Lajme

Bukë e bardhë, e zezë apo integrale, cila është më e shëndetshme?

Shumëherë ekzistojnë dilemat në familjet tona se a të hamë bukë të bardhë, të zezë apo integrale dhe cila prej tyre është më e shëndetshme.

Dilemat bëhen edhe më të mëdha tek ushqimi për fëmijët dhe cilën bukë ta përdorim.

Buka është nga produktet ushqimore më të lashta, e përdorur gjerësisht nga njerëzimi si bazë e ushqimit.

Ndërsa buka më e lashtë e gatuar, e zbuluar, daton për më tepër se 5000 vjet.

Që në mesjetë prodhoheshin tri lloje buke: buka fare e bardhë për shtresën e njerëzve të pasur, buka gjysmë e bardhë për shtresën mesatare dhe ajo e zeza për shtresën e varfër.

Edhe në vendin tonë është krejtësisht e qartë se edhe në ditët e sotme buka zë një vend kryesor në dietën e përditshme. Aq shumë zë vend buka sa ende te një pjesë e madhe e familjeve kur ftojmë dikë në drekë apo edhe vetë familjarët, e dëgjojmë shprehjen: “Ejani se u bë buka” ose “Buka gati!“, pavarësisht se atje është përgatitur një gjellë me patate.

A është buka e bardhë shkaktare e shumë sëmundjeve?

Buka e bardhë ka një indeks të lartë glicemik (GI), që do të thotë se lëshon energji shumë shpejt dhe kështu rrit sheqerin në organizëm. Kjo është arsyeja pse ekziston një lidhje e drejtpërdrejtë apo indirekte midis bukës së bardhë dhe diabetit, ku buka e bardhë e rrit dukshëm përqindjen për shfaqjen e diabetit.

Buka e bardhë mund të rrisë edhe rrezikun e kancerit. Ata që hanë pesë ose më shumë copë bukë të bardhë në ditë, kanë dy herë më shumë gjasa të kenë shfaqjen e sëmundjeve malinje, sesa ata që hanë një copë në ditë apo që nuk përdorin fare bukën e bardhë.

Buka e bardhë përgatitet me miell të bardhë. Gruri ka tre përbërës kryesorë: lëvoren, embrionin dhe endosporin.

Lëvorja që mbështjellë grurin është pjesa më e rëndësishme, më e pasur në fibra bimore dhe minerale.

Embrioni është pjesa me përmbajtje të konsiderueshme të disa acidesh lyrore shumë cilësore dhe gjithashtu përmban vitaminë E, e cila pikërisht mbron këto acide lyrore nga oksidimi.

Në këtë mënyrë, gruri gjatë prodhimit të miellit të bardhë, gjatë shkëputjes së lëvores ka humbur:

-Të gjithe acidet lyrore të pangopura; -krejt vitaminën E;

  • 98% të magnezit;
  • 75% të hekurit, të fosforit;
  • 50-70% të vitaminave B;
  • 50% të kalciumit.

Buka integrale sidomos ajo e bërë me brumë të ardhur nga maja natyrale është më cilësorja për shëndetin e fëmijëve dhe të rriturve.

Zgjidhja më e mirë është buka integrale, ajo e bërë me 100 përqind drithëra të plotë dhe e paprerë në feta. Buka e zezë /integrale e bërë nga miell gruri të plotë ose thekre, si dhe përzjerjet e këtyre të dyjave janë bukët më superiore nga vlerat nutritive-ushqyese, por edhe shëndetësore.

A duhet ta blejmë bukën e prerë në feta?

Jo në asnjë mënyrë. Sa herë e keni para një bukë të prerë në feta mendojeni procesin:

  • Mendojeni aspektin e sterilizimit të thikave dhe prerërsve që përdoren. Kuptohet se kjo nuk ndodh asnjëherë. Në këto thika mund të kalojne mikrobe që qarkullojnë në ambient të furrës dhe gjatë prerjes kalojnë direkt tek buka. Çdo prerje e bukës nënkupton se brenda bukës kemi vendosur me qindra e mijëra bakterie.
  • Mendoni thikat apo prerëset që presin bukën sa herë limohen dhe ku shkojnë mbetjet metalike të tyre?
  • Prerja e bukës ndikon direkt në cilësinë e vetë bukës, prerja e bën bukën të humbasë lagështinë e saj dhe bashkëveprimin e substancave që ajo përmban. Humbet kontinuitetin si për nga forma ashtu edhe për nga përmbajtja.
  • Prerja e bukës ndikon në humbjen e shtresave mbrojtëse, kores së bukës e cila ishte një mburojë ideale ndaj mikrobeve, me prerje kjo mburojë më nuk ekziston dhe mundësia për zhvillimin e mikroorganizmave është ideale. Nëse i shtojmë kësaj edhe procesin pas prerjes dhe vendosjen në qese, mundësia për mikrobe është tejet e madhe.
  • Buka është mirë të pritet pak para se të konsumohet dhe të mbahet e mbyllur mirë, në qese letre në vende të fresketa ose në frigorifer.

Nga: Dr. Ismail Lutolli – specialist Pediatër

Subspecialist Dietolog – Nutricionist

Subspecialist Hematolog Onkolog