Intervista
Bushati: “Lidhja jonë me diasporën shqiptare është organike”
Intervistë ekskluzive e albinfo.ch me Ministrin e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, z. Ditmir Bushati, me rastin e qëndrimit të tij në selinë e OKB-së, në Gjenevë
Ministri i Punëve të Jashtme i Shqipërisë ka mbajtur sot Deklaratën në emër të Qeverisë së Shqipërisë në Këshillim e të Drejtave te Njeriut, në Selinë e OKB-së, në Gjenevë. Ky është viti i tretë që Ministri Bushati mban Deklaratën kur Shqipëria ka statusin e vendit anëtar të KDNJ, status që e gëzon që nga viti 2015. Shqipëria gjithashtu, në cilësinë e vendit anëtar, ka mbajtur postin e Zv.Presidentit të Këshillit në vitin e parë të këtij mandati. Në këtë kontekst, deklaratat dhe fjala e Ministrit Bushati nga tribuna e KDNJ kanë qenë në përmbajtjen e tyre jo vetëm një shpalosje e arritjeve te Shqipërisë në fushën e promovimit dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut por, njëherësh kanë përbërë një kontribut të spikatur në rrafshin ndërkombëtar, duke shfaqur përgjegjshmëri dhe mbajtur pozicione ndaj këtyre të drejtave, standardeve të kërkuara sipas Kartës së të Drejtave të Njeriut të OKB, dhe një seri konventash të miratuara në këtë fushë me ndjeshmëri të lartë dhe tregues kryesor i standardeve demokratike.
Duke përfituar nga qëndrimi i tij në Zvicër, albinfo.ch ka realizuar një intervistë ekskluzive me z. Bushati. Ai këtu flet gjerësisht lidhur me rolin dhe peshën e diasporës shqiptare, trajtimin që i bëhet asaj nga institucionet e shtetit shqiptar, pastaj për bashkëpunimin me Kosovën në rrafshin diplomatik, gjegjësisht themelimin e misioneve të përbashkëta konsullore etj.
Albinfo.ch: Ju sot jeni për vizitë në Gjenevë. Na tregoni për lexuesit tanë se në cilin aktivitet po merrni pjesë, rolin e Shqipërisë në këtë aktivitet gjegjësisht në organizatën nikoqire.
Ditmir Bushati: Prania ime në takimin e nivelit të lartë të Këshillit të të Drejtave të Njeriut të OKB-së dëshmon për angazhimin e Shqipërisë në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut në rrafsh global. Takimi do të shërbejë edhe për parashtrimin e kontributeve tona të deritanishme si dhe planeve për të ardhmen në këtë drejtim. Viti 2017 është viti i tretë i anëtarësimit të Shqipërisë në KDNJ. Në vijim të kontributit të dy viteve që lamë pas, Shqipëria do të mbetet e angazhuar për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, të cilat duhet të realizohen nëpërmjet forcimit të drejtësisë, edukimit dhe barazisë, elemente të domosdoshme këto për të siguruar stabilitet, paqe dhe zhvillim të qëndrueshëm.
Në kuadër të KDNJ, Shqipëria do të vazhdojë të kontribuojë në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm, si anëtare e grupit iniciator të Rezolutës për parandalimin dhe luftën kundër ekstremizmit. Shqipëria ka shprehur gjithashtu shqetësimin për shkeljen e te drejtave te njeriut në vende të tilla si Sudani i Jugut, Siri, Ukrainë Lindore, etj.
Në takimin e nivelit të lartë të KDNJ, Shqipëria ndau eksperiencat e saj me vendet anëtare të KDNJ për çështje sensitive për Kombet e Bashkuara, si mbrojtja e të drejtave të grave, fëmijëve, të pakicave kombëtare, etj. Për Shqipërinë, toleranca fetare është shtylla kurrizore e një kulture dhe shoqërie të civilizuar, dhe një model inkurajues që vlerësohet ndërkombëtarisht.
Albinfo.ch: Ministria e Jashtme e Shqipërisë mbulon edhe diasporën shqiptare. Në çfarë nivelesh institucionale e bën këtë: ka një drejtori, sekretariat apo një zyrë specifike në kuadrin e Ministrisë që merret vetëm me diasporën?
Ditmir Bushati: Është në misionin e Ministrisë së Punëve të Jashtme që të ndjekë çështjet që lidhen me Diasporën shqiptare. Në këtë kuadër, në MPJ funksionon Drejtoria e Diplomacisë Publike, Partneriteteve dhe Diasporës, pjesë e së cilës është edhe Sektori i Diasporës. Ky Sektor i veçantë, është në ndjekje të të gjithë zhvillimeve që lidhen me Diasporën dhe në bashkëpunim me përfaqësitë tona jashtë vendit, koordinon dhe bashkëpunon me institucionet e linjës për adresimin e disa çështjeve që prekin bashkatdhetarët tanë.
Albinfo.ch: Ku e shihni ju si ministri interesin e vendit nga diaspora, gjegjësisht cilat janë pikat e identifikuara nga ju, të bashkëpunimit me diasporën?
Ditmir Bushati: Lidhja jonë me Diasporën është organike. Vizioni i Qeverisë shqiptare dhe Ministrisë sonë për bashkatdhetarët tanë nëpër botë është afatgjatë dhe me dy kahe. Në njërën anë, ne duam të krijojmë një lidhje të qëndrueshme me ta për të asistuar në çështje që prekin përditshmërinë dhe mirëqenien e tyre në vendet ku ata jetojnë dhe punojnë; dhe në anën tjetër, ne presim që potenciali i madh zhvillimor që Diaspora shqiptare mund t’i ofrojë vendit tonë të shfrytëzohet më së miri.
Në kuadër të krijimit të kësaj marrëdhënieje të re dhe të qëndrueshme synohet fillimisht promovimi i gjuhës, kulturës dhe identitetit shqiptar, si dhe zhvillimi i trashëgimisë së përbashkët, si mënyra më e mirë për të përfaqësuar dhe mbrojtur të drejtat e komunitetit dhe interesat kombëtare. Një rëndësi të veçantë ka bashkëpunimi ynë efektiv në fushën e zhvillimit ekonomik të vendit, duke pasur parasysh interesin e Diasporës për të investuar në projekte të ndryshme ekonomike në Shqipëri.
Albinfo.ch: Çfarë veprimesh janë realizuar deri më tash nga kjo zyrë ose edhe nga ministria që drejtoni ju për të afruar më shumë diasporën me vendin amë?
Ditmir Bushati: Në fundvitin e kaluar për herë të parë u zhvillua një aktivitet përmbajtësor dhe i përmasave të mëdha, siç ishte Samiti i parë i Diasporës, me moton “Të Pandarë për Shqipërinë”. Gjatë punimeve të Samitit, morën pjesë mbi 1000 përfaqësues të shoqatave të ndryshme shqiptare, personalitete të shquara dhe bashkëkombas nga 40 vende. Në programin tonë të punës është hartimi dhe zbatimi i një sërë aktiviteteve në përputhje me interesat e Diasporës shqiptare që lidhen me çështje si mbrojtja e gjuhës dhe kulturës shqiptare si dhe mbrojtja e të drejtave shoqërore dhe civile të bashkëardhetarëve.
Konkretisht, gjatë këtij viti, Sektori i Diasporës në MPJ, në bashkëpunim me Zyrën e Organizatës Ndërkombëtare për Migracion (IOM), ka hartuar projektin e përbashkët mbi “Shfrytëzimin e ndikimit pozitiv të Diasporës shqiptare në zhvillimin e vendit”, nëpërmjet Dokumentit “Politika për Angazhimin e Komuniteteve Shqiptare jashtë vendit”. Ky Dokument u diskutua gjerësisht gjatë Samitit dhe tashmë është në procesin e miratimit përfundimtar. Përmes tij ne synojmë ta kthejmë parteritetin me Diasporën në një shtyllë të qëndrueshme të zhvillimit të vendit.
Albinfo.ch: Rreth tre muaj më parë, në organizim të Qeverisë së Shqipërisë, në Tiranë u mbajt Samiti i Parë i Diasporës. Mund të na i përmendni disa nga zotimet që ka marrë ndaj diasporës me atë rast Qeveria, gjegjësisht Ministria që drejtoni Ju?
Ditmir Bushati: Samiti i Diasporës kishte si qëllim jetësimin e një bashkëpunimi të prekshëm ndërmjet Diasporës dhe shtetit amë, ndaj edhe Axhenda e Samitit u kompozua në mënyrë të tillë që të përfshinte tematika të ndryshme dhe të ftuar me profile të larmishme, ku në fokus ishte identifikimi i problematikave me të cilat ndeshen shqiptarët, evidentimi i arritjeve të Diasporës sipas fushave respektive, si dhe evidentimi i potencialit të bashkëpunimit midis tyre dhe shtetit shqiptar.
U diskutua gjerësisht bashkëpunimi në fushën e arsimit, ekonomisë, kulturës, sipërmarrjes, turizmit, inovacionit dhe shërbimeve konsullore. Të gjitha këto fusha mbartin në vetvete mundësi të arta për të ndërvepruar. Ky bashkëpunim është konceptuar të zhvillohet pikë së pari me anë të zbatimit të Dokumentit të hartuar me zyrën e IOM në Tiranë, ngritjen e një pltforme të dedikuar online për ndërveprimin me diasporën si dhe e strukturave të përbashkëta institucionale për adresimin e këtyre çështjeve në nivel strategjik.
Albinfo.ch: Na tregoni nëse ndonjë apo disa nga këto zotime kanë filluar ose janë në rrugë të realizimit?
Ditmir Bushati: Një ndër zotimet më të rëndësishme, me efekt të drejtpërdrejt për shqiptarët e Diasporës, ishte reformimi i shërbimeve konsullore për shtetasit tanë jashtë atdheut. Tashmë, më shumë kënaqësi, mund të konfirmoj që diçka e tillë është bërë realitet. Ministria e Punëve të Jashtme sapo ka inauguruar platformën e re dixhitale për Shërbimet Konsullore Online (SHKO). Kjo platformë ofron proçedura të automatizuara dhe dixhitalizimin e të gjitha shërbimeve konsullore ndërsa përmbush prioritetin e Qeverisë shqiptare për rritjen e transparencës dhe modernizimit të shërbimit konsullor dhe të shërbimeve në administratën publike. Me këtë nismë, qytetarët kanë më shumë akses në informacion, zgjerohet gama e shërbimeve, si dhe rritet cilësia e tyre, ndërkohë që shkurtohen kostot, koha dhe procedurat.
Platoforma SHKO u ofron qytetarëve 36 shërbime online. Nga këto, 23 shërbime do të kryhen tërësisht online dhe dokumenti i kërkuar do t’i dërgohet me postë qytetarit në adresën e shënuar nga ai vetë, pa pasur nevojë të paraqitet personalisht. Ndërsa për 13 shërbime të tjera qytetari do të paraqitet vetëm një herë në përfaqësinë diplomatike dhe konsullore.
Gjithashtu, në kuadër të konkretizimit të zotimeve të tjera, Ministria e Punëve të Jashtme ka ngritur Grupin e Punës ndërministror, i cili ka për qëllim hartimin e politikave për realizimin e angazhimeve të Samitit të Diasporës. Në përfundim të kësaj pune paraprake, Qeveria shqiptare do vijojë menjëherë me zbatimin e tyre.
Albinfo.ch: Është folur për bashkimin e shërbimeve diplomatike mes Shqipërisë dhe Kosovës në suaza të përfaqësive të ndryshme në botë. Kur do të implementohet kjo ide?
Ditmir Bushati: Kjo ide ka filluar të zbatohet tashmë. Me kënaqësi konstatoj punën e frytshme bashkëpunuese mes Shqipërisë dhe Kosovës edhe në rrafshin diplomatik. Ambasadat dhe Misionet tona janë në lidhje të ngushtë ndërveprimi, veçanërisht në funksion të avancimit të mëtejshëm të anëtarësimi të Kosovës në forumet ndërkombëtare, si dhe të njohjeve të reja.
Tashmë kemi hapur tri Konsullata të Përbashkëta, në Bari, Munih dhe Milano dhe së shpejti pritet shtrirja edhe në vende të tjera, si Australia dhe Danimarka. Përveç simbolikës së tyre, konsullatat kanë rritur ndjeshëm cilësinë e shërbimeve ndaj shtetasve tanë. Gjithashtu, po merr formë konkrete edhe formimi i Qendrave të Përbashkëta Kulturore Shqiptare në Diasporë. Këto qendra do t’i japin përçimit të kulturës, gjuhës dhe traditës shqiptare në diasporë një shtysë mjaft cilësore.
Për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit, duke ndjekur edhe trendin e disa vendeve të zhvilluara perëndimore, po shqyrtojmë harmonizimin e veprimit diplomatik e konsullor në kuadrin ligjor të dy vendeve tona, në një të ardhme të afërt.
Albinfo.ch: Shqipëria nuk njihet mirë në vendet perëndimore. Sa investon diplomacia shqiptare në promovimin e Shqipërisë dhe në mbrojtjen e imazhit të saj? A do të mundeshin të kyçen në këtë proces strukturat ekzistuese moderne që veprojnë në diasporë?
Ditmir Bushati: Ministria e Punëve të Jashtme ka detyrën dhe peshën kryesore në promovimin e Shqipërisë dhe përmirësimin e imazhit të saj. Gjatë viteve të fundit kemi theksuar rolin e diplomacisë publike, duke zgjeruar dialogun me institucionet e huaja ndërkombëtare dhe me mediat.
Pjesë e punës ka qenë edhe forcimi i mëtejshëm i bashkëpunimit mediatik dhe kulturor, me aktivitete brenda dhe sidomos jashtë vendit, në funksion të një imazhi sa më pranë realitetit të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Midis të tjerash mund të dalloj dy momente. Së pari, MPJ gjatë vitit të kaluar ka realizuar me sukses fushatën mediatike të Aplikacionit konsullor E-Konsullata, i cili mund të shkarkohet nga Appstore dhe Playstore në çdo aparat celular apo tabletë që ka akses në internet dhe mund të përdoret kudo, duke shërbyer si një platformë interaktive komunikimi dhe informimi për të gjithë qytetaret shqiptarë kudo që ndodhen.
Së dyti, është realizuar iniciativa dhe fushata mediatike e #ColoursofAlbania2016 – Prezanto me imagjinatë Shqipërinë! Ky projekt ishte vijim i iniciativës së lançuar në vitin 2015, duke përcjellë anë e mbanë botës ngjyrat e vërteta të Shqipërisë. Ky ishte një konkurs fotografie i bazuar në platformën digjitale online, Instagram. Tema ishte e lirë, mbi bashkëjetesën fetare, shoqërinë shqiptare, artin, kulturën, natyrën, ndërsa në të mund të bëhej pjesë çdo shqiptar pavarësisht vendndodhjes së tij gjeografike.
Përveç këtyre, një shtysë e madhe për imazhin e Shqipërisë në botë është dhënë me promovimin e Branding Albania si dhe të produkteve “Made in Albania”, me anë të Organizimit të Ditëve dhe Javëve kulturore shqiptare në shumë kryeqytete të Evropës dhe në SHBA, si dhe me pjesëmarrjen e përfaqësive tona në disa ekspozita dhe panaire me produkte artizanale dhe kulinare.
Albinfo.ch: Politika e shtetit shqiptar duket se ka marrë një rol më me peshë në zhvillimet aktuale në nivel të Ballkanit. Në çfarë konsiston ky rol sipas jush dhe a mund të thuhet se po sjell rezultate në stabilizimin e gadishullit të trazuar ballkanik ?
Ditmir Bushati: Shqipëria ka luajtur gjithnjë rol stabilizues në rajon, i cili është natyrshëm në qendër të vëmendjes së diplomacisë shqiptare. Aktualisht, jemi përfshirë në tërësi në një realitet të ri që buron nga angazhimet e përbashkëta të vendeve të Ballkanit Perëndimor në kuadër të Procesit të Berlinit për të përmbushur reformat e shtetkonsolidimit, mirëqeverisjes dhe mbizotërimit të shtetit të së drejtës në rrugën drejt Bashkimit Europian. Procesi i Berlinit ka ndihmuar në përshpejtimin e bashkëpunimit rajonal që është vënë re vitet e fundit. Ndërlidhja infrastrukturore dhe energjetike dhe mobiliteti rinor po bëhen fjalët kyçe në Ballkanin Perëndimor për të kthyer rajonin tonë në një entitet vërtetë të ndërlidhur në aspektin ekonomik, politik dhe të sigurisë.
Shqipëria beson plotësisht në dobinë dhe perspektivën e këtij ndërveprimi, prandaj ka luajtur dhe vazhdon të luajë një rol lider në nismat rajonale ku aderon. Thelbi i aktivitetit tonë në rajon është mbështetja në parimet e fqinjësisë së mirë, respektimit të sovranitetit, forcimit të demokracisë dhe shoqërisë së hapur, shkurt një rajon që ka një të ardhme në Bashkimin Evropian. Ky është vizioni ynë për Ballkanin Perëndimor, që unë parapëlqej ta quaj shpesh “Evropa Adriatike”.
Në sajë të këtij vizioni, kemi ndërtuar një rrjet të dendur bashkëpunimi dy e shumëpalësh, kemi arritur që Kosova të jetë e përfshirë në iniciativat e strukturat rajonale, kemi mbështetur anëtarësimin e Malit të Zi në NATO dhe forcimin e marrëdhënieve të rajonit me Aleancën dhe në tërësi kemi mbështetur e promovuar çdo masë që forcon sigurinë përreth nesh.
Prania në Tiranë e Zyrës Rajonale për Bashkëpunimin Rinor (RYCO) dhe Fondit të Ballkanit Perëndimor është veçse dëshmi e qasjes dhe rolit të Shqipërisë në rajon. Zyra Rajonale për Bashkëpunimin Rinor do të zgjerojë më tej rrugët e bashkëpunimit dhe dialogut ndërmjet të rinjve në rajon. Fondi i Ballkanit Perëndimor do të fokusohet në promovimin e vlerave të përbashkëta ndërmjet qytetarëve, shoqërisë civile dhe institucioneve në rajon. Në gjykimin tonë ndërlidhja më e ngushtë ekonomike dhe angazhimi në projekte të përbashkëta kontribuojnë në forcimin e sigurisë rajonale dhe në procesin e integrimit evropian.
Albinfo.ch: Si i komentoni kritikat ndaj implikimit të Shqipërisë në bashkimin e pozicionit të formacioneve politike shqiptare në Maqedoni, para hyrjes në koalicion qeveritar?
Ditmir Bushati: Shqipëria është një aktor tërësisht konstruktiv në rajon. Ne kemi mbështetur hapur dhe në mënyrë të vazhdueshme zhvillimin dhe përparimin e gjithanshëm të Maqedonisë demokratike e shumë-etnike, përmes inkurajimit të anëtarësimit të saj në NATO dhe përparimit drejt Bashkimit Evropian.
Shqiptarët në Maqedoni janë popullsi shtetformuese dhe të drejtat e tyre duhet të respektohen dhe promovohen në këtë kuadër. Kërkesat e tyre janë krejt legjitime: më shumë dinjitet, më shumë barazi sociale, më shumë Evropë. Për ne ka rëndësi që shqiptarët të vijojnë të jenë faktorë evropianizues të shteteve ku ata banojnë, duke gëzuar të drejtat që u takojnë dhe duke kontribuar në zhvillimin e vendeve ku jetojnë.
Platforma e arritur nga partitë politike parlamentare shqiptare në Maqedoni është kontribut i ndërgjegjësimit të tyre se momenti dhe rrethanat u kërkojnë të shohin përtej dallimeve partiake e agjendave individuale, si aktorë të aftë të kontribuojnë për të mirën e vendit. Platforma shqiptare është një platformë për Maqedoninë evropiane. Pikërisht për këtë ne e përshëndetëm dhe mbështetëm pasi shohim aty përgjegjësinë për t’i dhënë vendit drejtimin e duhur përmes një platformë të qartë e koherente në respekt të frymës së barazisë. Askush nuk duhet t’i trembet kërkesave për barazi.
Kujdesi dhe interesimi për situatën e shqiptarëve që jetojnë rreth nesh është një detyrim kushtetues. Respektimi i të drejtave të tyre është pjesë e përhershme e dialogut tonë me autoritetet e vendeve të tjera.
Ashtu si e kemi përsëritur shpesh, angazhimi i Shqipërisë është transparent dhe parimor. Në këtë pikë, ne mbështesim formimin e një qeverie të qëndrueshme, të aftë për të ndërmarrë reforma që forcojnë demokracinë në vend, respektojnë karakterin shumë-etnik të Maqedonisë dhe ofrojnë një të ardhme të qartë për qytetarët e Maqedonisë. Maqedonia duhet ta shikojë Shqipërinë për atë që është, si miku më i mirë në rajon, i interesuar në të ardhmen e saj demokratike dhe euro-atlantike.
Të tjera nga Intervista
E-Diaspora
-
Nga llamba e vajgurit tek energjia që ndriçon Zvicrën, rruga frymëzuese e Xhevdet Gashit dhe ALBASOLAR Nga rrënjët modeste tek frymëzimi për energjinë diellore...
-
“K’cimi i Tropojës”, piktori Gazmend Freitag dhe magjia e trashëgimisë kulturore shqiptare
-
Gjykata Federale ndalon dëbimin e kosovarit: Djali i tij është invalid i rëndë
-
A e keni ditur që hiti për Krishtlindje është xhiruar para 40 vitesh në Zvicër?
-
Borë në kantonet Schwyz dhe Bernë të Zvicrës
Jeta në Zvicër
-
Mediat: Shërbimet mjekësore zvicerane të bëra jashtë vendit faturohen me tarifa zvicerane Në Zvicër, shërbimet mjekësore të kryera jashtë vendit faturohen me tarifa zvicerane, pavarësisht se kushtojnë më...
-
Anëtari i ekuipazhit zviceran ende në kujdes intensiv pas uljes urgjente në Austri
-
Ulja emergjente e avionit zviceran në Graz është shkaktuar nga një problem teknik
-
Berna ka përditësuar, në internet, hartën e saj të rreziqeve sipas qyteteve të kantonit
-
Sa e rëndësishme është marrëveshja e BE-së për ekonominë tonë të eksportit?