Kosova

Boksieres kosovare ia marrin fitoren në ‘tavolinë’, reagon Federata e boksit të Kosovës

Edhe pse boksierja nga Kosova fitoi dy raunde dhe humbi vetëm një, Sadiku u eliminua me pikë nga gjyqtarët

Boksierja kosovare Donjeta Sadiku është eliminuar mbrëmë nga kampionia e Suedisë Agnes Alexiusson, në fazën e dytë të turneut kualifikues evropian për Lojërat Olimpike Tokio 2020, që po zhvillohen në Paris të Francës.

Por me fitoren e Alexiusson kundër Sadikut, nuk është pajtuar Federata e Boksit të Kosovës, ku fitores së boksieres suedeze iu adresua si e padrejtë.

Edhe pse boksierja nga Kosova fitoi dy raunde dhe humbi vetëm një, Sadiku u eliminua me pikë nga gjyqtarët që po ndajnë drejtësinë në kualifikimet e Lojërave Olimpike Tokyo 2020.

“Menjëherë pas duelit stafi i FboxK bëri ankesë për dëmtimin e boksieres Sadiku nga gjyqtari nga Uganda ku të tre raundet i dha boksieres Suedeze dhe referi në ring 10 herë e qortoi boksieren nga Suedia me vërejtje interne për mbajtje dhe nuk i dha asnjë vërejtje publike. Dhe organizatori na dha përgjigje jo të mirë ku tha se ankesat pranohen në garat që i organizon AIBA, ndërsa këto gara i udhëheq Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, dhe nuk ka ankesa. Ne si Federatë e boksit do të bëjmë ankesë në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar po ashtu do të kërkojmë të njëjtën veprim ta bëj Komiteti Olimpik i Kosovës”, shkruante në rrjetin social “Facebook” të FboxK.

Mundësia e vetme që Donjeta të marrë pjesë në Tokio 2020, është nëse pranon ftesë nga Komisioni Tre-Palësh në përbërje: Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, Asociacioni i Komiteteve Olimpike Kombëtare dhe Asociacioni i Federatave Ndërkombëtare të Sporteve Verore.