Futboll

Broja, në 10-shen e sulmuesve nën 21-vjeç, me statistikat më të mira në Europë

Forma e shfaqur nga Armando Broja në këtë sezon, ku sulmuesi shqiptar po luan si i huazuar në Eredivisie me Vitessen, ka qenë për duartrokitje.

Faqja e specializuar transfermarkt ka nxjerrë disa statistika përsa i përket ecurisë së sulmuesve nën 21-vjeç në kampionatet kryesore europiane këtë sezon.

Vëmendjen më të madhe e merr Erling Haaland, i cili kryeson këtë klasifikim special me 21 gola të realizuar në 23 ndeshje të Bundesligas në këtë sezon, ndërsa numëron edhe 6 asistime.

Haaland ndiqet nga një tjetër bomber i talentuar që ka shpërthyer në këtë sezon, pikërisht Dusan Vlahovic, i cili ka shpërthyer me 15 gola në 29 ndeshje me Fiorentinën në Serie A.

Kjo renditje speciale e përpiluar nga transfermarkt mbyllet pikërisht  nga Armando Broja, autor i 9 golave në 25 ndeshje me Vitessen në këtë edicion të Eredivisien, teksa para sulmuesit shqiptar qëndron talenti kanadez i Lille, Jonathan David.