Integrimi

“Brezi ynë”, një mision për afrimin e kulturës shqiptare me atë zvicerane

„Brezi Ynë“ është një shoqatë që është themeluar në vitin 2014 në Cyrih të Zvicrës.

Qëllimi i kësaj shoqate është që të shërbejë si një platformë komunikimi dhe bashkimi nëpërmjet brezave madje edhe brenda brezit të shqiptarëve në Zvicër dhe me vendin e origjinës.

„Brezi Ynë“ pretendon të ofrojë hapësirë për shkëmbime ndërkulturore, ndërsa të përbashkëtat dhe dallimet brenda shoqërisë do t‘i paraqesë me anë të projekteve në fushat si: art, muzikë dhe literaturë.

Albinfo.ch ka biseduar me ekipin e “Brezi Ynë” për të sjellë një potret të këtij organizimi kulturor në Zvicër.

Linda Arifi, me origjinë nga Kërçova është kryetare dhe themeluese e kësaj organizate. Ajo është e lindur dhe e rritur në Bazel ndërsa punon në informatikë dhe jeton prej gati 5 vitesh ne Cyrih. 29-vjeçarja me përkushtim të madh ka punuar vitet e fundit  për konceptimin e “Brezit”.

Mbase janë tri arsye që e kanë nxitur Lindën që të bëjë realitet organizatën”Brezi i Ynë”: “E dua atdheun dhe vendlindjen time, dhe që të dy vendet dëshiroj t’i afroj.  Adhuroj pasuritë e diversitetit në një shoqëri që shfaqen dhe rezultojnë në art, muzikë apo literaturë. Për mua puna humanitare është diçka shumë e natyrshme dhe ka rëndësi të madhe në jetën time”, shprehet Linda për albinfo.ch.

Rreth krijimit të kësaj shoqate kanë punuar edhe zvicerania Nicole Kurmann (29) dhe Bujar Balaj (33). Për Lindën si themeluese dhe kryetare e kësaj shoqate, ishte shumë e rëndësishme që të gjente njerëzit e duhur për t’i arritur qëllimet e “Brezit”.
„Në fakt, shoqëria jonë shumëvjeçare që e kemi, më ka frymëzuar ta konceptoj këtë subjekt. Komunikimi dhe shkëmbimet kulturore mes nesh më janë dukur aq interesante sa qe vendosa të bëjmë një platformë shkëmbimi për t‘i afruar vendësit me shqiptarët në Zvicër”.

Vëmendja që kolegia jonë zvicerane ia kushtonte shoqërisë, historisë dhe kulturës shqiptare vetëm për të na kuptuar më mirë, më ka lënë gjithmonë përshtypje të madhe”, tregon për afërsinë që ka me koleget tjerrë shqiptarë dhe zviceranë. Pikërisht ky kombinim në ekip dhe si rezultat i bashkëpunimit të frytshëm me përfaqësuesit që ndodhen nëpër qytete të ndryshme shqiptare, bëjnë që Brezi të ecë përpara me hapa te sigurt.

12596492_10208394164233691_2111353767_n (1)

Me përfaqësi në Tiranë dhe në Kërçovë

“Brezi Ynë” përfaqësohet në Tiranë nga Ermeona Arifi dhe Iv Rexhepi, në  Kërçovë nga Shadije Dalipi dhe Gëzim Nebiu.

“Dua t’i falënderoj edhe Nertil Muhaxherin dhe Edon Bajramin (Prishtinë) që e vizualizuan frymën e brezit me një dizajn jashtëzakonisht të bukur që mund ta shijoni në webfaqen tonë. Gjithashtu duhet falënderuar edhe shumë tjerë që na kanë  mbështetur gjatë rrugëtimit tonë. Me këtë rast dëshirojmë t‘i falënderojmë të gjithë ata që kontribuojnë në këtë punë humanitare të Brezit”, thekson Linda.

Zvicerania Nicole Kurman ështe e lindur dhe e rritur në Bazel, por sot jeton në Lucern, ku edhe i ka edhe rrënjet e saj. Kurmann është përgjigjur në pyetjen se cilën gjeneratë synon ta bashkojë organizata e tyre.

“Bëhet fjalë për gjeneratat e ndryshme. Mirëpo “Brezi Ynë”, gjenerata jonë, vështron me vëmendje të madhe brezat e kaluar dhe mundohet t‘ju jape drejtim të mirë brezave në vijim që janë ardhmëria jonë. Kuptohet që çdo brez afrohet përmes muzikës, modës, artistëve, filmave apo ngjarjeve kreative të ndryshme…Nuk ka shumë rëndësi a je rritur në Zvicër apo në vendet ballkanike… ne kemi shumë gjëra të përbashkëta, ne flasim të njëjtën gjuhë që kuptohet vetëm nëpërmjet artit. Dhe “Brezi Ynë” e ka marrë për detyrë t’i dëgjohet zëri kësaj „gjuhe të përbashkët“, përgjigjet Kurmann. Ajo ka folur edhe për kulturën shqiptare dhe për dallimet ndërmjet dy kulturave.

Zvicerania e mishëruar me shqiptarët

Kurman ka treguar edhe për rrugëtimin e saj nëpër Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni. “Në vitin 2013 kam udhëtuar për herë të parë në Prishtinë, duke falënderuar Linden. Ngaqë kam pasur shumë kontakt me shqiptarë që jetojnë në Zvicër dhe ashtu kam lexuar shumë për historinë dhe kulturën shqiptare, ky udhëtim për mua ishte i papërshkrueshëm. Shumë shpejt pas Prishtinës kam udhëtuar me Lindën drejt Kërçovës, Tiranës, Beratit, Vlorës etj… Secili qytet më ka mahnitur me mënyrën e vet. Falë mikpritjes mbresëlënëse që mu bë në vendet shqiptare, shumë shpejt ato vende për mua u bënë „shtepia ime e dyte“. Nuk do t’i harroj ato kujtime të lezetshme dhe bukuritë e tregimeve që dëgjova në udhëtimin tim shqiptar dhe pikërisht këto janë dhe gjërat që dua t’i ndaj me shoqërine tonë qe jeton këtu në Zvicer”, rrëfen Kurmann.

Në kryesinë e brezit është edhe Bujar Balja, përgjegjës financiar (Finanzverantwortlicher). Bujari eshte i rritur në Cyrih dhe ështe me origjinë nga Deçani. Ai si pjesë e ekipit  të “Brezi Ynë” flet për aktivitetin e tij në këtë organizim kulturor.
Misioni i “Brezi Ynë” shkon përtej kulturës, nëpërmjet komponentës „Vatra“, do të angazhohemi edhe me projekte humanitare për të ndihmuar të varfrit në Ballkan. “Kontributi i secilit individ apo shoqatë nё fushёn humanitare në Zvicër shtё aq i rёndёsishёm sa pёrpjekja e njё komuniteti, siç ёshtё shembull “BREZI Ynё”. Ne kemi pёr qёllim inkurajimin e anёtarёve tanё nё kёtё komunitet tё bashkuar, i karakterizuar nga vlerat humanitare dhe pёr thirrjen pёr angazhim individual, pjesёmarrjen, bashkёpunimin, shpirtin ekipor dhe pёr projektimin e ideve. Prandaj, ne i inkurajojmë anёtarёt tanё pёr tё ndёrmarrё iniciativa, tё bashkohen dhe tё ndjekin projektet pёr bamirёsi – qofshin ato donacione apo punё vullnetare”, flet Bujari për aktvitetin humanitar të Brezit.

Një koncept kompleks i “Brezit”

Zemra, mendja, trupi, shpirti dhe vatra, një frymëzim që bashkon. Në fakt si kanë menduar t’i bëjnë bashkë?

“Elementi “Zemra” kap impulset dhe mendimet motivuese nga shoqёria e sotme ndёrkulturore. “Mendja” perdoret tёrёsisht pёr sqarime. Mishёrimi i njё teme ndodh ne elementin e “Trupit’’ ku tema transmetohet me anё tё arteve pamore. Jetёsor, aktiv dhe të lёvizshёm, e kemi elementin “Shpirti” që ofron takime dhe jetё, shkёmbime pёr anёtarёt dhe palёt e interesuara. Secili nga projektet tona do tё pёrfundojё me sukses vetёm nё qoftё se nё fund tё projektit kryhet njё vepёr humanitare. Elementi “Vatra” paraqet arritjen e qёllimeve tona dhe me tё cilin mbyllet i tёrё qarku. Me këtë strategji që percjellim kemi përfshirë të gjithë përbërësit e nevojshëm për të krijuar një frymëzim që bashkon njerëzit prej nga do të rezultojnë projekte të bukura nga ky “motor” i Brezit”, thekson Bujari.
Bujari është pronocuar edhe për urat e bashkëpunimit shqiptaro-zviceran, pjesë e rëndësishme e Brezi Ynë.

“Ne ndërtojme ura “kreative” mes të dyja kulturave. Këto ura e kanë qëllimin që të krijojnë mirëkuptim të ndërsjellë. Secili dallim dhe secila e përbashket e ka vlerën e vet për ta kuptuar njëri – tjetrin më mire. Prandaj është e rëndësishme per ne që t’i prezantojmë pasuritë e shoqërisë…në të dyja anët e urës”, thekson Bujari.

7e74ba9c1f41181b9c7be497ffb7df6fcd438459beaaceb91a21ffe386099457

Ekspozitë fotografish dhe tre koncerte

Përkrah një stafi shumë të përkushtuar e profesionist dhe me shumë ide konstruktive “Brezi Ynë” sot po përgatitet për të hapur dyert e ekspozites së parë për publikun artdashës zviceran. “Brezi Ynë” do të sjellë në Cyrih ekspozitën e fotografit nga Presheva me nam botëror, Adrian Limani. Ekpozita „Drita e Lirisë“ do të mbahet  më 18 – 20 shkurt 2016 ne Qendrën Kulturore të Kosovës.

Limani është i njohur më së miri për një seri fotografish interesante, si ato me hënë dhe me poçe elektrike, që zunë vend në shumë medie prestigjioze botërore, si: “DailyMail”, “Telegraph”, “The Sun”, “Mirror”, “National Geographic” etj.

Ekspozita do të shoqërohet me tri koncerte të ndryshme shqiptare mundësuar nga “Different Shows”, udhëhequr nga Fatmir Haziri, që i ka përkrahur me këto iniciativa.

Janë koncerte me kualitet të lartë të muzikës shqiptare. Bëhet fjalë për një program që brenda këtyre diteve do të përmbush çdo shije prej  “Albanian Jazz Night” me Gent Rushin nga Shqipëria dhe Linda Rukaj nga Franca (datë 19.02.16), deri te “Albanian Rock Night” me “Bloody Foreigners” nga Londra dhe “Troja” nga Prishtina (20.02.16).

b03d8948dc2049263ccc6e1514ca82d610ceba1f18aee180bc6cee01a5402b4aae0b85a006d90242fc85255eeaa89b161a48b91b2d5200aeecf0907f89c3c718