të Shqipërisë shkaktoi përplasje në distancë dhe prodhoi deklarata mes Ramës dhe Metës, pasi nga Presidenti refuzoi që ta dekretonte, përcjell albinfo.ch.

Gent Cakaj, personi të cilit iu delegua detyra e ministrit të Jashtëm nga Edi Rama, iu përgjigj kritikave që ka marrë kohët e fundit, që kur emri i i tij u propozua nga kryeministri për të mbajtur postin e kreut të diplomacisë.

“Pas kalimit të valës së parë të zjarrit të pakursyer për mua, ndjehem disi më i lehtësuar, kjo mbi të gjitha për një shkak tepër të fortë, sepse të qenit drejtues me kompetenca të deleguara nën vëzhgimin e tij të afërt është një start i garantuar në dritën e zjarrit të akuzave të pabaza dhe paragjykimeve”, tha Cakaj.

“Delegimi i kompetencave tek një zv.ministër si unë dhe mosha e re u është dukur faj dhe jo burim energjie dhe kreativiteti disa njerëzve”, shtoi 28-vjeçari.