Lajme

Britania e Madhe nuk do të ndryshojë masat për Vitin e Ri

Sekretari britanik i Shëndetësisë, Sajid Javid, tha se nuk do të vendosen kufizime të reja kundër koronavirusit para Vitit të Ri.

Megjithatë ai u bëri thirrje qytetarëve që të vazhdojnë të jenë të kujdesshëm gjatë festimeve të fundvitit, duke rekomanduar që të festohet në ambiente të hapura festa e Vitit të Ri, nëse një gjë e tillë është e mundshme.

“Kur të hyjmë në vitin e ri, natyrisht se do të shikojmë nëse duhen masa shtesë, por deri atëherë, nuk do të ndërmarrim masa të tjera”, tha ai.

Ndërkaq, Anglia ka raportuar rekord rastesh të reja me koronavirus gjatë Festës së Krishtlindjes.

Më 25 dhjetor ky shtet regjistroi 1113,628 raste të reja me koronaviurs, ndërsa më 27 dhjetor numri i infektimeve të reja ishte 98,515.

Vendimi për të mos ndërmarrë masa të reja në Angli vjen disa orë pasi kryeministri britanik, Boris Johnson, u informua për situatën epidemiologjike në këtë shtet nga zyrtarët shëndetësorë.

Të dhënat e fundit tregojnë se në spitalet në Angli aktualisht janë të shtrirë 8,474 pacientë me koronavirus, që është shifra më e lartë e hospitalizimeve që prej muajit mars.

Mbretëria e Bashkuar ka përshpejtuar fushatën e imunizimit kundër COVID-19, me qëllim që t’i kundërpërgjigjet përhapjes së Omicronit, variant që fillimisht u detektua në Afrikën e Jugut në muajin nëntor./Euronews.al