Skënder Hyseni nga fshati Sibovc i Podujevës, ka mbjellë dy hektarë me spec të llojit somborka. Ai këtë vit shprehet i kënaqur me rendiment dhe shitje të cilën e realizon në tregjet në vend. Kjo atë e ka shtyrë që vitin e ardhshëm ta dyfishojë sipërfaqen e mbjellë me këtë kulturë, raporton RTK.
Ndryshe nga Hyseni, fermeri tjetër Bekim Vokrri nga fshati Sfeqël, ka vendosur që produktin e tij ta eksportojë.
Ai ka përgatitur 16 tonë spec të cilët i ka dërguar në qendrën grumbulluese të pemëve dhe perimeve, në fshatin Sfeqël. Eksportimin e specave, në Gjermani dhe Suedi, fermeri Vokrri e ka filluar që nga viti i kaluar. Ndërkohë që përkrahja e USAID-it për kultivuesit e kësaj ane, as në këtë vit nuk ka munguar, thonë ata.
Ndryshe, banorët e fshatit Sfeqël dhe Sibovc përveç që kultivojnë lloje të shumta të specit, ata kultivojnë edhe lakrën si dhe domatet e patatet. Ky rajon i Llapit njihet si vendi ku kulturat bujqësore japin rendimente të mëdha.