Lajme

“Böögg” parashikon një verë me më pak diell

37 minuta e 59 sekonda më vonë koka e tij shpërtheu, duke nënkuptuar një verë me pak diell - sa më shpejt t'i shkojë koka "dordolecit", aq më e mirë është vera

“Böögg”, kështu quhet “dordoleci” tradicional, ndezja e të cilit, sipas bestytnive “parashikon” motin që do të mbretërojë gjatë verës është kthyer, pas dy vitesh mungese, në sheshin Sechseläutenplatz në qendër të Cyrihut.

Në orën 18:00 të së hënës, i është vënë zjarri platformës mbi të cilën është vendosur Böögg. Pikërisht 37 minuta e 59 sekonda më vonë koka e tij shpërtheu, duke nënkuptuar një verë me pak diell – sa më shpejt t’i shkojë koka “dordolecit”, aq më e mirë është vera.

Në vitin 2020 e gjithë ceremonia, e cila i ka rrënjët në vitin 1890, u anulua dhe vitin e kaluar u mbajt pa audiencë, në kantonin Uri.

Ngjarja u transmetua drejtpërdrejt në televizion. Ashtu si në kohët para Covid-it, një paradë nëpër qendrën e qytetit është mbajtur të hënën me rreth 130 të ftuar nderi, duke përfshirë ministrin e Jashtëm, Ignazio Cassis, i cili mban Presidencën zvicerane të radhës këtë vit, dhe kryebashkiaken e Cyrihut, Corine Mauch./Albinfo.ch