Lajme

Bytyqi në Zvicër, fton diasporën dhe kompanitë zvicerane për investime

Zëvendëskryeministri në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut, përgjegjës për çështjet ekonomike, koordinim me resorët ekonomikë dhe investimet, Fatmir Bytyqi, tregon arsyet e vizitës në Zvicër

Fatmir Bytyqi, zëvendëskryeministër në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut, përgjegjës për çështjet ekonomike, koordinim me resorët ekonomikë dhe investimet po qëndron në Zvicër, ku ka pasur shumë takime.

Ai në një intervistë ekskluzive për albinfo.ch, ka treguar arsyet e vizitës në Zvicër, takimet që ka pasur dhe mesazhin për diasporën e Maqedonisë së Veriut.

Fillimisht, Bytyqi ka folur për arsyen e ardhjes në Zvicër, njëherësh vizita e parë zyrtare. “Është e vërtetë se politikanët nga anët tona vijnë vetëm kur ka nevojë për mbështetje politike të diasporës në Zvicër, por unë së bashku me kabinetin tim jemi këtu vetëm me agjendë ekonomike të fokusuar në tërheqjen e investimeve zvicerane në Maqedoninë e Veriut, por edhe lidhjen e bizneseve të vendit tonë në zinxhirin e ofertës me kompanitë nga Zvicra. Meqë koordinoj resorët ekonomikë dhe investimet kam dashur të vijë për të parë mundësitë se si mund të bashkëpunojmë, të ngremë cilësinë e qytetarëve tanë dhe të krijojmë kushte për një ambient prediktibil ekonomik. Është ky një mision i imi personal dhe i kabinetit qeveritar, me qëllim që të krijojmë mundësi për qytetarët dhe rininë tonë

Ardhja ime në Zvicër lidhet kryesisht me çështje ekonomike, jam takuar me biznesmenë të ndryshëm dhe njëherësh kam përdorur kontakte të ndryshme personale nga fusha e biznesit nga përvoja ime mbi 20 vjeçare. Kemi diskutuar për aspektet e bashkëpunimit, të investimit në Maqedoninë e Veriut pas periudhës së pandemisë e cila është duke sjellë lëvizje tektonike sidomos në zinxhirin e ofertës. Jam takuar kryesisht me biznesmenë jotradicional, për shembull, u takuam me një person që punon në sektorin bankar apo edhe me mjekë, që janë të njohur në Zvicër për të mundësuar zhvillimin e sistemit shëndetësor tek ne, njëri ndër ta ishte edhe Dr. Florim Cuculi. Po ashtu, kam takuar mërgimtarë tanë të integruar në jetën politike, siç është Përparim Avdili, anëtar i asamblesë së Cyrihut, me të cilët kemi diskutuar prej së afërmi sukseset e tyre dhe vullnetin e tyre që të kontribuojnë në vendlindjen e tyre.

U dakorduam që të themelohet për herë të parë një odë ekonomike bilaterale, Oda Ekonomike e Zvicrës dhe Maqedonisë së Veriut, e cila do të shërbejë si kanal më efikas i komunikimit dhe njëherit do të stimulojë bashkëpunimin ekonomik në mes dy vendeve, duke bërë që në mënyrë institucionale të funksionojnë gjërat, është shprehur Bytyqi për albinfo.ch.

Ai foli edhe për arsyet e vizitës së disa kompanive që t’u tregojmë nga afër se çfarë mund të ofrojmë për bizneset që do investonin në Maqedoninë e Veriut në mënyrë që të kthejmë skepticizmin dhe pesimizmin e bizneseve nga Zvicra kundrejt mundësisë së investimit në vendin tonë në optimizëm dhe kurajë, pasi Qeveria dhe posaçërisht kabineti im do të jenë në shërbim të tyre në çdo hap të tyre. Kjo mund të bëhet vetëm duke treguar rezultate, duhet të kthejmë besimin edhe atyre që kanë jetuar, por edhe atyre që nuk kanë jetuar tek ne.

Një shembull konkret të ngritjes së efikasitetit në procedura administrative është, për shembull, shkurtimi i procesit të dhënies së kontratës për ndihmë financiare të shtetit për investimet nga gjashtë në dy muaj, shtoi më tutje Fatmir Bytyqi.

Mesazhet janë të qarta. “Unë do t’i them disa mesazhe: Maqedonia e Veriut ofron kushtet më të mira për investimet në vendlindjet e tyre nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Të gjithë do të kenë shërbimin më të lartë cilësor për investime. Këtë e them me bindje të plotë.

Ne ofrojmë dy lloje të ndihmave: Njëra ndihmë shtetërore për kompanitë që hyjnë në sektorin e prodhimit në zonat industriale në të cilat ofrojmë 10 vjet lirim nga tatimi në fitim, tatimi në të hyra, TVSH, dogana, por jo vetëm këto, pasi përkrahim edhe me mbështetje financiare për ndërtim të objekteve dhe punësimin etj. Por, kemi edhe suport për kompanitë që investojnë jashtë zonave industriale duke i përkrahur ato pre 5 deri në 10 vite. Kjo është për ta nënvizuar pasiqë krijojmë një përkrahje më afatgjate dhe të qëndrueshme dhe kujdesemi për atë biznes nga fillimi deri në ditën e fundit.

Për kompanitë vendore dhe të huaja të cilat i udhëheq kabineti im si ndihma shtetërore japim 255 kontrata. Për mua çdo investim në vend është një mundësi e madhe për të rinjtë dhe fëmijët tanë. Për herë të parë kemi vendosur që investimet në zonat më pak të zhvilluara, do të përkrahen më shumë se ato në zona më të zhvilluara. Si për shembull të investosh në Shkup apo Gostivar ka dallim dhe në këtë të dytën, do të përkrahen rreth 60 % më shumë. Janë ndryshime të vogla, por substanciale për të kthyer besimin”, nënvizon tutje Fatmir Bytyqi.

Një siguri më e madhe për investimet e huaj është hyrja e Maqedonisë së Veriut në NATO. “Me hyrjen në NATO është rritur kredibiliteti, siguria dhe krijimi i mundësive të reja. Është një arsye shtesë për një investitor për siguri në investimin që do të bën, theksoi ai.

Por, cili është roli dhe rëndësia e Zvicrës në bashkëpunimin me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut. “Në letrën e mandatit, kemi një qëllim 1 miliard euro investime të huaja. Këto janë nga burime të huaja, diasora dhe burimet vendore. Zvicrën e shohim si një potencial për të rritur bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve, për shkak se, zinxhiri i ofertës për kompanitë zvicerane nuk ka qenë Maqedonia e Veriut, por vendet nga lindja e largët si Kina. Pandemia ka dhënë një mesazh të qartë, se afërsia e zinxhirit të ofertës në Evropën Kontinentale në të cilën çdo dërgesë mund të ndodhë brenda 24 ose 48 orëve është e një rëndësie jetike për kompanitë e mëdha të cilat operojnë në kontinentin e Evropës. Ne e shohim Zvicrën si partner shumë të rëndësishëm. Qeveria zvicerane ndihmon shumë programe në vendin tonë, por mendoj të shkojmë edhe një hap më tutje. Një pjesë e madhe e diasporës mund të na sjellin dije dhe përvojë, që na mungon për momentin. Për herë të parë në Maqedoninë e Veriut jemi duke punuar në krijimin e strategjisë afatgjate për zhvillim të vendin, plan afatgjatë 20 vjeçar në të cilin do të trasojmë rrugën e vendit për këtë periudhë dhe njëherit kompanitë nga Zvicra dhe kapitali njerëzor që ka do të luajnë rol të rëndësishëm pasi “duam të krijojmë të ardhmen së bashku”.

Tashmë Fatmir Bytyqi ka krijuar lidhje dhe vizitat do të jenë më të shpeshta. “Sigurisht. Tani do të pres një delegacion nga Zvicra. Po i presim dy kompani me seli në Zvicër, të investojnë tek ne. Sapo të shohim rezultatet e para nga këto iniciativa, duam që kur të kthehen, të dëshmojnë se mund të flasim për rezultate dhe jo vetëm politikë”, përfundoi Fatmir Bytyqi për albinfo.ch.