Shqipëria

Bora bllokon shumë fshatra të Shqipërisë

Reshjet e dëborës kanë vazhduar gjatë natës dhe mëngjesit, duke zbritur deri në zonat e ulëta. Situata me rrugë të bllokuara e shkolla të mbyllura vazhdon edhe sot.

Mësimi është ndërprerë në të gjithë shkollat e Qarkut Dibër, ku ka fshatra të bllokuara dhe akse rurale që kalohen me zinxhirë. Trashësia e dëborës në Peshkopi shkon mbi 40 cm, ndërsa në zonat mbi 800 m shkon deri në 1 metër, raporton “TCH”.

E rënduar është situata në Bulqizë, ku reshjet e dendura të dëborës kanë bërë që rrugët Bulqizë-Peshkopi dhe Bulqizë-Burrel të kalohen me shumë vështirësi, me zinxhirë. Trashësia e dëborës në qytet është 30 cm, ndërsa në njësitë adminstrative shkon nga 50 deri në 80 cm, përcjell albinfo.ch.

Edhe në Lezhë vijuan reshjet në qytet, ndërsa superstrada Lezhë-Fushë-Krujë, e cila dje ishte me probleme, sot kalohet lirisht nga veturat.

Dëborë ka rënë gjatë natës edhe në qytetin e Elbasanit, ndërsa raportohet bllokimi i aksit Librazhd-Stëblevë.

Mëngjesi i sotëm e ka gjetur edhe Shkodrën të mbuluar nga bora. Me probleme mbeten zonat e thella malore të Dukagjinit e Pukës, që janë të izoluara.