Zhvillim

Bujqësia, prioritet për investime në Kosovë

Dhoma e Tregtisë, Industrisë dhe Shërbimeve Zvicër-Kosovë e vlerëson bujqësinë, teknologjinë informative...si sektore me prioritet për investime në Kosovë

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

Bujqësia, arsimi profesional, teknologjia informative…janë vetëm disa nga fushat ku mund të investojnë të huajt, por edhe diaspora në Kosovë. Kështu kanë deklaruar për Albinfo.Ch një delegacion nga Dhoma e Tregtisë, Industrisë dhe Shërbimeve Zvicër-Kosovë, i cili po qëndron në Prishtinë për një vizitë dyditore.

Delegacioni i drejtuar nga kryetari i Dhomës, Stefan Sarkani dhe bashkëpunëtorët e tij, Jerome Goldschmid, Christian Murith, Vincent Mitre dhe Imri Liman, gjatë gjithë ditës së djeshme, por edhe sot kanë zhvilluar një varg takimesh me përfaqësuesit e institucioneve kosovare, por edhe me komunitetin e biznesit.

Sot ata takuan Ardian Arifajn, këshilltarin e zëvendëskryeministrit dhe njëherësh ministrit të Jashtëm, Hashim Thaçi, por edhe shefin e Grupit Parlamentar të Partisë më të madhe politike në Kosovë, PDK-së, Adem Grabovcin. Me këtë të fundit biseduan për legjislacionin kosovare në fushën investimeve, ndërsa me Arifajn për politikën e jashtme të vendit.

Po ashtu delegacioni i Dhoma e Tregtisë, Industrisë dhe Shërbimeve Zvicër-Kosovë, ishte nikoqir i ambasadores helvetike në Prishtinë, Kristina Maerty Lang. Kjo e fundit njoftoi delegacionin zviceran për klimën e investimeve në Kosovë dhe për sukseset që kanë treguar investitorët nga Zvicra këtu, sidomos në fushën e teknologjisë informative.

Ndërkaq delegacioni nga Zvicra, e njoftoi ambasadoren për idenë e një planet e odës, por edhe për një projekt të madh ekonomik regjional me qendër në Kosovë, për të cilin ata thanë se është vetëm një ide që kërkon studim.

Ndërkaq bashkëpunim të parezervë në fushën e komunitetit biznesor i ofroi Safet Gërxhaliun, kryetar i Odes Ekonomike të Kosovës. Ai tha se Zvicra është shteti që ka bërë shumë për Kosovën dhe diasporën kosovare, prandaj u shpreh i gatshëm që të bashkëpunojë ngushtë dhe të mbështesë Oden Zvicerano-Kosovare.

Gprxhaliu propozoj nënshkrimin e një memorandumi bashkëpunimi në mes të dy odave që u prit me kënaqësi nga oda zvicerane.

Albinfo.Ch zhvilloi një intervistë të shkurtër me Stefan Sarkany, kryetar i Dhomës së Tregtisë, Industrisë dhe Shërbimeve Zvicër-Kosovë. Ai tha se vizita në Kosovë ka për qëllim zyrtarizimin e Dhomës dhe krijimin e lidhjet me institucionet dhe komunitetin e biznesit kosovar.

Në pyetjen se cilat fusha i keni veçuar me ardhjen në Kosovë, Sarkany tha se bujqësia dhe investimi ne arsimimin profesional, kishin me qenë prioritare në Kosovë. “Me investime në këtë fusha, krijojmë vendeve të reja të  punës. Me krijimin e vendeve të punës krijohet stabiliteti ekonomik e që lidhet direkt edhe atë politik”, deklaroi ai.

Po ashtu kryetari i Dhomës, tha se edhe energjia e ripërtërishme, infrastrukturë e teknologjia informative, janë sektore interesante për investime.

Në pyetjen se si ndikon mungesa e stabilitetit politik në investime, pasi që vizita e tyre lidhet në kohën e përplasjeve në Kuvend, ai shkurt tha se “qëllimi i kësaj vizite është kryesisht ekonomike”.

“Nuk jemi shumë të varur nga politika, por është koha kur mundemi të investojmë në planin afatgjatë dhe në projekte të qëndrueshme. Megjithatë zhvillimi ekonomik krijon edhe stabilitet politik”, potencoi ai.

Ndryshe, Zvicra pas SHBA-ve dhe Gjermanisë, mbetet njëri nga shtetet që ka ndihmuar më së shumë zhvillimin ekonomik dhe infrastrukturor të vendit. Nëpërmjet projekteve të ndryshme Zvicra ka ndihmuar Kosovën në shumë sektore, ndërsa më thekuar ka mbetur ndihma në bujqësi dhe në ujësjellës.