Integrimi
Bullakaj: Përfitoni nga shansi, merrni pjesë në zgjedhje!
“Thirrja ime për shqiptarët është: përfshihuni, natyralizohuni dhe bëni fushatë aktive për kandidatët tuaj të preferuar!"
Arbër Bullakaj është kandidat i Partisë Socialdemokrate (SP) nga St.Galleni për deputet në zgjedhjet parlamentare që mbahen më 22 tetor 2023. I njohur për një kohë të gjatë si politikan dhe aktivist, edhe në nivel të vendit, ai konsiderohet si një kandidat me gjasa të mira për të fituar një vend në Parlament. Bullakaj ka marrë pjesë edhe në zgjedhjet e kaluara nacionale dhe ka qenë kandidati më i votuar me rrënjë shqiptare.
Në intervistën për Albinfo.ch ai flet për synimet e tij në këto zgjedhje, shpalos konceptin e tij zgjedhor dhe u bën thirrje shqiptarëve me të drejtë vote që të shfrytëzojnë shansin: të votojnë.
Albinfo.ch: Jeni nominuar nga partia juaj, PS (SP), si kandidat për zgjedhjet federale (për Parlamentin Nacional) që mbahen më 22 tetor të këtij viti. Ju jeni prej kohësh i njohur si politikan dhe aktivist shoqëror, jo vetëm në regjionin prej nga vini. Megjithatë, çfarë ju ka shtyrë konkretisht të provoni veten në nivelin nacional?
A. Bullakaj: Kam punuar në politikën lokale për 8 vjet dhe kam arritur të realizoj shumë synime në fushat e pjesëmarrjes së shtuar (rregulloret e reja të pjesëmarrjes & themelimi i Parlamentit Rinor Wil) dhe të natyralizimit (tarifa më të ulëta, kushte më të mira etj.). Unë gjithashtu kam ndjekur në mënyrë aktive politikën kantonale si nënkryetar kantonal i partisë PS për 7 vjet. Tani dua të bëj më shumë në nivel kombëtar dhe të fokusohem veçanërisht në këtë synim. Jam i kënaqur që SP St.Gallen po më mbështet aktivisht.
Albinfo.ch: Sigurisht, për deputet Ju ka propozuar partia juaj, SP, dhe ju i jepni llogari asaj, duke kërkuar mbështetjen nga ajo. Por, komuniteti shqiptar ka po ashtu interesin e tij në këto zgjedhje. Është një perceptim se në këtë komunitet tashmë janë pjekur kushtet që të ketë një ose më shumë politikanë me rrënjë shqiptare në Parlamentin federal. E ndani dhe ju këtë mendim?
A. Bullakaj: Po, mendoj se tani ka ardhur koha që më në fund të kemi një ose më shumë përfaqësues në Parlamentin Nacional të Zvicrës. Fatkeqësisht, radhitja në listë nuk është optimale për të gjithë kandidatët me origjinë shqiptare, por me shumë përkushtim kjo (zgjedhja) mund të funksionojë te disa. U uroj të gjithëve shumë suksese.
Jam i kënaqur që mora vendin e parë nga partia ime si të tretin në listën e Dhomës Nacionale të Parlamentit dhe si të vetmin kandidat për Dhomën e Kantoneve.
Albinfo.ch: A llogaritni shumë në mbështetjen nga komuniteti shqiptar në këto zgjedhje, apo mendoni se e keni bazën e sigurt te zgjedhësit tradicionalë të partisë suaj?
A. Bullakaj: Miratimi ishte i madh. Ndiej një erë të freskët dhe jashtëzakonisht mbështetëse. Shumica e kandidatëve në kantonin St.Gallen, për shembull, kanë pasur mundësinë të vendosin nga 10 deri në 30 postera në vende private (ballkon, kopsht, dritare etj.). Unë tashmë kam mbi 250 lokacione në të gjithë kantonin e St.Gallen. Kështu që unë kam shumë më tepër mbështetje se zakonisht dhe shumë shpesh, ndër këta mbështetës janë familjet, klubet dhe bizneset shqiptare (restorante etj).
Albinfo.ch: Çfarë i premtoni komunitetit shqiptar (ose edhe të tjerëve, me sfond migracioni) në rast se do të zgjidheni deputet? A mund të na thoni, me pak fjalë: përse duhet t`ua japë votën një shqiptar, person me të drejtë vote në Zvicër?
A. Bullakaj: Për më shumë se 50 vjet në Zvicër nuk ka pasur asnjë iniciativë që synon veçanërisht mirëqenien e popullsisë migrante. Me nismën demokratike të “Aktion Vierviertel”, ku unë jam president themelues, ne e kemi thyer këtë “magji”, ku popullsia migrante nuk i shërben më thjesht agjitacionit të SVP-së, por më në fund njihet si një pjesë e rëndësishme e Zvicrës, e cila tani duhet të ketë të njëjtat të drejta. Pra, si asnjë politikan tjetër në Zvicër, unë ndjek në mënyrë aktive politikën për popullatën migrante, sepse ajo është gjithashtu një politikë për më shumë drejtësi. Popullsia zvicerane pa sfond migrimi gjithashtu e sheh se është e rëndësishme, prandaj unë marr mbështetje të jashtëzakonshme prej tyre.
Albinfo.ch: Cila është fusha specifike në të cilën do të angazhoheni si deputet, në rast se zgjidheni?
A. Bullakaj: Unë jam një politikan që angazhohem për të drejtat civile dhe aktivist për të drejtat e njeriut. Një demokraci e plotë është shumë e rëndësishme për mua. Prandaj, veprimet e mia të para parlamentare do të jenë në këtë drejtim. Përveç kësaj, si ekspert i inovacionit, tema e inovacionit dixhital dhe ekonomisë dixhitale, si dhe arsimi bashkëkohor, janë shumë të rëndësishme për mua. Unë gjithashtu kam ide konkrete se si Zvicra duhet të zhvillohet në mënyrë që të mbetet e suksesshme dhe burimet të shpërndahen në mënyrë të drejtë midis popullatës.
Albinfo.ch: Deri në zgjedhje kanë mbetur një muaj. Ju keni filluar tashmë fushatën zgjedhore. Si duket ajo, në pika të shkurtra? Keni paraparë takime edhe me komunitetin shqiptar të këtushëm apo edhe me të tjerët, me prejardhje të huaj?
A. Bullakaj: Unë jam kandidati i parë me origjinë shqiptare për deputet në Dhomën e Kantoneve (Senat) nga një parti shtetërore në historinë zvicerane. Kjo ngjall shumë interes mediatik, prandaj jap shumë intervista dhe marr pjesë në panele diskutime në fushatën time. Unë gjithashtu kam shumë ngjarje të decentralizuara në gjithë kantonin dhe gjithashtu takoj grupe shqiptare në shoqatat përkatëse socio-kulturore dhe fetare në shumë vende. Dhe, unë jam duke bërë fushatë aktive në mediat sociale.
Albinfo.ch: Ndonjë fjalë me të cilën doni t`i drejtoheni komunitetit shqiptar, gjegjësisht lexuesve të Albinfo.ch me rastin e garës tuaj për Parlamentin e Zvicrës?
A. Bullakaj: Si shqiptarë, që na është dashur të luftojmë fort për demokracinë në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Preshevë, Shqipëri etj., duhet ta dimë se sa e rëndësishme është ajo. Prandaj thirrja ime është: përfshihuni, natyralizohuni dhe bëni fushatë aktive për kandidatët tuaj të preferuar. Dhe, nëse mund të merrni pjesë në zgjedhje, atëherë përfitoni nga shansi!
Të ngjashme
Të tjera nga Integrimi
E-Diaspora
-
Vlerësim i lartë për kompaninë „Halili + Partner“ të inxhinierit Besnik Halili Ambasadori i Republikës së Maqedonisë së Veriut në Zvicër, Rexhep Demiri ka vizituar dhe vlerësuar lartë...
-
Rrugës për në Kosovë, mërgimtarët presin mbi 15 orë në kufirin Kroaci-Serbi
-
Iu dha lamtumira e fundit aktorit Adem Muji
-
Jurgen Uldedaj mund në vetëm 2 raunde rivalin, është i 15-ti në renditjen e 4 federatave të boksit
-
Gjykata në Cyrih dënon një shtetas të Kosovës dhe një të Shqipërisë me burgim dhe dëbim
Jeta në Zvicër
-
Bora krijon kaos në Bernë, pezullohet pjesërisht qarkullimi i autobusëve Reshjet e dendura të borës mëngjesin e së hënës shkaktuan kaos në rrugët e kryeqytetit zviceran....
-
Rritja e taksave turistike e planifikuar për Crans-Montana nxit zemërimin e pronarëve
-
Policia ndalon trafikun në tunelin Gotthard për shkak të borës
-
Bora pengon qarkullimin rrugor në Alpe
-
Çmimet e ndërtimit janë ende në rritje, por jo në Ticino