albinfo.ch
Integrimi
Bunjaku: „Nga viti i ardhshëm, në Parlamentin e Kantonit”
Blerim Bunjaku thotë se në zgjedhjet e të dielës që shkoi, ai ka arritur mjaft edhe pse jo mjaftueshëm për t`u zgjedhur. Ai falënderon ata që e kanë votuar dhe i fton ta votojnë në të ardhmen ata që nuk e kanë bërë këtë
Kandidatit në garën për një vend në Parlamentin e Kantonit të Cyrihut, Blerim Bunjaku, i ka munguar një numër shumë i vogël votash për t`u zgjedhur deputet ne këtë nivel. Pak ditë pas zgjedhjeve ai në një intervistë për albinfo.ch analizon rezultatin, reflekton për vështirësitë që kanë pasur shqiptarët me te drejtë vote për të marre pjesë në një proces zgjedhor etj. Ai tregon se megjithatë, nga fillimi i vitit 2016, si rezultat i një lëvizjeje brenda partisë së tij ai do të jetë në parlament.
Bunjaku u është shumë mirënjohës bashkatdhetarëve dhe të gjithë të tjerëve që i kanë dhënë votën. Ai falënderon edhe ata që për ndonjë arsye apo ndonjë tjetër nuk kanë qenë në gjendje të votonin. Me këtë rast bën të ditur se heq dorë nga kandidimi që e kishte shpallur më herët për Parlamentin Nacional të Zvicrës. Mendon se është ende herët për një hap të tillë.
albinfo.ch: Si e shpjegoni rezultatin e arritur në zgjedhje? Keni pasur mbështetje të madhe të proklamuar, kryesisht nga shqiptarët por kjo nuk mjaftoi? Ku mendoni se ka ngecur puna?
B. Bunjaku: Edhe pse nuk kam mundur të hyj në Parlamentin e Kantonit të Cyrihut, rezultati i arritur është një fitore për mua duke e pasur parasysh që unë kam vetëm një vit e gjysmë në këtë parti, kur dihet se të tjerët (sikur ata në vend të parë dhe të dytë, para meje) merren me politikë prej më shumë se 15 vitesh. Të arrish prej vendit të dhjetë në atë të tretë në listë dhe me vetëm 50 vota larg vendit të dytë ku është presidentja e parlamentit të Winterthur dhe presidentja e EVP-së, është megjithatë një arritje.
Sikur që e kam përmendur edhe më herët në medie, unë dhe stafi im zgjedhor kemi qenë të befasuar me mbështetjen që kemi pasur nga bashkëkombësit edhe pse ndoshta disa nuk e kanë përdorur mundësinë të votojnë.
“Falënderoj edhe ata që nuk më kanë votuar”
Megjithatë, i falënderoj të gjithë votuesit të cilët më kanë mbështetur me votën e tyre në zgjedhjet për deputet në Kantonin e Cyrihut. Por, i falënderoj edhe ata që nuk më kanë votuar, duke shpresuar se herëve tjera do ta japin votën e tyre. Ka pasur sigurisht edhe bashkatdhetarë që nuk kanë mundur të votojnë për arsye të ndryshme dhe mbetem me shpresë që herën e ardhshme do të jemi edhe më mirë me vota. Gjithashtu, një falënderim i veçantë shkon për të gjithë ata të cilët kanë lobuar për mua dhe më kanë mbështetur gjatë fushatës, sidomos për stafin tim zgjedhor ku në kryesi kanë qenë Zeqir Gashi dhe Faruk Havziu. Edhe pse sot nuk do të jem anëtar i Parlamentit, unë do të vazhdoj të jem përkrahës i përmirësimit të imazhit tonë në Zvicër, që të mos ketë paragjykime për shqiptarët dhe për një integrim më të suksesshëm.
Për fat të keq shumë vota nuk kanë qenë të vlefshme dmth. janë mbushur gabim. Në këtë pikë ka nevojë që të gjithë ne, kandidatët shqiptarë, të punojmë më intensivisht dmth. të organizojnë promovime për të treguar se si votohet, ashtu që të mos humbet asnjë votë. Unë i lus bashkëkombësit që të mos hezitojnë të pyesin sikur që shumë e shumë kanë përdorur mundësitë të na kontaktojnë që t`u sqarojmë se si të votojnë në favorin tonë.
albinfo.ch: Ju keni arritur një numër të konsiderueshëm votash, me një diferencë të vogël nga ai që ka qenë para jush. Keni thënë se dikush nga të zgjedhurit do ta lirojë vendin në Parlament të Kantonit dhe ju do të jeni megjithatë në Parlament? Si qëndron saktësisht puna?
B. Bunjaku: Të kesh 800 vota më shumë se kundërkandidatët tjerë në listë pas teje është një arritje. Edhe mediet zvicerane e kanë përmendur se unë prej vendit të dhjetë kam arritur në vendin e tretë.
Sa i përket vendit që do të më lirohet në Parlament të Kantonit, kjo qëndron dhe nuk mundem ta shqyrtoj këtu më në hollësi. Është një strategji e partisë të më fusë në Parlamentin e Kantonit të Cyrihut edhe për faktin se kantoni ka rrëshqitur më shumë në të djathtë. Kjo ka ndodhur pasi që janë votuar më shumë SVP dhe në veçanti FDP e cila ka arritur t`i marrë edhe 8 vende.
Falënderimet shkojnë edhe për mediet
albinfo.ch: Si është ndarë partia juaj, EVP në këto zgjedhje?
B. Bunjaku: Sa i përket partisë sime, EVP, ajo në zgjedhjet kantonale ka fituar një numër të konsiderueshëm të votave. Si shembull, vetëm në Winterthur është rritur numri i votuesve për 2.4%. Ky numër i madh i arritur në Winterthur, nga partia ime (jo vetëm nga Winterthuri por edhe nga Kantoni i Cyrihut) konsiderohet se ka ardhur edhe falë meje.
Për këtë arsye dua t`i falënderoj mediet zvicerane si: 20Min, Blick, Tages Anzeiger, Landbote, SRF1 etj. Por një falënderim i veçantë shkon për albinfo.ch. Ju më keni mbështetur prej fillimit të kandidaturës sime prandaj dua të ju falënderoj për mbështetjen profesionale jo vetëm time por të gjithë kandidatëve tjerë shqiptarë. Gjithsesi, merita për të qenë më shumë në medie dhe për t`u votuar më shumë kanë pasur dhe aplikacionet e mia „Blerim Bunjaku” dhe „Schweizermacher”. Tash ai është i ndarë nga aplikacioni personal dhe është zhvilluar si aplikacion i vetëm me emrin „Schweizermacher” që mund ta shkarkojë secili nga AppStore
Heq dorë nga kandidimi për Parlamentin Nacional
albinfo.ch: Ju e provuat veten për herë të dytë në zgjedhje dhe dolët jo keq. Cili është hapi juaj i ardhshëm?
B. Bunjaku: Sikundër dihet, unë jam promovuar që të kandidoj edhe për Parlamentin Nacional. Pasi e kam analizuar mbështetjen jo vetëm të bashkëkombësve por edhe të tjerëve, mundem të them që është ende herët për mua që ta kërkoj votën për atë nivel. Kjo, duke e pasur parasysh që ende duhet të punojmë në këtë drejtim që bashkëkombësit tanë ta përdorin mundësinë për të votuar. Sepse ne si shqiptarë nuk mundemi të rrimë me shpresë që të marrim vota vetëm nga zviceranët. Dhe për atë unë nuk do të kandidoj pasi që mundësitë që të zgjidhem janë shumë të vogla.
Pasi që të hyj në Parlamentin e Kantonit të Cyrihut dua të shihet puna ime nga bashkëkombësit por edhe nga vet zviceranët, dhe pastaj do t`i kem mundësitë më të mira që të zgjidhem në Parlamentin Nacional, pas katër viteve.
Unë do t`i mbështes të gjithë kandidatët shqiptarë për zgjedhjet nacionale por në veçanti bashkëkombësin tim Arbër Bullakaj nga SP-ja. Mendoj se ai është i vetmi që ka mundësi reale të depërtojë në Nationalrat dhe është një kënaqësi jo vetëm për mua por për të gjithë bashkëkombësit nga Kantoni i St. Gallen që ta mbështesin atë.
Hapi i ardhshëm i imi është që në fillim të vitit që vjen do të jem në Parlamentin e Kantonit të Cyrihut, ku do të punoj e do të kontribuoj edhe për bashkëkombësit e mi. Gjithashtu do të angazhohem edhe për studentët në trojet shqiptarë që të kenë mundësi, të vijnë më lehtë për të studiuar në Zvicër.
albinfo.ch: Ditë më parë ju kanë ftuar disa arsimtarë që ju, me një ligjëratë para nxënësve të tyre (shumica me prejardhje të huaj) të ju jepni atyre një perspektivë. Na e shpjegoni këtë?
B. Bunjaku: Po është e vërtetë. Disa arsimtarë në Winterthur më kanë kontaktuar që të motivoj nxënësit e tyre me një ligjëratë që kishte të bënte me jetën time si ndërmarrës, politikan dhe përgjegjës i shkollave në Winterthur. Promovimin e parë e kam mbajtur në shkollën Büelwiesen në Winterthur te klasa e 9- të, nxënësit e të cilës janë duke kërkuar zanate dhe praktikë. Për mua ka qenë diçka e veçantë të motivoj nxënësit me arritjet e mia si një i huaj dhe si shqiptar.
E ftojnë t`u mbajë ligjërata nxënësve
albinfo.ch: A mund të na tregoni, çka u keni ligjëruar atyre dhe si ju keni dhënë perspektivë?
B. Bunjaku: Brenda dy orëve unë u kam thënë atyre se ne që jemi me prejardhje të huaj duhet të jemi shumë të dalluar me nota apo me punë por edhe duhet të kontribuojmë më shumë se vet zviceranët. Por më e rëndësishmja është se ne në Zvicër kemi mundësi të arrijmë atë që e dëshirojmë! Kjo është një përparësi në krahasim me shtetet tjera, prandaj këtë përparësi ne duhet edhe ta përdorim, të motivohemi dhe mos të heqim aq shpejtë dorë nga ajo që duam të arrijmë.
Gjithashtu u kam thënë se ata që nuk munden të dallohen me nota, duhet të jenë më të guximshëm dhe më kreativ kur të konkurrojnë për një praktikë, zanat apo punë. Edhe unë jam me prejardhje të huaj dhe jam shqiptar por prapë kam arritur edhe pse është dashur të kontribuoj dhe të luftoj më shumë për qëllimin që e kam pasur para vetes.
albinfo.ch: Si ju kanë pritur nxënësit?
B. Bunjaku: Në mesin e nxënësve ka pasur edhe disa zviceranë por shumica ose rreth 90% të tyre kanë qenë me prejardhje të huaj. Por me e rëndësishmja për mua ka qenë ajo që në fund të ligjëratës të gjithë kanë duartrokitur dhe janë mbledhur në kohën e pauzës së drekës duke shprehur dëshirë që të bisedojmë edhe më tutje.
Kjo vjen, mendoj unë, sepse problemi më i madh është rrethi ku qëndrojnë fëmijët, ku i shohin të tjerët pa vende pune, duke pirë alkool, etj. Gjithashtu mungesa e kujdesit të prindërve. Nuk dëshiroj të them se prindërit janë fajtorë por është realitet që nëse nuk punojnë të dy prindërit, e kanë vështirë ta kalojnë muajin pa borxhe. Kjo është sot një tragjedi për mua, por edhe e kuptoj kur dëshirojnë prindërit të ja plotësojnë dëshirat e fëmijëve. Për atë duhen këta nxënës sot të shkollohen dhe të dallohen prej të tjerëve që mos të vijnë edhe këta në këtë gjendje dmth. mos të përsëritet edhe te kjo gjeneratë.
E-Diaspora
-
Granit Xhaka është pjesë e formacionit më të mirë të vitit në Bundesliga Ylli shqiptar i Bayer Leverkusenit, Granit Xhaka, ka përfunduar si pjesë e formacionit më të mirë...
-
Përfundojnë pritjet në kufirin Kroaci-Serbi
-
Nga llamba e vajgurit tek energjia që ndriçon Zvicrën, rruga frymëzuese e Xhevdet Gashit dhe ALBASOLAR
-
“K’cimi i Tropojës”, piktori Gazmend Freitag dhe magjia e trashëgimisë kulturore shqiptare
-
Gjykata Federale ndalon dëbimin e kosovarit: Djali i tij është invalid i rëndë
Jeta në Zvicër
-
Mediat: Shërbimet mjekësore zvicerane të bëra jashtë vendit faturohen me tarifa zvicerane Në Zvicër, shërbimet mjekësore të kryera jashtë vendit faturohen me tarifa zvicerane, pavarësisht se kushtojnë më...
-
Anëtari i ekuipazhit zviceran ende në kujdes intensiv pas uljes urgjente në Austri
-
Ulja emergjente e avionit zviceran në Graz është shkaktuar nga një problem teknik
-
Berna ka përditësuar, në internet, hartën e saj të rreziqeve sipas qyteteve të kantonit
-
Sa e rëndësishme është marrëveshja e BE-së për ekonominë tonë të eksportit?