Shqipëria

Bushati: Ndryshimet e kufijve do t’u kushtonin shqiptarëve dhe gjithë rajonit

Ministri i Punëve të Jashtme në Shqipëri, Ditmir Bushati, është deklaruar për ndryshimin e kufinjëve.

“Qeveria shqiptare do të inkurajojë vijimin e procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë deri në arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht të detyrueshme, që respekton tërësinë territoriale të Kosovës”, ka thënë ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati.

Në një intervistë për “Panorama”, ai ka thënë se statusi i Kosovës nuk mund të rihapet as në format dypalësh e as shumëpalësh dhe aq më tepër të bëhet objekt krahasimi me raste të tjera të kthyera në “konflikte të ngrira”.

“SHBA-ja, BE-ja dhe NATO-ja kanë investuar shumë në promovimin e multietnicitetit të Ballkanit për të siguruar që shoqëritë të mbeten të hapura. Kjo mbetet një sfidë e vështirë, por jo e pamundur. Rajoni ynë ka pësuar ndryshime të mëdha në dekadat e fundit në saje të fuqisë transformuese të BE-së. Dalja nga ky kurs do t’u kushtonte shqiptarëve dhe gjithë rajonit”, ka thënë Bushati.