Kosova

BONEVET prodhon mburoja fytyre

BONEVET ka filluar me prodhimin e mburojave të fytyrës, që t’u ofrojë mbrojtje punëtorëve mjekësorë në vijën e frontit, të cilët po e rrezikojnë jetën e tyre për të shpëtuar jetë të tjera nga COVID’19 në Kosovë.

Të tri qendrat e BONEVET janë transformuar nga hapësira arsimore në struktura inxhinierie dhe përpunimi për prodhimin e mburojave të fytyrës. Të premten e kaluar BONEVET ka bërë donacion te punëtorët shëndetësorë të vijës së parë, serinë e parë prej 120 mburojave të prodhuara. Në ndërkohë, qendrat e BONEVET po e shtojnë kapacitetin prodhues, me synimin që të prodhohen dhe të bëhen donacion 700 copë në javë, për nevojat e sistemit shëndetësor në Kosovë, përcjell albinfo.ch.

Ndërkohë që pandemia COVID’19 po vazhdon të përshkallëzohet, një nga gjërat që ka rënë menjëherë në
sy është që nuk ka mjaftueshëm pajisje mbrojtëse për të gjithë profesionistët shëndetësorë dhe punonjësit e tjerë që po e rrezikojnë jetën e tyre duke i trajtuar personat me këtë sëmundje. Duke marrë parasysh nevojën urgjente për mburoja, ne kemi krijuar linja prodhimi në tri qendat e BONEVET, me një total prej 26 printerësh 3D, të cilët kanë kapacitet prodhues prej 700 mburojave në javë.

Sipas komenteve që kemi marrë nga institucionet mjekësore, ne kemi vlerësuar se nevoja për mburoja të
fytyrës në sistemin shëndetësor të Kosovës është për afro 10.000 njësi. Ky numër është edhe më i madh,
nëse marrim parasysh nevojat e policisë, doganës, administratës së sektorit publik dhe sektorit privat. Që të prodhohet një volum i 10.000 mburojave, me kapacitetin tonë prodhues aktual, do të na duhen 15-16 javë, që është periudhë shumë e gjatë kohore kur dihet se nevoja për to është e menjëhershme. Në mënyrë që ta shpejtojmë procesin e prodhimin të tyre, BONEVET ka nevojë për më shumë printerë 3D dhe filamente.

Mburoja plastike transparente, që i ngjan një maske saldimi, i mbron profesionistët mjekësorë nga
infektimi, gjatë trajtimit të pacientëve që vuajnë nga sëmundja vdekjeprurëse dhe jashtëzakonisht ngjitëse, COVID’19. Mburojat e fytyrës zakonisht nuk përdoren si të vetme, por me maskë N95 dhe syze mbrojtëse. Për këtë arsye konsiderohen si pajisje përcjellëse për mbrojtje personale. Punëtorët shëndetësorë thonë: “Nëse e ke një maskë N95 dhe nuk e ke një mburojë fytyre, nuk e ke mbrojtjen e duhur”.

Për ta adresuar këtë nevojë urgjente, stafi i BONEVET ka vendosur që të fillojë një Kampanjë për Mbledhje të Fondeve, përmes platformës së mirënjohur për këtë qëllim, KOSOVAIDEAS (kosovaideas.com). Kjo bëhet që të mbledhen fonde për të blerë 30 printerë të rinj 3D, dhe një sasi të konsiderueshme filamenti, në mënyrë që kapaciteti ynë të dyfishohet, ndërsa koha e prodhimit të përgjysmohet në 8 javë. Përveç tjerash, Kampanja për Mbledhjen e Fondeve do të mbështetet nga “Fondacioni UNË E DU KOSOVËN” dhe organizata ndërkombëtare UNDP.