Shqipëria

Blinken, mesazh për përfaqësuesit e drejtësisë në Shqipëri

Blinken ka postuar një foto nga takimi i zhvilluar me përfaqësuesit e drejtësisë në Shqipëri, përcjell albinfo.ch.

Pas largimit nga Shqipëria, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka postuar një foto nga takimi i zhvilluar me përfaqësuesit e drejtësisë, duke dhënë mesazhin se reforma në drejtësi është thelbësore për vendin tonë.

“Reforma në drejtësi është thelbësore për Shqipërinë dhe përpjekjet e saj për integrim në BE. U takova me drejtuesit e reformës në drejtësi në Tiranë për të përgëzuar progresin e tyre në avancimin e shtetit të së drejtës dhe luftimin e korrupsionit”, shkroi sekretari Blinken në X.

Këto foto i postoi edhe ambasada amerikane në Tiranë që theksoi se Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, përsëriti angazhimin e qëndrueshëm të Shteteve të Bashkuara për reformën në drejtësi në Shqipëri gjatë takimit me krerët e drejtësisë.

“Megjithëse reforma nuk është e shpejtë, e përsosur, apo e lehtë, ky është momenti që institucionet e reja të drejtësisë të veprojnë me guxim ndaj pandëshkueshmërisë dhe të nxisin besimin e publikut në sundimin e ligjit. Këto sfida janë të mëdha, por Shtetet e Bashkuara qëndrojnë fort pas këtyre institucioneve dhe do të mbetemi të palëkundura në mbështetjen tonë”, thuhet në postimin e ambasadës.