Kosova

BQK nis fushatën për rregulloren e re

Banka Qendrore e Kosovës, me qëllim të ofrimit të informatave plotësuese në mënyrë të thjeshtë dhe të kuptueshme për qytetarët e Kosovës, ka lansuar një fushatë vetëdijesuese për Rregulloren për Operacionet me Paratë e Gatshme, që ka hyrë në fuqi më 1 shkurt.

Në një video shpjeguese me 7 pyetje është treguar çfarë parasheh kjo Rregullore, siç janë procedurat e trajtimit dhe tërheqjes nga qarkullimi të kartëmonedhave dhe monedhave euro dhe të valutave të tjera të dyshuara si të falsifikuara.

Rregullorja në fjalë ka përcaktuar edhe kriteret për këmbimin e kartëmonedhave dhe monedhave euro të dëmtuara, si dhe kushtet për transaksionet e pagesave me para të gatshme.

Kjo Rregullore nuk ndalon apo kufizon pranimin e mjeteve në llogaritë bankare në Euro në bankat e licencuara dhe as nuk kufizon aktivitetin këmbimor të cilësdo valutë që kryhen nga institucionet financiare bankare ose jobankare të licencuara nga BQK.

Andaj, të gjithë individët kanë qasje në llogari bankare dhe mund të pranojnë mjete në llogaritë e tyre në Euro, përmes kanaleve të ndryshme ligjore.

Pra, të gjithë qytetarët që tashmë kanë një llogari bankare në Euro, në cilëndo bankë të licencuar në Kosovë, mund ta përdorin të njëjtën për të pranuar mjetet nga çdo shtet.

Ndërsa, ata që ende nuk kanë llogari, mund të hapin një të tillë tek secila bankë, sipas Rregullores së BQK-së për Qasje në Llogari Pagese për Shërbime Bazike, që për grupet e cenueshme e të skemave sociale nuk ka tarifë të hapjes e as të mirëmbajtjes nga 1 janari 2024.

Vetëm në katër komunat veriore operojnë katër degë bankare, tri institucione mikrofinanciare (kredidhënëse), si dhe mbi 15 institucione financiare jobankare për pagesa dhe këmbimore. Numri i degëve dhe zyrave të institucioneve financiare që operojnë në atë zonë është në rritje, pasi përfshirja financiare është objektiv i BQK-së.

BQK për të ofruar informata plotësuese, në mënyrë të thjeshtë dhe të kuptueshme për qytetarët e Kosovës, ka lëshuar në funksion linjën PA PAGESË 0800 222-55.

Kjo linjë është e dedikuar për qytetarët nga komuniteti serb që jetojnë në vendin tonë dhe kanë nevojë të informohen drejt dhe konkretisht.