Kriza në Ukrainë

Britania akuzon Rusinë për keqinterpretim të shifrave të viktimave në Ukrainë  

Shërbimet sekrete britanike thanë se Rusia po keqinterpreton qëllimisht numrin e viktimave të saj në luftën kundër Ukrainës.

Ministria e Mbrojtjes në Londër tha sot se Rusia ka keqinterpretuar numrin e vdekjeve në sulmin ukrainas në një strehë ushtarake ruse, në rajonin e Donetskut, natën e Vitit të Ri.

Rusia raportoi vdekjen e 89 ushtarëve. Megjithatë, raportet e shërbimeve sekrete britanike thonë se ka të ngjarë që të ketë pasur më shumë se 300 viktima.

Londra theksoi se kjo tregon përhapjen e dezinformatave në njoftimet publike ruse.

Raporti thoshte se pasaktësitë ruse për viktimat ishin rezultat i gënjeshtrave të qëllimshme të miratuara nga zyrtarë të rangut të lartë, dhe raporteve të rreme nga zyrtarë vartës që duan të nënvlerësojnë dështimet e tyre nga frika se mos pushohen nga puna, transmeton dpa përcjell albinfo.ch.

Londra sugjeroi se në rastin konkret të natës së Vitit të Ri, Rusia mund të jetë detyruar të japë një shifër konkrete të viktimave, pas valës së kritikave mes komandantëve rusë.

Ministria britanike e Mbrojtjes ka publikuar çdo ditë informacione për rrjedhën e luftës që nga fillimi i sulmit të Rusisë, 11 muaj më parë. Moska ka akuzuar Londrën për kryerjen e një fushate dezinformimi.