Gruaja

“Brezi Ynë” sjell një ekspozitë ndryshe mbi potencialin e gruas

“E kemi zgjedhur këtë ditë, jo si një ditë ku mblidhen vetëm femrat, por një ditë kur mblidhemi e tregojmë potencialin që kemi, sepse përparimi i një shoqërie, duhet të matet me shkallën e përparimit të grave në atë shoqëri“ thekson Linda Arifi, kryetare e shoqatës "Brezi ynë"

Një ditë, teksa gërmonte në arkivin e fotografive familjare, Linda rastësisht has në një foto nga një dasëm e viteve `90. Aty, ndër të tjera shihet një nuse, e veshur me fustanin e bardhë të nusërisë, si dhe përreth, ca vajza të reja, sikur lakmonin të bëheshin edhe ato nuse.

Linda Arifi

Në pamje të parë, kjo ishte vetëm një pjesë e traditës së bukur të dasmave shqiptare, por në këtë rast, për kryetaren e shoqatës “Brezi ynë“, Linda Arifin, shërbeu si një provokim apo si një shkëndijë për projektin e radhës të Brezit.

Shpesh në shoqërinë tonë apo edhe më gjerë, martësa është konceptuar edhe si një cenim apo kufizim i lirisë së grave, pra kalimi nga statusi i „vajzës“, në atë të „nuses“.

 

Përse “nuse” dhe jo “vajzë”?

“Një femër mund të jetë ende vajzë edhe pas martesës“ shprehet Linda Arifi, për albinfo.ch, duke qenë kundër asaj që ndaj një femre të imponohet varësia.

Këtu ajo ndërlidhet edhe me një ndër misionet e Brezit, që është padyshim edhe vështrimi me vëmendje të madhe tek gabimet e mundshmë nga brezat e kaluar dhe mundohet t‘u japë drejtim të mirë brezave në vijim që janë ardhmëria jonë.

Idenë e lindur nga fotografia e gjetur, Linda, filloi ta zhvillojë si një koncept për një ekspozitë të mundshme. Para 3 vitesh, gjatë udhëtimeve të saj në vendlindje, ajo rastësisht takohet me Aida Sinanin, një piktore 16 vjeçare në atë kohë. Pas njohjes me pikturat e saj, Linda, gjen edhe artisten me të cilën do të mbajë ekspozitën e radhës.

E për të kompletuar ekipin, bie në kontakt edhe me një poete të re, Nurie Emrullain, poezitë e së cilës, i shkonin më së miri për shtati konceptit të Brezit, si dhe pikturave të Aidës. Pra, qëllimi ishte që arti i krijuar me këtë rast të përcjellë emocion.

8 Marsi, sepse përparimi i shoqërisë matet me përparimin e gruas

“Vajza, jo nuse“ ishte vendosur t`i vihej emri projektit, ndërsa data e ekspozimit është caktuar jo rastësisht 8 marsi, apo Dita Ndërkombëtare e Gruas.

“E kemi zgjedhur këtë ditë, jo si një ditë ku mblidhen vetëm femrat, por një ditë kur mblidhemi e tregojmë potencialin që kemi, sepse përparimi i një shoqërie, duhet të matet me shkallën e përparimit të grave në atë shoqëri“ thekson Linda Arifi në bisedë md albinfo.ch.

Duke qenë se shtypja e femrës është tashmë një problem global, Linda shton se ne si shqiptarë e kemi luftuar shtypjen nga të tjerët me shekuj, prandaj pse duhet lejuar që shtypja ndaj grave të jetë ende prezente në familje. Pra për çdo problem duhet të nisemi nga vetja.

Pos pikturave dhe poezive, si dhe instalacionit nga artistja zvicerane Conny Wagner, si pjesë e projektit është edhe angazhimi i dy vajzave tjera shumë të fuqishme shqiptare të botën e muzikës, pra i Fatime Kosumit-Andrra si dhe i DJane Oda

Programi nga 8 deri më 11 Mars

Hapja e ekspozitës bëhet më 8 mars, në orën 18.00 ndërsa mbyllet më 17 mars 2018. Ajo mund të vizitohet: nga e mërkura deri të shtunën nga ora 12 deri 21 dhe të dielën nga ora 12 deri në orën 18.

Ndërsa koncerti i këngëtares ANDRRA, mbahet më 10 mars dhe më pas ka after Party me ODA-n.

Përderisa më 11 mars 2018 do të mbahet edhe një workshop (punëtori), i udhëhequr nga Hamit Zeqiri, udhëheqës i FABIA, Lucern dhe president i KOFI.

Të gjitha aktivitetet mbahen në adresën: Photobastei 2.0, Sihlquai 125, 8005 Zürich (kati i tretë).

Edhe me këtë rast, Albinfo.ch, vazhdon të mbetet një aleat i shoqatës “Brezi ynë”, si partner medial.

Kush është “Brezi ynë”

 “Brezi Ynë“ është një shoqatë që është themeluar në vitin 2014 në Cyrih të Zvicrës. Qëllimi i kësaj shoqate është që të shërbejë si një platformë komunikimi dhe bashkimi nëpërmjet brezave madje edhe brenda brezit të shqiptarëve në Zvicër dhe me vendin e origjinës. „Brezi Ynë“ pretendon të ofrojë hapësirë për shkëmbime ndërkulturore, ndërsa të përbashkëtat dhe dallimet brenda shoqërisë do t‘i paraqesë me anë të projekteve në fushat si: art, muzikë dhe literaturë.

 

https://www.kickstarter.com/projects/531089264/girls-not-brides?ref=user_menu

https://www.eventbrite.com/e/andrra-tickets-42234031124?aff=efbevent

www.brezi.org