Integrimi

Brikela Andrea – Nune: Ju rrëfej rrugën time të integrimit

Brikela është drejtuese e bibliotekës interkulturale Zentrum5 në Bernë. Ajo flet për albinfo.ch mbi përvojat e saj si grua me prejardhje të huaj në vendin e punës që ka të bëjë edhe me migracionin

“Prej 8 vjetësh unë punoj në Zentrum5 qendra e 5 Kontinenteve. Profesioni im i mësuar në Zvicër si bibliotekare lidhet edhe me punën që unë bëj. Aty jam përgjegjëse për kulturën dhe drejtoj bibliotekën interkulturale ku punojnë 15 kolegë nga vende të ndryshme. Në këtë bibliotekë speciale gjenden libra dhe media te ndryshme në 31 gjuhë. Detyra ime është të organizoj aktivitete kulturore me të gjitha kulturat në mënyrë që të gjithë njerëzit pa qenë e rëndësishme prejardhja e tyre, të gjejnë edhe këtu në Zvicër një copë kulture ose gjuhë nga vendi i tyre që kanë lënë”, thotë në një intervistë për albinfo.ch Brikela Andrea – Nune, drejteuse e bibliotekës interkulturale në Bernë.

albinfo.ch: Sa kohë keni që keni ardhur në Zvicër dhe cilat kanë qenē përshtypjet e juaja të para?

Brikela Andrea Nune: Unë kam ardhur para 14 vjetesh si migrante ne Zvicër. Arsyeja ka qenë bashkimi familjar me bashkëshortin tim i cili kishte ardhur para shumë vitesh nga Tirana në Zvicër.

Përshtypjet e para janë shoqëruar edhe me pasiguritë e para. Një vend i rregullt dhe i pastër por tepër i vështirë për t’u “pushtuar”. Mendimet e para kanë qenë si mund ta gjej këtu vetveten, rrugën time, si mund të flas me njerëzit të cilët më dukeshin tepër të largët. Shumë pyetje kam pasur gjatë asaj kohe: “A mund të më kuptojnë në gjuhën angleze të cilën unë e zotëroj? A mund ta mësoj dot gjuhën gjermane dhe shumë mendime të tjera të këtij lloji të cilat torturonin mendjen.”

 albinfo.ch: Si ka qenë rrugëtimi juaj në tregun e punës, sfidat dhe sukseset qē keni arritur?

Brikela Andrea Nune: Të gjesh punë në Zvicër nuk është aspak e lehtë dhe jo vetëm për ne të huajt por edhe për vendësit. Për ne të huajt është dyfish e vështirë sepse duhet një “Restart” ose një fillim i ri. Shkollat, diplomat apo eksperiencat në vendin e lindjes janë me shumë pak vlerë njohjeje këtu ose hiç fare prandaj them duhet menduar një fillim i ri. Së pari mundësitë e përzgjedhjes janë të pakta për shkak se gjuha dhe eksperiencat e këtushme në shumë raste mungojnë kështu që duhet të pranosh edhe punë të vështira, të pakpaguara ose të një niveli të ulët që nuk e ke menduar më parë ose që nuk i takon profilit të shkollës apo punës tënde. Shumë i rëndësishëm është informacioni i çfarëdollojshëm dhe seleksionimi i tyre si edhe këdo që njeh dhe di pak më tepër se ti për këtë vend.

albinfo.ch: Juve tashmë punoni ne Zentrum5, cili është pozicioni juaj në këtë qendër dhe çfarë aktivitetesh organizon Zentrum5?

Brikela Andrea Nune: Prej 8 vjetësh unë punoj në Zentrum5 qendra e 5 Kontinenteve. Profesioni im i mësuar në Zvicër si bibliotekare lidhet edhe me punën që unë bëj. Aty jam përgjegjëse për kulturën dhe drejtoj bibliotekën interkulturale ku punojnë 15 kolegë nga vende të ndryshme. Në këtë bibliotekë speciale gjenden libra dhe media te ndryshme në 31 gjuhë. Detyra ime është të organizoj aktivitete kulturore me të gjitha kulturat në mënyrë që të gjithë njerëzit pa qenë e rëndësishme prejardhja e tyre, të gjejnë edhe këtu në Zvicër një copë kulture ose gjuhë nga vendi i tyre që kanë lënë. Qëllimi është që të krijojmë një platformë për njohje dhe shkëmbime eksperiencash dhe vlerash si kultura, gjuha, etj. midis njerëzve të një vendi të caktuar dhe mes vendësve që interesohen për këto kultura ose gjuhë duke i njohur më mirë ato.

albinfo.ch: Andrea, ju tregoni një pasion për punën që keni, cili është sekreti i këtij motivimi?

Brikela Andrea Nune: Unë mendoj që nuk ka sekret por thjesht eksperiencë. Në vitet e mia të para në Zvicër unë kisha shumë nevojë për një drejtim apo një orientim. Mendoj nëse do ta kisha atë do të ishte më i lehtë dhe më i shpejtë integrimi im në jetën e vendit si nga ana sociale ashtu dhe profesionale. Prandaj dua që këtë eksperiencë sado e vështirë të jetë ta ndaj me të gjithë ata që duhet të bëjnë një fillim të tillë për ta lehtësuar sadopak atë.

Institucioni ku unë punoj ofron tamam këtë lloj orientimi nëpërmjet informacionit të thjeshtësuar dhe të konkretizuar me adresa. Puna më jep mundësinë të njihem me njerëz nga vende të ndryshme duke i ndihmuar dhe këshilluar për të gjetur sa më parë rrugën e tyre për një jetë normale këtu. Për arsye të organizimit të aktiviteteve të shumta artistike dhe kulturore unë kam fatin të njihem edhe me artistë, shkrimtarë, piktorë etj., të vendeve të ndryshme që jetojnë brenda dhe jashtë Zvicrës. Dhe kjo është faqja me ngjyra e punës sime.

albinfo.ch: Si një femër e suksesshme cilat do të ishin disa nga këshillat që do ju përcillnit femrave shqiptare të sapoardhura në Zvicër?

Brikela Andrea Nune: Unë mendoj që më e vështira për një grua të huaj që vjen në Zvicër është të qenit jo vetëm grua por të qenit njëkohësisht në disa role të ndryshme dhe të vështira. Të gjitha këto shoqërohen me atë pasigurinë që të jep të qenit e huaj, mosnjohja mire e gjuhës apo e dialektit, mosnjohja e mentalitetit etj. Unë ndjehem shumë mirë kur shoh dhe dëgjoj njerëz të cilët i kam njohur, përcjellë dhe ndihmuar në rrugën e tyre që sot ecin të sigurt drejt qëllimit që kane zgjedhur të ndjekin. Kjo për mua është fryti i një pune të gjatë dhe ndoshta të padukshme por me vlera për të ardhmen. Këshilla ime për çdo vajzë apo grua të huaj që vjen në Zvicër është të ecë hap pas hapi duke ngjitur shkallët në rrugën e vështirë të jetës së re që ka zgjedhur të bëjë. Dhe e theksoj përsëri që hapi i parë i çdo suksesi është informacioni dhe gjuha. Është vështirë por jo e pamundur. Nuk duhet të tërhiqeni edhe pasi të jeni zhgënjyer, vazhdoni të ecni dhe të kërkoni përpara atë që ju doni të bëni dhe të arrini në jetën tuaj. Çdo tunel e ka një fund ku del drita.

Çdo tunel e ka një fund ku del drita

Këshilla ime për çdo vajzë apo grua të huaj që vjen në Zvicër është të ecë hap pas hapi duke ngjitur shkallët në rrugën e vështirë të jetës së re që ka zgjedhur të bëjë. Dhe e theksoj përsëri që hapi i parë i çdo suksesi është informacioni dhe gjuha. Është vështirë por jo e pamundur. Nuk duhet të tërhiqeni edhe pasi të jeni zhgënjyer, vazhdoni të ecni dhe të kërkoni përpara atë që ju doni të bëni dhe të arrini në jetën tuaj. Çdo tunel e ka një fund ku del drita.