Integrimi
Bunjaku sërish në politikën zvicerane
Blerim Bunjaku kandidon për Parlamentin e Kantonit të Cyrihut, në zgjedhjet që mbahen në prill dhe për Parlamentin Nacional, i cili zgjidhet në tetor të vitit 2015
Prania e emrit të Blerim Bunjakut në listën e partisë EVP për Asamblenë Komunale të Winterthurit, në fushatën e zhvilluar në fillim të vitit, ksihte habitur shumëkënd. Kandidati Bunjaku në fakt, duke u bërë pjesë e listës së një partie me prapavi religjioze të krishterë, nuk kishte dashur të provokonte. Por, ai nuk e mohon se kjo ka qenë një sfidë e llojit të vet. Dhe, Bunjaku nuk u përton sfidave.
Sot, Blerimi thotë se i ka shërbyer së tepërmi fushata për asamblenë e Winterthurit. “Edhe pse nuk arrita të zgjidhem, jam i kënaqur me impaktin që kam krijuar në mesin e qytetarëve të Winterturit por edhe të kantonit e më gjerë dhe sidomos në opinion, përmes medieve”.
Prania në medie, edhe kur ndonjëherë ka qenë e intonuar negativisht, e ka ndihmuar shumë në ngritjen e profilit të tij si politikan, beson Bunjaku. Dhe ky besim i tij ka bërë që ai tash, një vit pas kësaj përvoje, të kandidojë madje për dy nivele më të larta: për Parlamentin e Kantonit të Cyrihut, në zgjedhjet që mbahen në prill dhe për Parlamentin Nacional, i cili zgjidhet në tetor të vitit 2015. Blerimi e pranon se këto janë dy sfida të mëdha por ai është njeri që i pranon sfidat. Këtë e ka dëshmuar tashmë me polarizimin që ka shkaktuar në fushatën e kaluar. Si rezultat, ai ka fituar postin e mbikëqyrësit të rreth 30 shkollave, sa ka regjioni i cili i është besuar. Dhe jo vetëm kaq, ai ka fituar edhe shumë përkrahës, brenda dhe jashtë partisë së tij.
Por sa i guximshëm duhet të jetë njeriu që kandidon për nivelin kantonal dhe atë nacional ndërsa nuk ka mundur të kalojë “pragun” komunal, është pyetja e radhës, për të cilën Bunjaku e ka të gatshme përgjigjen. Ai thotë se shpreson më shumë për një sukses në zgjedhjet nacionale se në ato kantonale.
“Shikoni, zgjedhësit e EVP-së në nivel të komunës janë më të pakët në numër, sidomos pasi që është fjala për një parti të vogël. Edhe në zgjedhjet për Parlamentin e Kantonit, të drejtë për të më votuar kanë vetëm qytetarët e Winterthurit. Me gjithë një rritje pas përvojës së zgjedhjeve komunale, sërish bëhet fjalë për një potencial të kufizuar. Ndërsa për kandidimin tim për nivel nacional do të kenë të drejtë të votojnë qytetarët e gjithë kantonit. Dhe këtu unë e shoh një potencial të madh”, shprehet i bindur Bunjaku.
Në këtë rast ai pret shumë votues jo vetëm nga kampi i partisë që e ka kandiduar por edhe nga shqiptarët me të drejtë vote, kur dihet se në Kantonin e Cyrihut ka një numër shumë të madh të shqiptarëve të natyralizuar (shtetas zviceranë).
– Politikan që nuk i përton polarizimit
Blerimi, një pjesë të bujës që e ka shkaktuar në zgjedhjet e kaluara e ka bërë falë deklarimit të tij si shqiptar i besimit mysliman që ka kandiduar në një parti të krishterë. Kjo ka shkaktuar njëfarë hutimi duke pasur parasysh begraundin e partisë. Ai thotë se ky veprim nuk ka qenë i përllogaritur për t`i shtuar votat por më shumë ka qenë tregues për hapjen e EVP-së ndaj vlerave të ndryshme, për tolerancën e saj.
Duke folur për fushatën që do ta zhvillojë për dy palë zgjedhjet që e presin në vitin e ardhshëm, Bunjaku thotë ta ketë përpunuar një strategji më të hollësishme dhe që pret të rezultojë më e frytshme se ajo e vitit të kaluar.
“Janë paraqitur shumë miq e dashamirë që të më ndihmojnë vullnetarisht në fushatë. Po ashtu gatishmëri për ndihmë ka treguar edhe ambasadori i Kosovës në Zvicër, Naim Malaj. Në takimet që do të kem me zgjedhësit do të jem më i drejtpërdrejtë. E dini, ka mjaft persona me të drejtë vote të cilët nuk dinë si të votojnë. Ata nuk e kane idenë se mund të votohet kandidati i caktuar dhe të mos votohet partia e tij dhe anasjelltas.
Duke folur për ambicien e tij për të arritur nivelin e politikanit nacional, Bunjaku na e zbulon se “shumica e madhe e politikanëve të nivelit nacional, angazhimin e kanë filluar si mbikëqyrës shkollash. Kjo është shkalla e parë”, thotë ai.
Lidhur me kandidimin në të dy nivelet ai thotë se ka mbështetjen e plotë nga partia. “Ajo është e vendosur të më mbështesë edhe përmes akumulimit të votave të kandidatëve të tjerë të EVP-së për kandidimin tim”.
– Shqiptarët duhet të jenë më të hapur
Por Bunjaku konstaton se shqiptarëve si komunitet ende u mungon hapja e nevojshme. Jo vetëm në politikë. “Ne duhet të jemi aktivë edhe në jetën shoqërore duke filluar nga lagja ku jetojmë. Vetëm kështu mund të bëjmë të njohura vlerat e shqiptarëve. Si do t`i bindim vendësit se ne nuk jemi të atillë çfarë na përshkruajnë paragjykimet që qarkullojnë për ne këtu?”, shtron pyetjen ai.
Bunjaku është i bindur se shqiptarët kanë vlera të rëndësishme për t`i sjellë vendit ku jetojnë po edhe si mërgimtarë, ne Evropë e gjetiu. Ai këtë e ilustron me shembuj të personaliteteve të njohura shqiptare nga historia. “Mund të thuhet për shembull se pa Skënderbeun, ndoshta historia e Evropës do të ishte ndryshe… Por ajo që na mungon është organizimi kolektiv dhe artikulimi i qartë i kërkesave si komunitet.
Jam i vetëdijshëm që përgjegjësia dhe besimi janë vlera referuese që më japin mundësi për tu avancuar edhe më lartë në skenën politike zvicerane, e që konsideroj se vullneti im në politikë është pasuri e re për Zvicrën dhe komunitetin tim në të ardhmen e afërt. Jam njëri ndër ekspertët e partisë për strategji. Pasi që jam rritur mes dy kulturave jam si përgjegjës për personat me prejardhje të huaj”, thotë ai më tutje.
“
U jam mirënjohës disa politikanëve zviceranë që më kanë përkrahur fuqishëm në skenën politike dhe po më përkrahin edhe tani pa rezervë. Kjo më obligon që të shkoj tutje me përgjegjësinë që kam pranuar.
Tek falënderon të gjithë qytetarët zviceranë dhe komunitetin shqiptar në Zvicër për përkrahje, ai nuk harron të shprehë mirënjohjen edhe për familjen e tij, gjegjësisht për bashkëshorten Valentinën dhe dy vajzat, Erola dhe Erona. “Përpiqem që t`u dhuroj një të ardhme të mirë këtu në Zvicër, jo vetëm fëmijëve të mi por edhe fëmijëve tjerë të komunitetit shqiptar dhe të gjithë fëmijëve të Zvicrës”.
Ne si politikanë jemi të obliguar të ndihmojmë komunitetin për t`i adresuar kërkesat në çdo institucion sepse i kemi dhënë mjaft këtij vendi brenda 5 dekadave. Por them se nuk kemi ndonjë organizim të përbashkët në fusha të ndryshe që të jemi një zë i arsyeshëm me kërkesa të artikuluara qartë. Kam një bashkëpunim të mirë me disa qendra kulturore artistike e që mendoj se diçka ka filluar të lëvizë për së mbari”.
I vetmi shqiptar në gjithë shkollën
I lindur në vitin 1979 në Kosovë, Blerimi ka qenë foshnjë disa muajsh kur familja e ka sjellë në Zvicër. Thotë se ka qenë i vetmi shqiptar jo vetëm në klasë por edhe në gjithë shkollën. Vitet 80 të shekullit të kaluar kanë qenë një kohë e mirë për të. Ndoshta edhe për faktin se atëbotë, ende nuk ekzistonte reputacioni jo i mirë i shqiptarëve, që erdhi nga vitet 90 e këndej. Prej disa vitesh Bunjaku udhëheq firmën e suksesshme „Enyx Web & Mobile GmbH“, me seli në Winterthur.
Të tjera nga Integrimi
E-Diaspora
-
Dubai: Firma shqiptare e patundshërive me ofertë për investitorët shqiptarë të Zvicrës Nga Neymar te Tripleksi më i Shtrenjtë në Botë: Historia e Investimeve që Ndërtojnë Standarde të...
-
Shoqata “Bashkimi” nga Usteri organizoi festë kushtuar Pavarësisë së Shqipërisë
-
Turi me diasporën, Rama nesër takim me shqiptarët e Londrës
-
Gala koncert në Prishtinë me sopranon Marigona Qerkezi dhe tenorin Saimir Pirgu
-
Vjenë
Valbona Naku: Një jetë kushtuar violinës
Jeta në Zvicër
-
Ndjekjet penale dhe falimentimi: Rritje e rrezikut për të vetëpunësuarit nga viti 2025 Që nga 1 janari i vitit 2025, pretendimet e së drejtës publike kundër personave të regjistruar...
-
A duhet të bëhen të detyrueshme gomat e dimrit në Zvicër?
-
SBB pret fitim të njëjtë si vitin e kaluar
-
Shumë pista skijimi në Zvicër kanë hapur sot dyert
-
Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës