Gruaja
Brikena Muharremi: Detyra jonë është t’i shërbejmë komunitetit
Brikena Muharremi është kryetare e Shoqatës së Avokatëve Shqiptaro-Britanikë. Ajo është shqiptarja e parë avokate në Angli, e cila shtë e liçencuar si avokate në vitin 2005
Brikena Muharremi është bërë e njohur në diasporën shqiptare si juriste londineze që angazhohet në të mirë të komunitetit shqiptar në Angli. Ajo së fundi është vlerësuar nga Qeveria shqiptare në Samitin e Diasporës në Tiranë me çmimin “Ambasadore e Kombit”.
Ndërkohë, Brikena është emëruar nga Qeveria e Shqipërisë edhe anëtare e Këshillit Koordinues të Diasporës. Lidhur me këtë, ajo shprehet: “Ndihem e nderuar dhe e privilegjuar që Qeveria e Shqipërisë më ka emëruar në Këshillin Koordinues të Diasporës dhe që m’a ka besuar detyrën e përfaqēsimit të Diasporës sonë në këtë nivel të lartë shtetëror si përfaqësuese nga Britania e Madhe. Jam e privilegjuar që do t’i shërbej bashkatdhetarëve të mi dhe atdheut tonë për një të ardhme më të mirë për të gjithë”.
Albinfo.ch ka zhvilluar një intervistë me të ku ajo pasqyron organizimin e shqiptarëve në Angli dhe suksesin e tyre atje, duke veçuar emra si Rita Ora e Dua Lipa.
Albinfo.ch: Jeni aktualisht avokate nga diaspora shqiptare për të cilen më së shumti flitet. A mund të na thoni për lexuesit tanë kushështë Brikena Muharremi?
Brikena Muharremi: Jam avokate e bazuar në Londër ku jetoj qe 23 vite. Kam mbi 12 vite përvojë pune në profesion. Kam lindur dhe jam rritur në Kosovë. Në Angli kam ardhur me vizë, si studente e shkollës së mesme, tre vite para luftës në Kosovë. Arsyeja e ardhjes sime në Angli ka qenë që të shkollohem meqë shkollat në Kosovë në atë kohë u mbyllën dhe ne vijonim mësimin nëpër shtëpi private, i cili nuk ishte mësim adekuat. Pas përfundimit të shkollës së mesme nuk munda të kthehem në Kosovë për shkak të luftës dhe vazhdova studimet universitare në degën e drejtësisë në Londër. Përfundova studimet dhe trajnimin pranë një firme avokatore dhe u liçencova si avokate në vitin 2005. Jam shqiptarja e parë që është kualifikuar si avokate në Angli.
Albinfo.ch: Kur është fjala për aktivitetin e shqiptarëve që jetojnë në Angli, emri juaj është lakuar shpesh në media. Si janë të organizuar shqiptarët e Anglisë dhe cili është roli juaj në këtë drejtim?
Brikena Muharremi: Në Angli janë disa shoqata që i shërbejnë komunitetit shqiptar në fusha të ndryshme. Unë jam e angazhuar në komunitet përmes Shoqatës së Avokatëve Shqiptaro-Britanikë të cilën e themelova para 3 viteve dhe të cilën e udhëheqi. Kemi një bord të përbërë nga 7 avokatë dhe si shoqatë kemi katër qëllime kryesore: Promovimin e bashkëpunimit në mes të avokatëve që punojnë në Angli, Kosovë dhe Shqipëri. Avancimin e diturisë në fushën e drejtësisë, përkrahjen e gjeneratave të ardhshme të avokatëve dhe promovimin e sundimit të ligjit dhe çasjes në drejtësi. Këto qëllime synojmë t’i arrijmë duke organizuar ngjarje rregullisht në formë të ligjëratave nga ekspertë të çështjeve të ndryshme juridike. Deri më tani kemi punuar me avokatët dhe gjykatësit më eminentë në Angli dhe më gjërë. Informata rreth aktiviteteve tona mund të gjeni në website-in tonë www.balawyers.co.uk. Numri i avokatëve shqiptarë në Angli është në rritje e sipër që është një gjë shumë pozitive për komunitetin tonë në Angli. Kjo është edhe arsyeja pse mora iniciativën për themelimin e shoqatës, që ne si profesionistë të kësaj fushe të jemi të lidhur, ta përkrahim njëri-tjetrin dhe ti shërbejmë komunitetit.
Jam gjithashtu anëtare e bordit të organizatës joqeveritare Germin, e cila është e bazuar në Kosovë dhe e cila promovon të drejtat e diasporës shqiptare. Jam e angazhuar në projekte të kësaj organizate që synojnë përmirësimin e sistemit të votës së diasporës dhe përfaqësimin e diasporës në institucionet e vendit të origjinës.
Albinfo.ch: Diaspora shqiptare identifikohet kryesisht me shqiptarët që jetojnë në Zvicër e Gjermani, mirëpo shumë pak dihet për shqiptarët që jetojnë në Angli. Cila është përvoja juaj në organizimin e diasporës shqiptare të Anglisë?
Brikena Muharremi: Komuniteti shqiptar në Angli është relativisht i ri krahasuar me shtete tjera, por brenda 20 viteve të fundit ka arritur të jetë një komunitet shumë i suksesshëm i cili ka prodhuar dhe vazhdon të prodhoj talentë dhe profesionistë të shkëlqyeshëm në fusha të ndryshme. Shembuj mund t’i marrë superyjet Dua Lipa dhe Rita Ora në fushën e muzikës dhe ka shumë shembuj suksesi në fushën e sportit, ekonomisë, drejtësisë, artit, shkencës, etj. Meqë jemi komunitet i ri rrjedhimisht edhe organizimi i komunitetit është në zhvillim e sipër, por është duke u bërë me seriozitet dhe me hapa të sigurtë. Shoqatat shqiptare që funksionojnë në Angli i shërbejnë komunitetit për nevoja të ndryshme duke filluar nga mësimi i gjuhës shqipe e deri tek rrjetëzimi i profesionistëve. Gjithashtu kemi edhe gazeta, radio dhe media televizive shqiptare me bazë në Londër në shërbim të komunitetit.
Albinfo.ch: Në Samitin e dytë të Diasporës të mbajtur gjatë muajit mars, jeni dekoruar nga Qeveria Shqiptare me çmimin „Ambasador i Kombit“. Cili është kontributi juaj në këtë drejtim dhe çfarë do të thotë kjo për ju dhe shqiptarët që jetojnë në Angli?
Brikena Muharremi: Vlerësimi që m’u bë në Tiranë është një privilegj dhe nder për mua. Është një shtytje që të vazhdoj punën që e bëj me komunitetin shqiptar në Angli dhe me diasporën shqiptare në përgjithësi, punë të cilën e kam pasion. Shpresoj që vlerësimet që u bënë në Samit të shërbejnë edhe si frymëzim për të gjithë që puna në komunitetet tona në diasporë, kudo që jemi, të vazhdoj meqë duke respektuar identitetin tonë dhe duke përkrahur njëri-tjetrin jemi më të fortë dhe më të suksesshëm.
Albinfo.ch: Si e vlerësoni ju rëndësinë e Samitit të Diasporës, çfarë punohet aty dhe cilat janë konkluzionet që ju keni nxjerrë nga ky samit?
Brikena Muharremi: Samiti është një rast i shkëlqyeshëm meqë i jep mundësi krijimit të një dialogu në mes të diasporës dhe institucioneve të vendlindjes. Është një hap i Qeverisë Shqiptare në drejtimin e duhur për krijimin e kushteve adekuate që diaspora të japi kontributin e saj në zhvillimin e vendlindjes. Zhvillimi ekonomik i Shqipërisë dhe Kosovës është më i nevojshëm se kurrë tani duke marrë parasysh gjendjen ekonomike dhe sociale si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë.
Në Samitin e Dytë pati panele diskutimi rreth çështjeve të ndryshme që prekun diasporën si vota e diasporës, zhvillimi ekonomik, identiteti shqiptar dhe turizmi. Unë isha pjesë e panelit për të drejtën e votës ku prezantova punën time në përmirësimin e sistemit të votimit të diasporës. Bëra thirrje që projekligji i paraqitur në Kuvendin e Kosovës për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Zgjedhje të ratifikohet sa më shpejt në mënyrë që t’i mundësohet votimi nëpër ambasada diasporës gjatë zgjedhjeve të ardhshme. Në fund të Samitit përfaqësuesit e Ministrisë së Diasporës bënë një pëmbledhje të konkluzioneve të dala nga secili panel të cilat do të mirren parasysh nga Ministria gjatë punës së saj.
Mendoj që organizimi i paneleve të diskutimit ishte ide shumë e mirë meqë aty patëm rastin t’i shprehim mendimet tona rreth çështjeve të ndryshme dhe dhamë edhe sugjerimet tona konkrete.
Biografi e shkurtë:
- Emri e mbiemriBrikena Muharremi
- Prejardhja:Kosovë
- Vendi ku vepron:Londër
- Profesioni:Avokate
E-Diaspora
-
Nga llamba e vajgurit tek energjia që ndriçon Zvicrën, rruga frymëzuese e Xhevdet Gashit dhe ALBASOLAR Nga rrënjët modeste tek frymëzimi për energjinë diellore...
-
“K’cimi i Tropojës”, piktori Gazmend Freitag dhe magjia e trashëgimisë kulturore shqiptare
-
Gjykata Federale ndalon dëbimin e kosovarit: Djali i tij është invalid i rëndë
-
A e keni ditur që hiti për Krishtlindje është xhiruar para 40 vitesh në Zvicër?
-
Borë në kantonet Schwyz dhe Bernë të Zvicrës
Jeta në Zvicër
-
Sa e rëndësishme është marrëveshja e BE-së për ekonominë tonë të eksportit? Certifikimi kërkohet për shitjen e shumë mallrave zvicerane në BE. Pa një marrëveshje të re, ekziston...
-
Gripi sezonal, në rritje në Zvicër
-
Rrezik i lartë nga orteku, linja hekurudhore Oberalp ende e ndërprerë
-
Nga llamba e vajgurit tek energjia që ndriçon Zvicrën, rruga frymëzuese e Xhevdet Gashit dhe ALBASOLAR
-
Synohet ulja e shpejtësisë në autostradat zvicerane