Lajme

Bosnjë e Hercegovinë: Miratohet vendimi që lejon palestinezët e evakuar nga Gaza të hyjnë në vend

Këshilli i Ministrave në Bosnjë e Hercegovinë ka njoftuar se në mënyrë unanime ka miratuar “vendimin për dhënien e lejes për hyrjen në Bosnjë e Hercegovinë, nën kushte të posaçme, të qytetarëve të Palestinës familjarët e të cilëve janë shtetas të Bosnjë e Hercegovinës”.

Sipas njoftimit, 30 persona, që janë të afërm të qytetarëve të Bosnjë e Hercegovinës, të cilët janë evakuuar së bashku nga Rripi i Gazës, do të lejohen që të hyjnë në këtë shtet.

“Ministria e Punëve të Jashtme të Bosnjë e Hercegovinës do t’ua dërgojë listën e 30 personave Policisë kufitare, në të cilën, përveç të dhënave personale, ka edhe informacione për të afërmit e tyre që janë shtetas të Bosnjë e Hercegovinës. Hyrja e tyre do të mundësohet nga Aeroporti Ndërkombëtar i Sarajevës”, thuhet në njoftim, përcjell REL.

Një ditë më herët, Këshilli i Ministrave nuk mori vendim për këtë çështje për shkak të mungesës së kuorumit, ndërsa shtetasit e Bosnjës dhe familjarët e tyre u evakuuan nga Rripi i Gazës për në Kajro të Egjiptit, shkruan albinfo.ch.