Koronavirusi: çast pas çasti

Britani: Rënie e viktimave të reja nga koronavirusi

Mbretëria e Bashkuar i ka shënuar 450 të vdekur nga koronavirusi në 24 orët e kaluara, gati 150 më pak se një ditë më parë. Numri i përgjithshëm i viktimave shkoi në 16,510.

Një ditë më herët, në Britani u shënuan 596 raste fatale të koronavirusit, ndërsa të shtunën ishin 888 raste.

Ndonëse shifrat zakonisht janë më të ulëta pas fundjavës, rënia e konsiderueshme është dëshmi se kulmi i pandemisë në këtë shtet ka kaluar, shkruan “Daily Mail”, transmeton Gazeta Express.

Së paku 120 mijë britanikë janë konfirmuar si të infektuar me Covid-19 deri më tani, ndërsa disa rezultate të tjera pritet të dalin më vonë sot gjatë ditës.

Një profesor i mjekësisë në Universitetin e Oksfordit ka thënë se pandemia ka mundur ta arrijë kulmin edhe para fillimit të masave mbarëkombëtare të izolimit.

Dr.Carl Heneghan pretendon se të dhënat e rasteve të infektimit ranë përgjysmë pasi qeveria rekomandoi që njerëzit t’i pastrojnë duart më shpesh dhe të mbajnë distancë prej dy metrave me njëri-tjetrin.

Pacientët e vdekur në Angli ishin nga mosha 40 deri në 101-vjeçare dhe 15 prej tyre nuk kishin ndonjë sëmundje të njohur para infektimit.