Kosova

Burri vret gruan në Gjilan në natën e Vitit të Ri

Një grua është vrarë aksidentalisht nga bashkëshorti i saj në natën e Vitit të Ri në fshatin Selishtë të komunës së Gjilanit. 

Policia njofton se ka arrestuar të dyshuarin për vrasje. 

“Është arrestuar i dyshuari mashkull K-shqiptar, pasi që i njëjti me pushkë gjuetie nga pakujdesia dyshohet se ka qëlluar gruan e tij viktimën femër K-shqiptare”, thuhet në raportin 24-orësh të Policisë. 

Gruaja e vrarë ishte mbi të 50-at. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Edhe në qytetin e Prishtinës kishte incidente, një banesë është përfshirë nga zjarri, ku dyshohet se zjarri është shkaktuar nga mjetet piroteknike. Në minutat e parë të 1 janarit flaka i është vënë edhe një stalle në fshatin Brolic të Pejës. 

Sipas ankuesit, “nipat e tij duke ndezur fishekzjarrë aksidentalisht i kanë vënë zjarrin stallës së tij”. Sipas tij, vlera e dëmit është rreth 4000 euro. 

Rast i zjarrvënies në stallë është raportuar edhe në fshatin Radoste të Rahovecit. Aty ankuesi ka thënë se zjarri kishte kapluar stallën në rrethana të panjohura. Ai ka thënë se vlera e dëmit është rreth 3500 euro. Edhe në fshatin Lebushë të Deçanit po ashtu është djegur një stallë e bagëtive.