Kosova

Borrell para takimit: Do të diskutohet për zbatimin e Marrëveshjes bazike

Josep Borrell, përfaqësues i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, tha se në takimin mes kryeministrit të Kosovës dhe presidentit të Serbisë në Bruksel do të diskutohet për hapat konkretë për implementim të Marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit të vitit të shkuar.

“Do të jetë e rëndësishme të kuptojmë se si dy palët e shohin të ardhmen e dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Si duan palët që ta vazhdojnë këtë punë. Për pak muaj do të ketë njerëz të tjerë, emra tjerë në vendin tonë, por marrëveshjet, konkluzat dhe pritjet e BE-së s’do të ndryshojnë. Shtetet anëtare s’do të ndryshojnë. Zotimet dhe obligimet e Kosovës dhe të Serbisë s’do të ikin. Të gjithë do të presin nga kapacitetet dhe vullnetin e kryeministrit të Kosovës dhe presidentit të Serbisë të sigurojnë të ardhme më të mirë evropiane për popujt e tyre”, ka thënë ai në një deklaratë para takimit.

Borrelli ka thënë se normalizimi i raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë është në zemër të angazhimit të BE-së për Ballkanin si dhe se normalizimi është i lidhur ngushtë me rrugën e anëtarësimit në bllok.

“Do të diskutojmë se si do të lëvizim përpara mbi bazën e kësaj marrëveshjeje. Do të diskutojmë për hapat e ardhshëm. Është e qartë që ajo që është dakorduar duhet të implementohet. Marrëveshjet janë baza. Veprimet duhet të pasojnë. Implementimi është kryesor. Do të punojmë për hapat konkretë për këtë implementim, për t’i tejkaluar krizat e përditshme me angazhim të plotë në procesin e normalizimit”, ka përfunduar ai.