Shqipëria

Bushati në Beograd mbështet dialogun Kosovë-Serbi

Ministri Bushati po ashtu ka kërkuar nga qeveria e Serbisë që të këtë më shumë kujdes dhe vëmendje për shqiptarët e Luginës së Preshevës

Ministri i Punëve të Jashtme i Shqipërisë, Ditmir Bushati, ka marrë pjesë në Takimin e Tretë të Ministrave të Jashtëm që u mbajt në Beograd. Në këtë takim ku mori pjese edhe Ministri i Jashtëm i Italisë, është diskutuar për në kontekstin e dinamikës së evropianizimit të rajonit tonë.
Diskutimet po ashtu janë përqendruar në qasjen e përbashkët e vendeve të rajonit bazuar mbi avokatinë e Italisë për një rigjallërim të politikës së zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor dhe Strategjinë e publikuar së fundmi nga Komisioni Evropian.
Gjatë qëndrimit të tij në Beograd, Bushati zhvilloi një takim me Zëvendëskryeministrin e Parë dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Serbisë, Ivica Daçiq. Lidhur me procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, Bushati theksoi mbështetjen e vendosur të Shqipërisë për dialogun me ndërmjetësinë e  BE-së, si instrumenti i duhur për të arritur drejt zgjidhjeve të përbashkëta.
Ministri Bushati ka kërkuar nga qeveria e Serbisë që të këtë më shumë kujdes dhe vëmendje për shqiptarët e Luginës së Preshevës.